Shtojca për Kulturë

Aftësitë e munguara krijuese në krijimtarinë letrare shqipe

Mungesa e autenticitetit të përmbajtjeve kuptimore në krijimtarinë letrare prozën shqipe brenda harku kohor 1945-1990 ndërlidhen me faktin e kufizimeve të jashtme (metoda e realizimit socialist), në rastin e parë, apo si pasojë e zgjedhjes së “vetëvullnetshme” të subjekteve krijuese (metoda estetizante) në rastin e dytë, të cilat subjektin krijues do ta vendosin në gjendje komfori të mospërplasjes me gjendje krizash subjektive të vizioneve për botën, kusht ontologjikisht ky i domosdoshëm për aktin e krijimit

Hyrje

Në këtë trajtesë, shënjues problemor e kemi krijimin, si akt i bërjes së gjërave, me përqendrim në dimensionin e negativitetit të qenies së saj, e kjo do të thotë të moskrijimit. Nisur nga ontologjia metafizike e qenies, në veprën e vet “Kuptimi i krijimit”, Nikollaj Berdjajevi thekson se akti krijues njeriun e drejton nga një qenie e re, në një jetë të re, në mbretërinë e perëndisë. Berdjajev thotë se kultura është dështimi i aktit krijues, sepse ajo njeriun e ka drejtuar vetëm në mënyrë simbolike, e jo edhe realiste, për ta vendosur atë në mbretërinë e perëndisë. Sipas tij, filozofia dhe shkenca janë dështimi për njohjen krijuese të së vërtetës; arti dhe letërsia – dështimi për të krijuar të bukurën; familja dhe dashuria seksuale – dështimi për të krijuar dashuri; morali dhe ligji – dështimi për krijimin e marrëdhënieve njerëzore.

Në qoftë se Berdjajevi dështimin e aktit krijues e trajton në rendin e kategorive metafizike të qenies, të ekzistencës dhe të realitetit, në këtë trajtesë, aftësitë e munguara krijuese në prozën shqipe i shohim në rrafshin e kategorive aksiologjizuese estetike, dhe këtë jo përmes konceptit perceptual, por përmes konceptit eksperimental të filozofisë së artit. Pra, nëse për Berdjajevin dështimi i aktit krijues ndodh në rendin e qenies, në rastin tonë dështimin e shohim në rendin e vlerës së qenies.

Krijimi dhe ngjarja letrare

Me cilin kriter mund t’i matim aftësitë e munguara krijuese në veprimtarinë më ingjenioze krijuese, siç është veprimtaria letrare? Matjen e aftësive të munguara krijuese mund ta bëjmë përmes përcaktimit të asaj se çfarë është krijuese brenda produktit letrar, e kjo do të thotë të përcaktojmë jo ontologjikisht qenien e krijimit, por aksiologjikisht vlerën e krijimit. Sepse në letërsi, e në mënyrë të veçantë, në prozë, është vlera që i jep peshë qenies letrare.

Përkundër konceptit që e hasim në fetë monoteiste për krijimin, ku zoti, si qenie transcendentale e pakrijuar, krijon nga hiçi; krijimi letrar përbën një aftësi mendimore për rimodelim të ndijimeve, perceptimeve, e të imazheve ekzistuese brenda kornizave të reja kontekstuale asociative, të cilat janë të afta, jo vetëm të krijojnë këndvështrime të reja për fenomene dhe marrëdhënie të caktuara, por edhe të hapin perspektiva të reja vlerësuese për to. Krijimi në letërsi është aftësia për kombinimin e rregullave të ndryshme që ekzistojnë njëherësh në disa hapësira të ndryshme fakultative.

