Shtojca për Kulturë

Seniha Spahiu – gjashtë dekada kushtuar edukimit muzikor

Duke ditur se muzika, por edhe vetë edukimi muzikor shquhen me kombinim të elementeve shprehëse artistike me elementet e disiplinave shkencore muzikore, një ndërlidhje shumë komplekse dhe interesante në të cilën kombinohen çështjet artistike që i trajton muzika dhe një varg çështjesh po aq komplekse që i trajton edukimi, Muzika dhe Edukimi janë emëruesi i përbashkët i të gjithë veprimtarisë pedagogjike e krijuese muzikore të prof. Seniha Spahiut. Trashëgimia që ajo la pas, thesari i saj i krijimeve shkencore-profesionale, është ofruar nga ajo me zemër në dispozicion për të gjithë studiuesit e rinj në këtë fushë studimi

Hyrje

Arti muzikor ndërvepron apo komunikon me njeriun përmes tri veprimtarive aktive muzikore siç janë: interpretimi, dëgjimi (përjetimi dhe çmuarja e muzikës) dhe krijimi. Por, krijimtaria muzikore si koncept dhe proces shpesh shihet dhe trajtohet si e kufizuar vetëm në aspektin kompozicional muzikor. Përkundrazi, krijimtaria ose kreativiteti duhet shikuar dhe kuptuar si diçka shumëdimensionale që përshkon në një mënyrë apo tjetër të gjitha disiplinat muzikore por edhe jashtë saj. Një qasje të tillë karshi krijimtarisë më gjithëpërfshirëse në muzikë e kishte ndarë këtu e shumë vjet më parë edhe vetë krijuesi, kompozitori ynë i mirënjohur Rafet Rudi (1994) në një shkrim të tij vlerësues mbi një tribunë të ngjashme të organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve, në të cilin ai kritikonte atëbotë qasjen e padrejtë apo lënien “nën hije”, siç shprehet ai, të formave të tjera krijuese për dallim nga krijimtaria në fushën e kompozimit dhe të interpretimit artistik muzikor.

Krijimi është një akt i shndërrimit të ideve të reja në realitet. Krijuesi/ja karakterizohet nga aftësia për ta parë botën ndryshe, për t’i gjetur gjërat në mes “rreshtave”, të bëjë lidhjen e fenomeneve të ndryshme dhe të prodhojë zgjidhje.

Sipas Robert E. Franken, autor i librit “Human Motivation” (fq.396) (Motivimi i njeriut) janë tri arsye që i motivojnë njerëzit të bëhen kreativë/krijues:

- nevoja për diçka të re, ndryshe, dhe stimulim kompleks

- nevoja për të komunikuar ide dhe vlera

- nevoja për të zgjedhë probleme

Në këtë kontekst duhet trajtuar puna krijuese shkencore në fushën e muzikës e pedagoges dhe krijueses Seniha Spahiu.

Krijimtaria muzikore pedagogjike dhe studimore e Seniha Spahiut

Kur flasim për krijimtarinë muzikore dhe krijuesit muzikorë në Kosovë, në këtë kontekst më të gjerë, nuk kemi se si të mos e shquajmë një figurë markante të këtij dimensioni krijues, një pedagoge dhe studiuese të përkushtuar të muzikës.

Prof. Seniha Spahiu rreth gjashtë dekada të plota të jetës së saj ia ka kushtuar një misioni të veçantë: Edukimit të mirëfilltë muzikor të gjeneratave të reja dhe përgatitjes së kuadrove për mësimdhënien muzikore.

Duke ditur se muzika, por edhe vetë edukimi muzikor shquhen me kombinim të elementeve shprehëse artistike me elementet e disiplinave shkencore muzikore një ndërlidhje shumë komplekse dhe interesante në të cilën kombinohen çështjet artistike që i trajton muzika dhe një varg çështjesh po aq komplekse që i trajton edukimi, muzika dhe edukimi janë emëruesi i përbashkët i gjithë veprimtarisë së saj pedagogjike e krijuese muzikore.

Në këtë cilësi ajo edhe u pranua si anëtare e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës që në vitin 1970 e pastaj edhe udhëhoqi për disa vjet në mënyrë shumë të suksesshme edhe Shoqatën e Pedagogëve Muzikorë të Kosovës.

