Shtojca për Kulturë

“DokuFest” shpërblen filmat që shpërfaqin fuqinë për mbijetesë

DokuFest

Historia e fabrikës së prodhimit të veglave të punës e shpërfaqur në dokumentarin “Factory to the workers”, nën regji të kroatit Sërgjan Kovaçeviq, ka triumfuar në “DokuFest”. Ka fituar çmimin kryesor, atë për dokumentarin më të mirë në kategorinë “Balkan Dox”. Rrëfimi që shpaloset bashkë me krejt atë që del në sipërfaqe i shkon fort edhe temës së sivjetme të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të shkurtër “DokuFest”, “How to survive?”. Pyetja që Festivali ka shtruar për nëntë ditë është trajtuar me filma, punëtori, diskutime e shumë ngjarje të tjera. Ishin 109 filma nga 58 shtete që u shfaqën në 8 kategori garuese. E të shtunën mbrëma në “Kino Lumbardhi” janë ndarë çmimet e edicionit të 21-të

Është një prej atyre ndërmarrjeve që kur socializmi ka marrë tatëpjetën edhe kjo kompani është lëkundur fort. Por për dallim prej shumë të tjerave, punonjësit e saj nuk kanë hequr dorë. E kanë “pushtuar” atë për ta mbajtur gjallë, gjë që nuk ka ngjarë me të tjerat në Kroaci e as në vendet përreth kur kapitalizmi ia behu në këtë anë të Evropës.

E historia e fabrikës së prodhimit të veglave të punës e shpërfaqur në dokumentarin “Factory to the workers”, nën regji të kroatit Sërgjan Kovaçeviq, ka triumfuar në “DokuFest”. Ka fituar çmimin kryesor, atë për dokumentarin më të mirë në kategorinë “Balkan Dox”. Rrëfimi që shpaloset bashkë me krejt atë që del në sipërfaqe i shkon fort edhe temës së sivjetme të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të shkurtër “DokuFest”, “How to survive?”. Pyetja që Festivali ka shtruar për nëntë ditë është trajtuar me filma, punëtori, diskutime e shumë ngjarje të tjera. Ishin 109 filma nga 58 shtete që u shfaqën në 8 kategori garuese. E të shtunën mbrëma në “Kino Lumbardhi” edhe janë ndarë çmimet e edicionit të 21-të.

Utopia si pikë bashkuese

Në ambientin e jashtëm të kinemasë më të veçantë jo veç në vend ka nisur edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve. Por mysafirëve u është dashur të futeshin brenda shkaku i reshjeve të shiut. Festivali që tashmë është shndërruar në promotor të jashtëzakonshëm të kinematografisë në Kosovë ka zgjedhur që sivjet të shpërblejë rrëfimet e mbijetesës si tema bosht.

Juria në përbërje të italianit Alessandro Stellino, sllovenes Marija Zidar dhe turkes Melis Behlil ka vendosur që në konkurrencë mes 17 dokumentarësh në “Balkan Dox”, çmimin t’ia japë “Factory to the workers”, nën regji të kroatit Sërgjan Kovaçeviq. Dokumentari prej 105 minutash nxjerr në pah sesi fabrika e pushtuar nga punëtorët kthehet në shembullin e vetëm të suksesshëm të pushtimit të fabrikës në Evropën postsocialiste. Dhjetë vjet pas kësaj kthese revolucionare, punonjësi rebel që qëndron pas okupimit tani përpiqet të parandalojë një mbyllje të prodhimit. Qëndrueshmëria varet nga sakrificat e punëtorëve që mbrojnë jetesën e tyre nga kërcënimet e një ekonomie të pamëshirshme. Për 5 vjet regjisori Kovaçeviq ka ndjekur historinë e brendshme të njerëzve që luftojnë për të mbajtur në funksion fabrikën dikur prestigjioze. Një dekadë më vonë pyetja që mbetet ende pa përgjigje është: a mund të mbahet gjallë slogani “Fabrika për punëtorët”, apo është thjesht një ëndërr utopike.

Upetopia është emërues i përbashkët edhe i projekteve të tjera kinematografike që kanë fituar çmime në këtë edicion, që pas dy vjetësh pandemi e ka bërë Prizrenin të frymojë ndryshe. Çmimi i distribuimit i është ndarë filmit “Shpija”, nën regji të Flaka Kokollit, ai i publikut ka shkuar për “Love, Deutschmarks & Death”, nën regji të Cem Kaya, Çmimi i kategorisë kombëtare është ndarë për “Ka me kalu”, nën regji të Flonja Kodhelit. Filmi më i mirë i shkurtër ndërkombëtar është vlerësuar “Will my parents come to see me”, nën regji të Mo Harawe. Në kategorinë “Green Dox” ka fituar “Foragers”, nën regji të Jumana Manna, në “Human Rights Dox” ka triumfuar “Myanmar Diaries”, nën regji të “Myanmar Film Collective”; te “Truth Dox” juria ka vlerësuar dokumentarin “The killing of a journalist” të Matt Sarnecki, kurse për dokumentar të shkurtër Çmimi i është ndarë projektit “Haulout”, nën regji të Evgenia Arbugaeva dhe Maxim Arbugaev. Juria ka vendosur që në “International feature dox” për sivjet fitues të jetë “Dry Ground Burning”, nën regji të Adirley Queiros dhe Joana Pimenta.