Imagjinata është një nga aftësitë krijuese, e cila është e aftë për kombinime të përbërësve të tillë dhe vendosjen e tyre në një hapësirë të përbashkët. Në veprën “Kritika e gjykimit” Kanti e bën dallimin midis imagjinatës së përdorur për qëllime njohëse dhe imagjinatës së përdorur për qëllime estetike. Imagjinata e parë, thotë Kanti, i nënshtrohet kufizimeve të përshtatshmërisë së konceptit të të kuptuarit, e dyta është mbi konceptin, dhe duke qenë e lirë ofron një pasuri materiali të pazhvilluar për kuptimin, të cilën kuptimi e shpërfill në konceptin e tij. Imagjinata për Kantin është një nga aftësitë mendore për kapjen dhe riprodhimin e ideve dhe perceptimeve nga shumëllojshmëria e përvojës.

Akti krijues buron nga vazhdimësia, por ai, njëkohësisht, është ndalesa radikale e tij. Imagjinata është një nga aftësitë, e cila e shkakton ndalimin e vazhdimësisë. Ndalesa e vazhdimësisë ndodh kur aftësitë krijuese nxiten nga imperativi kategorik i përvojës imanente, i cili e vë në lëvizje imagjinatën, e jo nga imperativi kategorik i të mundshmes, i cili i pamundëson aftësitë e imagjinatës. Si i tillë akti krijues letrar përmes aftësisë së imagjinatës bëhet ngjarja që e thyen njëtrajtshmërinë e rutinës, apo siç do të thoshte Dëleze (Gilles Deleuze), të thyerjes së një blloku perceptimesh e afektesh.

Koncepti i krijimit letrar ontologjiksht është i ndërlidhur me konceptin e ngjarjes letrare dhe me konceptin e kënaqësisë aksilogjizuese. Çdo ngjarje letrare shfaqet si një kondensim, si një ndryshim intensiteti krijimi brenda një tërësie të vazhdueshme produktesh serike letrare. Akti i krijimit nuk është reaksion në vetvete ndaj rutinës dhe njëtrajtshmërisë. Krijimi dhe ngjarja letrare janë të tilla vetëm dhe vetëm në relacion me nevojën e domosdoshme për qartësimin e vizionit të paqartë që ka subjekti krijues përballë kontekstit të ri të qeniesimit të qenies njerëzore në botë, e kjo do të thotë përballë kontekstit të ri ndijesimor, ndjenjor, perceptimor e afektor në të cilën ndodhet Uni me ndërgjegjen për t’i dhënë qartësi pakuptimësisë së marrëdhënies së re të krijuesit me botën.

Kriteri aksiologjizues

Origjinaliteti i përmbajtjeve kuptimore, thellësia, uniciteti dhe autenticiteti i tyre janë kriteret ontologjike për matjen e aftësive krijuese të materializuara në produktin letrar. Mungesa e autenticitetit të përmbajtjeve kuptimore në krijimtarinë letrare prozën shqipe brenda harkut kohor 1945-1990 ndërlidhen me faktin e kufizimeve të jashtme (metoda e realizimit socialist), në rastin e parë, apo si pasojë e zgjedhjes së “vetëvullentshme” të subjekteve krijuese (metoda estetizante) në rastin e dytë, të cilat subjektin krijues do ta vendosin në gjendje komfori të mospërplasjes me gjendje krizash subjektive të vizioneve për botën, kusht ontologjikisht ky i domosdoshëm për aktin e krijimit. Meqenëse metodat krijuese tek ne nuk janë pasojë e shfaqjeve të krizave subjektive të vizioneve për botën, në të dy rastet krijuesi do të ndodhet përballë kuptimesh mirë të përcaktuara dhe drejtimesh mirë të njohura.

Krijimi i vizonit nënkupton angazhim të Unit në procesin e krijimit. Vizioni i mbivendosur do ta bëjë të panevojshëm Unin. Në vend të Unit autentik të subjektit krijues, do të kemi praninë e Unit të rrejshëm. Simptoma e traumatizmit të Unit autentik nga zhvendosja keqtrajtuese e tij përmes afirmimit të Unit të rrejshëm, si garantues luajal i prodhimit serik, rutinor të veprave letrare, si dhe i ruajtjes së vazhdimësisë së skematizmit (si në bllokun e real-socialistëve në Shqipëri ashtu edhe të estetizantëve të viteve ‘70 në Kosovë), do të jetë korrigjimi i përmbajtjeve botëkuptimore në veprat e djeshme letrare nën dritën e vlerave që atyre do t’u japë periudha postkomuniste. Kështu, tradhtarët e djeshëm, nga perspektiva perceptimore postkomuniste do të shndërrohen në heronjtë e vetmuar tejet inteligjentë, por të keqkuptuar nga mjedisi i tyre i paditur. Estetizantët e viteve ’70 në Kosovë, në vitet ’90 do të përfundojnë në zonat e tipit të krijimtarisë me tezë.