Andaj, është nder i veçantë për mua, që si produkt i punës së saj me mua, dhe si një studiuese e re që po hedh hapat në një rrugë shumë mirë të trasuar dhe me shumë sukses nga prof. Spahiu të reflektojë në retrospektivë gjithë krijimtarinë profesionale e shkencore të saj, një kërkesë kjo sa tërheqëse dhe interesante po aq sfiduese dhe e vështirë, duke pasur parasysh këtë rrugëtim të gjatë të saj profesional.

Përvoja pedagogjike e Seniha Spahiut përfshin:

14 vjet si mësimdhënëse në shkollën fillore ‘Liria’, Shkup (1957-1970);

6 vjet si profesoreshë në Shkollën e Lartë pedagogjike, Prishtinë 1970-1976;

15 vjet si ligjëruese në Fakultetin e Arteve (DAM), Prishtinë (1976-1981);

4 vjet si Docente në Fakultetin e Arteve (DAM) Prishtinë (1982-1986);

24 vjet si profesoreshë e Metodikës së Mësimdhënies së Muzikës në Fakultetin e Arteve (DAM), Prishtinë, që nga viti 1987.

Punën e saj profesionale pedagogjike e krijuese në zhvillimin origjinal të mendimit metodik të mësimit të muzikës në Kosovë (e në përgjithësi në gjithë trevat shqiptare) e ka mbështetur në konstatimin themelor se muzika është art por edhe shkencë ashtu si edhe mësimdhënia, por edhe në bindjen/besimin e saj e thellë se muzika është vetë jeta.

Trajtimin teorik të çështjeve nga mësimdhënia e muzikës ajo e ka bërë duke u mbështetur gjithnjë në praktikën muzikore në klasë dhe në shoqëri, të cilën e kishte shumë të njohur. Për këtë domosdoshmëri të ndërlidhjes së praktikës dhe teorisë së mësimdhënies së muzikës flasin edhe sot shumë studiues ndërkombëtarë. Emëruesi i përbashkët i këtyre studiuesve është se mësimdhënësi i suksesshëm i muzikës është vetëm ai/ajo që në vazhdimësi është kërkues dhe krijues në profesionin e tij.

Studiuesi Paul Woodford, duke trajtuar aspektet e mësimdhënësit të suksesshëm të muzikës, u bën thirrje të gjithë mësimdhënësve “ të eksplorojnë, të kuptojnë dhe të çmojnë kompleksitetin e praktikës së mësimdhënies muzikore në mënyrë që të zhvillohen plotësisht dhe profesionalisht si mësimdhënës të mirëfilltë të muzikës.”

Kurse Pamela Burnard, studiuese e shquar e edukimit muzikor duke trajtuar problemet e edukimit muzikor në ditët e sotme thekson në një nga studimet e saj të fundit se “në kohët e sotme duhen kombinuar pikëpamjet teorike me rekomandimet nga praktika në një tërësi parimesh themelore të cilat do të përdoreshin për të studiuar në mënyrë të posaçme ndërlidhjen në mes të kreativitetit (si një atribut esencial njerëzor që qëndron në zemër të të mësuarit si proces, dhe proceseve e krijimit te të resë) dhe mediave (përfshirë edhe teknologjinë si një medium i ri për shfaqjen e kreativitetit.”

Guximi i Seniha Spahiut për të shkuar përtej mësimdhënies praktike me një bagazh të pasur rreth 14-vjeçar me përvojë konkrete praktike të mësimit të muzikës në klasë, shkollë dhe komunitet dhe për t’iu përveshur punës krijuese shkencore duke trajtuar në mënyrë teorike dhe shkencore mësimdhënien muzikore në një kontekst të zhvillimit modest të edukimit dhe arsimit në Kosovë në ato vite, është për t’u admiruar jo vetëm për faktin se ishte femër, por se ishte e para në gjithë trojet shqiptare dhe e vetmja që e bëri këtë rrugëtim profesional në këtë dimension. Me të drejtë u quajt nga një koleg i saj “promovuese e profilit të metodicientit”, një profesion shumë i ndjeshëm dhe më pak i vlerësuar, por me kërkesa të mëdha shkencore, hulumtuese dhe ndërlidhje në mes të domenit të muzikës, pedagogjisë dhe psikologjisë.

Prof. Seniha Spahiu për shembull i përfshiu elementet e para nismëtare të praktikës pedagogjike muzikore në Kosovë të lëvruara nga Lorenc Antoni, Mark Kaçinari e Vinçenc Gjini në tekstet e para për edukatën muzikore për shkollat fillore jo vetëm duke i identifikuar ato me shkrimet dhe kumtesat profesionale përkatëse, por edhe duke i trajtuar metodat e përdorura në librin për përgatitjen e mësuesve dhe duke i trajtuar ato me studentët e saj që përgatiteshin për t’u bërë mësimdhënës të muzikës.