Me mirënjohje speciale janë vlerësuar “I am trying to remember”, “The Eclipse” dhe “Love and revenge”. Ndërsa kandidati i “DokuFestit” për EFA është vendosur të jetë “Memoir of a veering storm”.

Te kategoria kombëtare filmi “Ka me kalu” është vlerësuar për realizimin dhe historinë që shpalos. Regjisorja nga Shqipëria, Flonja Kodheli, është edhe aktore e filmit në rolin e Stelës, vajzës së Marisë (Ilire Vinca).

Stela nga Shqipëria kthehet në shtëpi për të marrë pjesë në varrimin e gjyshes së saj. Rishfaqjet e traumave nga e kaluara e pushtojnë jetën e saj. Vajza Stela kupton se nënën e saj, Marinë, e mundon më shumë frika sesa mërzia. Sjelljet e saj janë absurde dhe parajonake. Pavarësisht kësaj, Stela e mbështet nënën e saj me të gjitha format.

Maria dyshon në çdo njeri përreth saj. Konsideron se vdekja e saj nuk ka qenë nga pleqëria e saj, por nga helmimi që, sipas saj, i është bërë nga dikush i rrethit të saj në spitalin ku po qëndronte. “Ka me kalu” është mbështetje për nënën, si ngushëllim i Stelës, që as vetë ajo nuk e di nëse do të kalojë dhimbja.

Pikëpyetjet për të ardhmen

Regjisorja Flonja Kodheli ka thënë se filmi ka të bëjë me akumulim eksperiencash që i kemi pasur apo i kemi të gjithë. Synim i saj ka qenë paraqitja e traumave që nuk shihen, por që klithim kur jemi të dobët. “Vdekja e nënës ka krijuar shok emocional nga edhe vijnë momente të çuditshme që janë pasojë e gjendjes emocionale. Ideja për titullin ishte, sepse është një moment në film ku vajza e rrethon nënën me dashuri, plot empati e një lloj naiviteti dhe e siguron se do të kalojë”, ka thënë Kodheli.

Për katër ditë radhazi, nga 8 deri 11 gusht, me terminë nga ora 20:00, plateja e “Doku Kinos” ka qenë e rezervuar për premierat e filmave të shkurtër nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Të mbështetur në temën “How to Survive?” këta filma, pos tematikave të tjera, kanë tërhequr edhe paralelen për mbijetesë ndaj fashizmit, dhunës, paragjykimeve, ndotjes, shkatërrimit e vrasjeve.

Edicioni magjik

Me pyetjen e fuqishme “How to survive?”, në ceremoninë hapëse, “DokuFesti” i kishte ndezur projektorët në tetë kinema gjithsej. Edicioni i 21-të, sipas organizatorëve, ka qenë magjik. Tema e Festivalit ka qenë matje për pulsin e mbijetesës në kohë të turbullta, por po këtë pyetje ia kishte shtruar edhe vetvetes duke pasur një arsye për këtë. Maratona nëntëditore filmike kishte filluar me mbrëmjen e 5 gushtit, kur i kishte hapur rrugë shfaqjes së filmave. Temat e filmave kanë qenë si paralajmërim e si dëshmi për fuqinë e artit kinematografik në betejën për mbijetesë.

Nëpërmjet bisedave dhe debateve janë kërkuar përgjigje për pyetjen ekzistenciale. Ndërkohë, Festivali sivjet është kthyer krejtësisht në formën tradicionale. Për fëmijët janë shfaqur filma kryesisht të animuar përmes programit “DokuKids”. Nuk kanë munguar as ekspozitat që u kontribuojnë marrëdhënieve midis shqiptarëve, serbëve e maqedonasve. Ekspozitat “Performing Democracy” dhe “How do i See You” kanë qenë instalacione me videoincizime me grupe qytetarësh e organizatash sesi e shohin demokracinë, të cilat kanë synuar të kontribuojnë në fuqizimin e të rinjve në tri shtete fqinje.

Ashtu siç kishin paralajmëruar organizatorët, dy ditë para nisjes së Festivalit se edicioni i 21-të do të jetë i jashtëzakonshëm, ashtu ka vijuar edhe rrjedha e tij. Përveç filmave, ditët e Festivalit kanë qenë të pasura edhe me punëtori, programe të veçanta, diskutime e mbrëmje muzikore.

“How to survive?” nuk ka qenë vetëm pyetje-temë për mbijetesën ndaj kushteve klimatike, luftës, dhunës, fashizmit e për ekzistencë. Ka qenë edhe pyetje për mbijetesën e Festivalit përballë përkrahjes nga institucionet.