Shtojca për Kulturë

Irene Papas më 1969: “Aktrimi është mësim”

“Sa më i pjekur të bëhesh, aq më pak dëshiron të mësosh. Dhe aktrimi është mësim. Unë pretendoj se aktroj, sepse kam nevojë për të ngrënë. Unë qaj dhe ha. Por pse duhet të ha, thjesht sepse qaj mirë? Duhet të ha se jam e uritur. Por kjo është kaq e vështirë në këtë botë. Ne jetojmë të rrethuar nga mallra të konsumit, nga artefakte. Në qytete jemi viktima të sasisë së mallit që duhet të transferohet”, kishte thënë më 1969 Irene Papas, ikona e filmit e cila vdiq të mërkurën e 14 shtatorit në moshën 96-vjeçare

Londër, 13 qershor, 1969 – Në dosjet e “The Sun-Times” gjendet një fotografi e Irene Papas, e bërë në kohën kur kishte ardhur në Hollywood në vitin 1950. Është një foto tipike publicistike, një nudo e modifikuar; ajo është ulur në një trung me këmbët e saj të kryqëzuara dhe fletushka thotë diçka për një yll grek që vjen për të luajtur me James Cagney.

Publiciteti i filmit është jashtëzakonisht i parëndësishëm, por kjo foto është prej atyre që fitojnë çmime. Të imagjinosh se Irene Papas do të përshkruhet ndonjëherë si një “yllth” është mjaft e egër; ta imagjinosh atë si një subjekt për nudo do të thotë të përcaktosh, në një farë mënyre, se çfarë përmasash dëshpërimi kishte mbërritur Hollywoodi teksa dominonte TV-të e viteve ‘50. Ose e thënë ndryshe: ka shumë vajza të bukura në filma, por jo shumë gra. Irene Papas është një grua, një zonjë, një aktore e shkëlqyer. Nuk kemi shumë si ajo. Ndoshta kjo është arsyeja pse ajo nuk shfaqet në shumë filma; aktorët e zakonshëm e kanë problem të ndajnë ekranin me të. John Wayne ka diçka të së njëjtës cilësi. Shumë aktorë të rinj nuk e kanë autoritetin dhe prezencën për të luajtur përballë tij. Ata priren të bëhen të padukshëm.

Zonja Papas ka të tjera probleme: cilësitë e saj të larta përjashtojnë shumë aktorë të roleve kryesore, theksi i saj përjashton shumë role, dhe bukuria e saj e pazakontë nuk është ajo me të cilin aktoret pëlqejnë të konkurrojnë. Megjithatë, ajo ka marrë pjesë në mjaft filma duke krijuar kështu diçka si një kult. Ajo ishte e veja në “Zorba the Greek” dhe luftëtarja guerile në “The Guns od Navarone” dhe triumfoi në dy role kryesore klasike, “Elektra” dhe “Antigona”. Së fundmi ajo ishte gruaja e Kirk Douglas në “The Brotherhood”, dhe tani ajo luan Katherine, gruaja e Henry VIII, përballë Richard Burton në “Anne of the thousand Days”.

Ajo sapo kishte ardhur për të provuar kostumet javën e kaluar, dhe ajo vizitoi setin për të parë Burton dhe Genevieve Bujold (si Anne) duke luajtur skenën në të cilën ai pranon ta vrasë Katherine.

“Jo shumë inkurajuese, apo jo?”, tha ajo. “Por unë preferoj Anne mbi Katherinën, e cila është po e njëjta. Katherine tashmë kishte 20 vjet të Henryt. Pse të mos i lejohet një gruaje tjetër një mundësi?”. Ajo buzëqeshi. “Por mos më citoni, sepse anglezët e adhurojnë mbretëreshën e tyre të vuajtur Katherine”.

Ajo pa Burton për një moment. “E dini”, tha ajo, “një herë kam bërë një audicion për një pjesë përballë tij në ‘Aleksandri i Madh’. Por nuk e kuptova, nuk e kuptoj kurrë, kur bëj audicion, nuk më pëlqen mendimi se po gjykohem”.

Ajo përshëndeti Burtonin dhe zonjushën Bujold; u prezantua me Charles Jarrott, regjisorin e ri kanadez; i dha përshëndetje Liza Toddit, vajzës së Elizabeth Taylor, e cila po vizitonte grupin, dhe më pas ishte koha për drekë në komisariatin e “Shepperton Studios”. Ajo porositi një pjatë salmon dhe një shishe me ujë mineral: “Diçka e thjeshtë. Stomaku im ka qenë pak i shqetësuar sot”.

Ajo jeton në hotele këto ditë. Ashtu si Melina Mercouri, ajo refuzon të kthehet në Greqi derisa të përmbyset junta ushtarake.

“Ne nuk jemi gjë tjetër veçse një koloni amerikane”, tha ajo. “Ne importojmë çamçakëzë dhe makina, libra, incizime dhe kulturë. Nuk është çudi që amerikanët nuk kanë bërë asgjë kundër juntës. Ata drejtojnë vendin. Çfarë është Onassis? Asgjë”.