Ky kontribut i promovimit të historikut të edukimit muzikor në Kosovë është vërtetë shumë i çmueshëm për studiuesit e rinj dhe për historinë e Kosovës në përgjithësi.

Avokimin e hapur dhe të vazhdueshëm për një filozofi të shëndoshë të edukimit muzikor prof.Seniha Spahiu e mbështeti në këto parime kryesore:

Edukimi muzikor të mbështetet fuqishëm në rrënjët tona – në këngën dhe muzikën e mirëfilltë popullore

Muzikimi praktik t’i paraprijë njohjes së fakteve e koncepteve muzikore;

Dëgjimi dhe përjetimi i muzikës të jetë veprimtari themelore dhe e vazhdueshme për formimin dhe edukimin e shijes së mirë muzikore

Këndimi koral të jetë pjesë e pandashme e mësimit të muzikës në shkollë

Mësimdhënësi të jetë nxitës dhe inkurajues i aftësive krijuese të nxënësve

Vetë fakti se të gjitha këto elemente janë pjesë e filozofisë së edukimit muzikor të reflektuar në dokumentet kurrikulare të Kosovës të zbatuara në shkollat e Kosovës, edhe tani pas ndryshimeve të bëra në vitin 2001 dhe 2011, tregon sa fuqishëm ka lënë gjurmë mendimi i saj metodik për mësimdhënien e muzikës ngase edhe në ditët e sotme këto parime udhëheqin idenë për organizimin e edukimit muzikor në Kosovë.

Në Kurrikulën e re të Edukimit artistik, përfshirë Edukimin muzikor përcaktohen, 4 dimensionet të cilat duhet të zhvillohen përgjatë gjithë vertikales së edukimit muzikor

Performanca Artistike dhe Krijimi

Gjuha dhe Komunikimi Artistik

Muzika dhe Shoqëria

Çmuarja dhe vlerësimi artistik

Opusi krijues e studimor në disa kategori kryesore

Studimet mbi teorinë dhe praktikën e mësimdhënies muzikore në shkollimin e përgjithshëm;

“Zhvillimi muzikor i fëmijës” – tema e magjistraturës, e mbrojtur në Fakultetin e Artit muzikor në Beograd, më 1980.

“Gjendja dhe problemet e shkollimit muzikor në Kosovë” (koautor prof. E.Berisha)

Hartimin e planeve dhe programeve mësimore për edukimin muzikor në nivele të ndryshme të shkollimit të përgjithshëm dhe atij muzikor;

- Kompleks trajtimesh dhe vështrimesh profesionale për programet mësimore në periudhën e njohur të “bërthamave të përbashkëta”

- Plan-programet Mësimore të Edukatës Muzikore për shkollën fillore dhe të mesme, Enti Pedagogjik i Kosovës, Prishtinë 1990,

- Plan-programet Mësimore për shkollën fillore dhe të mesme të muzikës, Enti Pedagogjik i Kosovës, Prishtinë 1992,

- Plan-programet Mësimore të Edukimit Muzikor për shkollën fillore dhe të mesme, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, 2000-2005.

- Plan-programet Mësimore të Studimeve të Muzikës sipas Reformës së Bolonjës, (2001).

Hartimin e teksteve shkollore dhe vështrimin profesional (recensimin) e shumë dorëshkrimeve dhe librave të botuar;

- “Edukata muzikore – Doracak metodik i mësimit muzikor (për mësimdhënës dhe studentë)”, ETMM të Kosovës 1976

- “Gëzimi ynë’ Tekst metodik për entet parashkollore (koautor Prof.S.Gjinali) ETMM të Kosovës, Prishtinë 1980.

- Kaseta didaktike “dëgjimi i muzikës” për shkollën fillore dhe të mesme PGP Beograd, 1982.

- “Kultura muzikore” – libër i kl. VII dhe VIII të shk. fillore (koautor Prof.Z.Ballata), ETMM të Kosovës, Prishtinë 1988

- “Edukata Muzikore” – libër për kl. VII dhe VIII të shk.fillore (koautor prof.Z.Ballata), Libri Shkollor, Prishtinë 1997

- “Edukatë muzikore” – libër i kl.VII të shk. fillore, Libri Shkollor, Prishtinë 2004,

- “Edukata Muzikore” – libër për kl. IX të Shkollës së mesme të ulët, (koautor Prof.B. Jashari dhe Prof. B. Luzha), Libri Shkollor, Prishtinë, 2006.

