Shtojca për Kulturë

Trupi në lëvizje edhe nëpër historinë e Bibliotekës

Tashmë shumica e institucioneve kulturore, dhe jo vetëm, kanë marrë pamje tjetër e kjo për shkak të aktiviteteve të shumta që “Manifesta 14” sjell në kryeqytet. Në kuadër të kësaj Bienaleje Nomade, në katin e dytë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës janë vendosur edhe ca karrige e qilima. Në këtë hapësirë artistja Yael Davids ka mbajtur ligjëratë, ku përveç aplikimit të metodës së Feldenkraisit, ka treguar edhe për historinë e kësaj Biblioteke.

“Unë isha e ftuar nga ‘Manifesta’ dhe gjëja e parë që bëra, vizitova Bibliotekën. Poshtë në bodrum, ata kishin një koleksion të veçantë librash, që ishte në gjendje mjaft të keqe dhe unë kërkoja libra me të cilët mund të punoja. Ideja ishte të punoja me libra dhe të fokusoheshim në rrëfim. Shumë nga këto libra ishin në arabisht, greqisht, në serbisht dhe shqip”, e ka nisur Davids ligjëratën.

Prej këtyre librave, Davids kishte krijuar edhe një lloj ekspozite të vendosur në hollin e Bibliotekës, ku publiku mund t’i shihte botimet e vjetra të veprave, si: “Letërkëmbim”, shkruar nga Gjergj Qiriazi dhe Nikollas Naços (1843-1913), “Abetar (Tiranë, 1927), “Algjeber” (1923), “Historia e sentense skroye: per dielmit”, mbledhur e përkthyer nga Konstandin Kristoforidhi (1870) e të tjera. Të gjitha këto libra shihen se janë të dëmtuara dhe mënyra e restaurimit të tyre ishte ajo çfarë i kishte bërë përshtypje artistes me prejardhje izraelite, Yael Davids.

“Vëmendjen time e tërhoqën disa libra, për mënyrën se si u restauruan, për mënyrën se si ju mund t’i shihni prerjet apo dëmtimet e tjera. Aty nuk ka përmirësime, nuk ka asnjë imitim te imazhit e as të tekstit. Ajo çka i shqetësonte ata më shumë ishte që ta mbanin trupin të lidhur, pra ta mbanin librin dhe jo kontekstin, apo atë çka libri dëshiron të thotë”, ka treguar ajo para publikut.

Por kjo ligjëratë nuk vazhdoi gjatë kështu. Davids e vazhdoi ligjëratën duke folur për trupin e njeriut dhe mënyrën se si ai funksionon.

“Në qëndrim ulur e po ashtu edhe atë në këmbë, trupi ngrihet në rrafshin vertikal. Lëvizjet rrethore të syve dhe kokës ndodhen në rrafshin horizontal. Kjo lidhje midis dy anëve është thelbësore për strukturën njerëzore - duke negociuar dhe rregulluar peshën e saj - duke u përballur më forcën e gravitetit”, ka shpjeguar ajo.

Por, kjo lëvizje, e cila si fillim duket e çuditshme, kishte si qëllim aplikimin e metodës së Feldenkrais. Metoda Feldenkrais është një ndërhyrje somatike ose e orientuar drejt trupit, e krijuar për t’i ndihmuar njerëzit të rilidhen me trupat e tyre dhe të mësojnë mënyra për të lëvizur me efikasitet më të madh.

Kështu, nisur nga kjo, Davids kërkoi nga publiku që të zinte vend nëpër qilimat e shtruar afër karrigeve, me ç’rast nisi edhe aplikimin e metodës së Feldenkrais.

Metoda Feldenkrais e edukimit somatik u zhvillua nga dr. Moshe Feldenkrais. I lindur në Rusi, Feldenkrais emigroi në Izrael në moshën trembëdhjetëvjeçare. Kjo metodë, e cila i ngjan shumë jogës, kërkon nga publiku që së pari të shtrihet e ta gjejë qetësinë e brendshme. Ajo që i karakterizoi këto lëvizje qe ngadalësia. Njerëzit rrinin shtrirë, symbyllur dhe dëgjonin instruksionet e Davids, e cila qëndronte në këmbë dhe ndonjëherë ndihmonte ndonjërin që nuk e kishte kuptuar siç duhet atë çfarë ishte kërkuar.

Por gjatë kësaj kohe, në momentet kur udhëheqësja kërkonte shtendosjen e trupit, në të njëjtën kohë ajo rikthehej përsëri te shpjegimi i historisë së Bibliotekës dhe ndërtimit të saj.

Gjatë aplikimi të Feldenkraisit, Davids lexonte edhe fjalë nga ajo çfarë kishte thënë arkitekti i ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare, Andrija Mutnjakoviq.

“Unë në fakt u përpoqa të përdor atë element tipik të arkitekturës ballkanike ose më mirë arkitekturës rajonale, që do të thotë kubi i mbuluar me një kupolë, që në mendjen time është një element unik në këtë bashkim të arkitekturës bizantine dhe islame”, ka cituar ajo arkitektin kroat, Mutnjakoviq.

Kështu, ajo vazhdoi herë duke lexuar e herë duke treguar për atë çka kishte lexuar, por gjithmonë duke pasur si element kryesor shpjegimin e historisë së Bibliotekës.

“Unë mbaj shpesh ligjërata, dua të them mësime standarde, por këtë ligjëratë sot e kam zgjedhur në mënyrë specifike sepse është lidhja që krijohet me hapësirën dhe natyrën e librave, si dhe në mënyrën se si ne i shohim se me sa kujdes janë restauruar ato”, ka thënë ajo për KOHËN.

Me këtë ligjëratë ajo ka thënë se kishte synuar ta risillte para publikut veçmas praktikën e kujdesit, të cilën e kishte vërejtur te mënyra se si ishin restauruar librat e dëmtuara.

“Mendova se duhet ta rikthej praktikën e kujdesit kështu në ndërtesë. Sepse kështu sillen njerëzit me librat dhe ky mësim konkretisht është interesant për shkak të bisedave për fusha të ndryshme dhe raporti në mes horizontales dhe vertikales dhe kjo është diçka shumë domethënëse edhe për këtë vend”, ka thënë ajo.

E tërë kjo ligjëratë përfundoi pas pothuajse dy orësh.

Neva Lukiq, e cila kishte ardhur nga Kroacia në Kosovë për ta përcjellë “Manifestën 14” dhe e cila mori pjesë në këtë ligjëratë, ka thënë për KOHËN se kjo metodë do shumë vëmendje dhe përqendrim, kështu që është diçka që merr kohë për t'u mësuar në thelb.

“Ndonjëherë mund të jetë edhe e pakëndshme. Në thelb, kjo nënkupton disa lëvizje në trupin tuaj, që të bëheni më të vetëdijshëm për atë që bëni dhe mund të bëni lëvizje të ndryshme nga pika të ndryshme, kjo është ajo që më pëlqeu”, ka thënë ajo.

Yael Davids ka lindur në Izrael, ndërsa tani jeton dhe punon në Amsterdam. Ajo studioi Arte të Bukura në Akademinë Gerrit Rietveld, skulpturë në Institutin Pratt, New York dhe koreografi e pedagogji kërcimi në Akademinë Remscheid. Punimet e saj janë kryesisht të bazuara në performancë, herë duke e përfshirë veten si interpretuese, herë duke punuar me grupe.