“E, megjithatë, kush jam unë për të folur? Unë bëj filma dhe prej nga vijnë paratë për t’i bërë ata? Ndonjëherë mendoj se thjesht më duhet ta ndaloj aktrimin. Një person duhet të ndryshojë profesionin herë pas here. Unë vazhdoj të përsëris të njëjtat aftësi të mia film pas filmi. Mendja ime është aq e thellë në të qeshura dhe lot. “Pse të bësh ndonjë gjë, për këtë çështje? Sa më i pjekur të bëhesh, aq më pak dëshiron të mësosh. Dhe aktrimi është mësim. Unë pretendoj se aktroj, sepse kam nevojë për të ngrënë. Unë qaj dhe ha. Por pse duhet të ha, thjesht sepse qaj mirë? Duhet të ha, se jam e uritur. Por kjo është kaq e vështirë në këtë botë. Ne jetojmë të rrethuar nga mallra të konsumit, nga artefakte. Në qytete jemi viktima të sasisë së mallit që duhet të transferohet. Pasi zbuluan lavatriçen, të gjithëve duhej t'u jepej një. Përndryshe, cili është përfitimi? Për të fituar para?”.

“Platoni bëri gabimin e parë. Ai filloi të flasë për shpirtin dhe moralin dhe i pengoi epikurianët të kërkonin natyrën e njeriut. Kështu Platoni e vonoi revolucionin shkencor dhe teknologjik për 3000 vjet...”.

Pikërisht atëherë Hayley Mills hyri në dhomën e ngrënies. Papas e përshëndeti ngrohtësisht. “Isha në një foto me të, ‘The Moon Spinners’. Nuk ju kujtohet? Ah, mirë, unë bëj një pjesë të mirë: nuk jam shumë krenare, por ata paguajnë mirë”.

Ajo foli për “A Dream of Kings”, filmi i bazuar në romanin e Harry Mark Petrakis për komunitetin grek të Chicagos, në të cilin ajo luan përballë Anthony Quinn. “Unë nuk mendoj se zotit Petrakis do t’i pëlqejë performanca ime”, tha ajo. “Kam dëgjuar se ai më donte për rolin, por nuk e di nëse do t’i pëlqejë ajo që bëra. Filmi ndryshon shumë nga libri. Por ndoshta kjo ishte për të mirë: ndonjëherë nuk mund të bësh një film që i qëndron besnik një libri. Mund të jesh besnik ndaj librit vetëm duke e ndryshuar...”.

“Sa për veten time, thjesht kam ndjekur udhëzimet e regjisorit. Për të luajtur skenën ashtu siç dua unë, do të duhej të isha vetë regjisori. Por nëse nuk jam regjisor, atëherë ndjek regjisorin. Si ndryshe?”. “Kjo është arsyeja pse ndonjëherë mendoj se do ta lë aktrimin dhe do të bëj diçka që më përfshin më shumë mua. Unë shkruaj ndonjëherë poezi; në fakt, kisha një poezi të botuar jo shumë kohë më parë në ‘Saturday Review’. Por zakonisht poezitë i shkruaj vetëm për vete kur jam në vështirësi, ato janë si loti”.

Ajo mbaroi drekën e saj, porositi një portokall për ëmbëlsirë dhe e qëroi me gishta: “Si në Marok. Më pëlqeu shumë të vizitoja atje, sepse ata janë shumë të civilizuar për të ngrënë. Ata thjesht i lajnë duart dhe i përdorin për të ngrënë, ata kanë tenxhere të mëdha, dhe ju zhyteni, dhe ata kanë byrekë të bërë me mish, bajame dhe sheqer...të lezetshëm”.

Kishte ardhur gati koha që ajo të vazhdonte me veshjet e kostumeve. “Dhe kështu unë do të shkoj dhe do të luaj mbretëreshën e dashur”, tha ajo. “A e keni parë atë filmin 'I Am Curious (Yellow)? Jo?”. E pashë dhe më pëlqeu tepër.

Të gjithë ishin kaq të emocionuar, por për arsye të gabuara. Ajo që më pëlqeu ishte se seksi është një pjesë e vërtetë e filmit, dhe jo diçka pornografike që thjesht u shtua në mënyrë të ngathët.

“Dhe vajza në film, aktorja. Ajo ishte shumë e natyrshme. Ajo kishte një bark, figura e saj nuk ishte aq e mirë. Dhe kur e shohim këtë film ne e dimë që jo vetëm yjet e filmave bëjnë dashuri. Edhe njerëzit e tjerë bëjnë dashuri. Të gjithë bëjnë dashuri...”. Një lajmëtar erdhi për ta thirrur atë në takim dhe ajo u largua me nxitim. Pak më vonë ajo u kthye duke qeshur, dhe mori diçka nga karrigia e saj: “A mund ta besoni? Unë isha ulur në skenarin tim”.

Marrë nga rogerebert.com. Përktheu: Mirjetë Sadiku