- “Metodika e Mësimit të Muzikës”, tekst universitar, Libri Shkollor, Prishtinë 2009.

- “Muzika dhe Edukimi” (Studime-analiza-përsiatje 1966-2012), Libri Shkollor. Prishtinë, 2012.

Vështrimet dhe studimet profesionale e kërkimore për çështjet e ndryshme nga fusha e mësimdhënies së muzikës

Kryesisht të botuara në harkun kohor 1960 – 2009 në revistat profesionale-shkencore ekzistuese të kohës si: “Flaka e Vëllazërimit”, “Fjala”, “Shkëndija”, “Bujku”, “Gjurmime albanologjike”, “Çevren”, “Prosveten rabotnik”, “Veçer”, “Revista jubilare e SHLP”, por edhe shkrime në gazetat “Koha Ditore”, “Bujku”, “Rilindja” etj.

- Testi në mësimdhënien muzikore, “Shkëndija”, 1973;

- Muzikaliteti i nxënësve, “Shkëndija”, (1974)

- Kultura e dëgjimeve muzikore, “Shkëndija” (1975)

- Ndikimet muzikore në familje, “Shkëndija” (1979)

- Disa çështje të edukimit dhe arsimimit muzikor, “Shkëndija”, (1982)

- “Mbi bërthamën e përbashkët programore të edukatës muzikore, “Rilindja”, (1983 )

- Krijimtaria muzikore në procesin edukativo-arsimor, “Rilindja”, (1983)

- Për disa aspekte të përmbajtjes së përbashkët programore të edukatës muzikore, “Shkëndija” (1984)

- Struktura e plan-programit të ri të kulturës muzikore, “Fjala” (1985)

- Disa forma të punës muzikore-krijuese, “Shkëndija”, (1987)

- Çështje aktuale të arsimit tonë muzikor, “Bujku” (1998)

- “Edukimi muzikor, problemet dhe reforma”, “Koha Ditore” (2001) etj.

Kumtesa shkencore dhe profesionale në tubime dhe kongrese

- Kongresi I Ndërkombëtar i Folklorit, Stamboll, 1975, kumtesa ‘Këngë të fëmijëve në gjuhën shqipe, turke, serbe, maqedonase’.

- Kongresi VII i Pedagogëve të Muzikës të ish Jugosllavisë, Sarajevë, 1984, kumtesa: - -

- “Kultura muzikore e kombeve dhe kombësive – faktor i barazisë së procesit edukativ-muzikor”.

- Sesioni Shkencor i Institutit Albanologjik, Prishtinë 1979, kumtesa: “Shfrytëzimi i folklorit në edukatën muzikore” botuar në “Gjurmime albanologjike”, 1979.

- Konferenca Republikane – Krahinore e Enteve për Përparimin e Arsimit dhe Edukimit, Novi Sad 1982, kumtesa: “Zhvillimi muzikor i fëmijës parashkollor”.

Fedemus, Llapovë 1982, kumtesa: “Disa forma të punës muzikore-krijuese të nxënësve”.

- Tribunat Muzikologjike të DMK – Gjakovë; 1983, 1984, 1985, 1986 me kumtesat: “Krijimtaria muzikore në procesin e mësimdhënies”, “Kënga revolucionare në edukimin muzikor”, “Struktura e plan-programit të ri të lëndës Kultura Muzikore”, “Formimi i shijes muzikore”.

- Këshillimi në Shoqatën e Pedagogëve Muzikorë të ish Jugosllavisë, Dubrovnik, 1984, kumtesa; “Për disa aspekte të përmbajtjes së përbashkët programore të edukatës muzikore” (Bërthamat e përbashkëta).

Vështrimet filozofike për dimensionet estetike të artit muzikor

- “Mbresat muzikore nxisin kreativitetin e fëmijëve”, “Shkëndija” nr.5-6, (1975);

- “Formimi i shijes muzikore”, ‘Fjala’ 1986;

- “Mbi interpretimin muzikor”, ‘Fjala’ 1987;

- “Këndim koral – fondament i kulturës muzikore”, ‘Rilindja’ 1984;

Të rëndësishme dhe me vlerë të veçantë për trajtim e studim është edhe një numër i këngëve shkollore e korale për fëmijë për nevojat praktike shkollore. Ndonëse S.Spahiu personalisht në disa raste shprehet se ajo pjesë e punës krijuese është minore në krahasim me vëllimin dominant krijues të cekur më lart, megjithatë, duke ditur se krijimi i këngëve të mirëfillta me vlerë artistike dhe edukative për fëmijë është një dimension i posaçëm krijues i pastudiuar sa duhet në trevat tona, mund të konsiderojmë se ai opus është një bazë e mirë, një pikë reference për ta trajtuar edhe këtë çështje me rëndësi në krijimtarinë muzikore shqiptare në përgjithësi.

