Regjisori i njohur boshnjak, Denis Tanoviq, fitues i çmimit “Oscar”, me “Deset u pola” vjen në një zhanër krejt tjetër. Është një rrëfim që ai e zhvendos në rrugët e Sarajevës së tij, në qebaptore dhe kësisoj ia bën një himn vendlindjes, por edhe traditës. Sjell atmosferën tipike të Çarshisë, me garën se kush e bën qebapin më të mirë
“Deset u pola” sjell para publikut Sarajevën, jetën e përditshme të këtij qyteti dhe lidhjen e pandashme me qebapin, simbolin e kulinarisë së këtij qyteti. Pas shumë filmave dramatikë e me ngjarje nga lufta, regjisori i njohur boshnjak, Danis Tanoviq, së fundi ka vendosur ta sprovojë veten edhe në zhanrin e komedisë dhe këtë e ka bërë me “Deset u pola”, që është një shprehje për dhjetë qebapë në gjysmë samuni. Me këtë shije ka ardhur edhe në Prishtinë. U shfaq të shtunën në “Kino Armata” dhe është në konkurrencë zyrtare në edicionin e 14-të të “PriFestit”.
Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar rënien ekonomike të qebaptorëve sarajevase. Dy miqtë Enes (Branko Gjuriq) dhe Izet (Izudin Bajroviq) takohen çdo ditë në kafe për të folur rreth halleve të tyre. Por teksa Enesi është i interesuar vetëm se si të pasurohet edhe më shumë, Izeti është ithtar i një jete të qetë dhe një pleqërie në paqe. Gjëja që e preokupon më së shumti është që vajza e tij ta marrë në menaxhim qebaptoren e tij, të martohet dhe ta bëjë me nipër e mbesa.
Por gjithçka ndryshon kur në qytet vjen blogerja e njohur kroate, promotorë e kulinarisë Gordana Matiq (Anja Matkoviq), e cila pasi shkon ta vizitojë dyqanin e Izetit i bën një reklamë e cila atij i sjell vizitorë të shumtë. Me lokalin e zbrazur, kreditë e shumta dhe xhelozinë për mikun e tij, Enesi bën thirrje për organizimin e një konkursi ku do të zgjidhet mjeshtri më i mirë i qebapëve.
E tërë kjo ngjarje zhvillohet si një binom midis Enesit dhe Izetit dhe midis dy fëmijëve të tyre, vajzës së Izetit, Lanës (Helena Vukoviq) dhe të dashurit të saj, djalit të Enesit, Orhanit (Kerim Cutuna). Lufta se kush e bën qebapin më të mirë ofron momentet komike dhe në sallë shpesh dëgjohen të qeshurat e publikut. Për ironi burrat e fshatit përfundojnë me penj në kokë nga rrahjet e shkaktuara nga mosmarrëveshjet për qebapin. Ato i ngjajnë mosmarrëveshjeve midis komshinjve të një lagjeje ku secilit i duket se është më i miri e më i drejtë. Në anën tjetër, fytyra serioze e kamerierit (Goran Navojec), i cili para se të shërbejë, dezinfekton gjithçka, sjell për publikun një kontrast qesharak.
Qebapi më i mirë është ai që për pak shkakton prishjen e një miqësie të vjetër dhe një lidhjeje të re dashurie. Nëpërmjet “Deset u pola” Tanoviq krijon himnin e qebapit sarajevas. Pas këtij filmi, skenave të qebapëve që sillen në zgarë, secili në publik mbetet i uritur dhe me një dëshirë të madhe për t’u ulur dhe për të porositur një dhjetëshe.
Në fund, nëpërmjet personazhit të Lanës, e cila vendos që të mos kthehet në Gjermani, regjisori Tanoviq sikur jep një mesazh për dashurinë ndaj vendit dhe kulturës së tij.
Se Tanoviq ka krijuar një himn për qytetin e tij e thotë edhe regjisori i njohur shqiptar, Eno Milkani.
“Filmi është një rrëfim për qytetin e tij. Ashtu si Sorentino bëri për Napolin, Tanoviqi bën për Sarajevën. Shumë i këndshëm. Sigurisht pas këtij filmi gjëja e parë që do të bëj është të shkoj në Sarajevë dhe të ha qebapë”, përfundoi ai me të qeshura.
Një film i tillë, i këndshëm që rrëfente përditshmërinë sarajevase pa ndonjë komplikim a filozofi të thellë, i kishte lënë përshtypje edhe Jelena Filipoviqit nga Mali i Zi.
“Më pëlqeu shumë filmi sepse më në fund pamë një film që nuk flet për luftën në Ballkan. Ndoshta nuk ishte një komedi e vërtetë, por kishte disa momente qesharake dhe në përgjithësi më pëlqeu”, ka thënë ajo.
Me një buxhet shumë të vogël, “Deset u pola” u realizua gjatë periudhës së pandemisë, në vitin 2021. Premierën e pati në gusht të po atij viti, ku bëri edhe hapjen e Festivalit të Filmit në Sarajevë.
i njohur britanik “Screen Daily” për “Deset u pola” pas premierës botërore do të shkruante se ai mbetet film i konsumit vendor dhe jo edhe aq interesant.
“Dy dekada pas marrjes së çmimit ‘Oscar’ me ‘No Man’s Land’, regjisori dhe skenaristi boshnjak, Danis Tanoviq sjell një dramë me elemente të një komedie të lehtë, të përshtatshme për konsum shtëpiak me ‘Deset u pola’, një grindje lagjeje jo edhe aq interesante mes shitësve te ushqimit të shpejtë në rrugët e pjerrëta e me kalldrëm të qytetit të vjetër piktoresk të Sarajevës”, thuhet në kritikën e “Screen Daily”.
Ndërkaq “East Europian Film Buletin” (EEFB) këtë film e kishte cilësuar si të këndshëm dhe si një prodhim që publiku do ta presë ta shohë me shumë gëzim, kur të ketë përfunduar pandemia.
“Filmi i lidh personazhet skematike në një histori konflikti dhe pajtimi, duke i dhënë audiencës atë që ata me sa duket duan – një histori e lehtë, komike që njerëzit do të presin me padurim ta shohin kur të përfundojë pandemia”, ka vlerësuar EEFB- ja.
Danis Tanoviq është regjisor, skenarist dhe producent boshnjak. Ai njihet më së shumti si regjisori dhe skenaristi i filmit, “No Man's Land”, (2001) i cili u shpërblye me disa çmime, përfshirë një çmim “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj (2002), një çmim “Golden Globe” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj (2002). Mori Çmimin për skenarin më të mirë në Festivalin e Filmit në Cannes (2001) dhe Skenarin më të mirë në Akademinë Evropiane të Filmit.
Tanoviqi është autori edhe i filmave “An Episode in the Life of an Iron Picker” dhe “Death in Sarajevo”, të cilët janë shpërblyer me disa çmime. Ai konsiderohet si një nga regjisorët dhe skenaristët më të mirë boshnjakë të të gjitha kohërave dhe gjithashtu, një nga më të mirët e Evropës Juglindore.
Tanoviqi është regjisori i vetëm, i lindur në Bosnjë-Hercegovinën e sotme që ka fituar një çmim “Oscar”.