Shtysat profesionale e shtynë atë që të marrë edhe poste profesionale dhe me përgjegjësi nga ku përpiqej të gjente zgjidhje për problemet që i trajtonte në vështrimet dhe studimet e saj. Edhe në këto angazhime kërkohet profesionalizëm, guxim dhe kreativitet për të cilin ajo edhe u shpërblye me shumë mirënjohje e falënderime institucionale.

- Prodekane e Fakultetit të Arteve – DAM, 1983 – 1985

- Redaktore profesionale - Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës 1970 – 2001,

- Këshilltare profesionale – Enti Pedagogjik i Kosovës 1981-1990.

- Kryetare e Komisionit për hartimin e Plan-programeve Mësimore të shkollës fillore dhe të mesme 1981-1991.

- Kryetare e Shoqatës së pedagogëve të muzikës të Kosovës 1981-1983.

- Anëtare e Pleqësisë së Fakultetit të Arteve 1978-1980, 1985-1987.

- Anëtare e Pleqësisë së Universitetit të Kosovës 1980-1983.

- Anëtare e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës 1970 -.

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes asaj (2016) iu nda edhe Çmimi për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës, pikërisht për kontributin e saj të shquar në fushën e edukimit muzikor dhe promovimit të muzikës e kulturës shqiptare. Me këtë çmim, shoqëria iu falënderua prof. Seniha Spahiut për një jetë të tërë të saj kushtuar edukimit muzikor në Kosovë por edhe promovimit të vlerave të mirëfillta të kulturës muzikore kombëtare.

E thënë më fjalët e saj: “Muzika popullore është gurrë e pashtershme e shpirtit artistik të popullit. Prandaj muzika artistike(serioze) asnjëherë nuk ka pushuar së shfrytëzuari këtë begati. Kompozitori i mirëfilltë ndien një apel shpirtëror që asnjëherë të mos shkëputet nga tabani i autoktonisë folklorike...”

Kjo qasje e Seniha Spahiut dëshmon personalitetin e saj, përkushtimin dhe vizionin e saj largpamës për zhvillimet ndaj artit muzikor dhe kulturës kombëtare në përgjithësi. Dashuria për muzikën dhe përkushtimi ndaj mësimdhënies apo edukimit muzikor e përshkojnë si një lajtmotiv i ndritshëm punën e saj profesionale si në mësimdhënie ashtu edhe në shkrimet, studimet dhe vrojtimet e saj profesionale e shkencore.

Përmbledhja e gjithë këtij opusi krijues të gjerë dhe të larmishëm, i shoqëruar me një vështrim edhe më të thelluar dhe analitik e kritik sipas kritereve që ajo i ka përdorur në punimet e saj, u kurorëzua së fundi me një projekt serioz me të vetmin synim që të jetë i qasshëm nga të gjithë të interesuarit , studiuesit e rinj që për të hulumtuar në fushën e pedagogjisë muzikore do të kenë në dispozicion të gjithë këtë thesar krijimesh që ende janë burimi dhe literatura e vetme ekzistuese për këto çështje në gjuhën shqipe në Kosovë e pothuajse edhe në Shqipëri, duke botuar të gjitha këto në veprën e saj “Muzika dhe Edukimi” (Studime, analiza, përsiatje 1966-2012) botuar nga Libri Shkollor 2016.

Prof. Seniha Spahiu ndjeu nevojën për të kontribuar duke biseduar për kahet e zhvillimit të edukimit dhe të kulturës muzikore në Kosovë edhe në vitet e fundit të jetë s së saj.

Trashëgimia që ajo la pas, thesari i saj i krijimeve shkencore-profesionale, është ofruar nga ajo me zemër në dispozicion për të gjithë studiuesit e rinj në këtë fushë studimi.

Do ta përkujtojmë gjithmonë përmes kësaj trashëgimie dhe do të përpiqemi të vazhdojmë punën e saj, në nderim të saj.

Ky tekst është ribotim i vështrimit retrospektiv mbi veprimtarinë krijuese pedagogjike e shkencore të prof. Seniha Spahiut. Fusnotat janë hequr nga redaksia