Emërues i përbashkët i këtyre dy metodave krijuese është skematizmi, njëtrajtshmëria dhe cektësia e pikëpamjeve për ekzistencën dhe botën. Kjo në të vërtetë flet për kënd­vështrimin e ngushtë dhe mekanik që shkrimtarët tanë kanë ndaj botës. Pse themi mekanik? Për arsye se më parë se sa të shpalosin vetëdijen për ndryshimin e vetive të perce­pcioneve subjektive që do të mund të pësonin në marrëdhënie me vetitё e gjërave, fenomeneve dhe procese­ve - metodologji krijuese kjo e cila tek lexuesi do të pro­vo­konte vetëdijen për shumësinë e mundësive të realite­teve të qenies dhe ekzistencës njerëzore – një pjesë jo e vogël e shkrimtarëve tanë do të jenë të obsesionuar të shpalosin vetitë e ndryshimit të vetëdijes të tyre si pasojë e ndryshimit të fenomeneve dhe proceseve praktike politike e shoqërore – metodologji krijuese kjo, e cila lexuesit do t’i ofrojë të vërteta monoliste dhe dogmatike për realitetin e qenies dhe ekzistencës njerëzore. Në vend se të jenë oferta për alternativa të reja njohëse ndaj botës e ekzistencës, të dy metodat krijuese në praktikën letrare shqiptare vetëm sa do t’i shërbejnë thellimit të vetëdijes dogmatike për botën, si në rastin kur do të burojnë nga koncepti utilitarist për letërsinë me bazë ideologjinë klasore (metoda e realizmit socialist), ashtu edhe në rastin kur ato do të burojnë nga skepticizmi dogmatik i filozofisë së solipsizmit (metoda estetizante).

Kurthi epistemilogjiko-aksiologjik

Kategoria e skematizmit, e pranishme në krijimtarinë tonë letrare, e prejardhur herë nga ideologjia klasore (metoda e realizmit socialist), herë nga ideologjia e liberalizmit kolonialist jugosllav (metoda estetizante), e tani edhe nga ideologjia globaliste e konsumizmit (metodë krijuese që bazohet në kriterin vlerësues të tregut), do të jetë në marrëdhënie sinergjike me kategorinë e desubjektivizimit, si kategori e vullnetit për mbijetesë. Ashtu sikur që në letërsi skematizmi do ta nxjerrë nga procesi krijues vetëpeceptimin e Unit autentik, herë në emër të vetëdijes klasore, e herë në emër të modës, qëllimi i së cilës është afirmimi i një uni universal si bartës i një humanizmi abstrakt, ashtu edhe desubjektivizimi në rrafshin politik, do ta përjashtojë Unin subjektiv shqiptar nga të menduarit politik. Për rrjedhojë, në hapësirën e Ballkanit (e më gjerë jo se jo!) nuk mund të gjejmë një komb, i cili ka një vetëperceptim mohues ndaj peshës dhe rolit të tij në regjion e botë, se sa kombi shqiptar.

Mungesa e unit autentik në vizion, pamundësimi në ndërmarrësi krijuese të fakultetit të imagjinatës, skematizmi dhe kënaqësia jo ndriçuese estetike, e cila mbështetet në termat e filozofisë tradicionale të artit të soditjes së kënaqësisë së të bukurës shqisore, përbëjnë bazën ontologjike të aftësive të munguara krijuese në krijimtarinë letrare shqipe sidomos nga viti 1945-1990. Të gjithë këta përbërës bien në domenin e kënaqësisë aksiologjizuese, por që korrespondojnë me kategoritë ontologjike të qenies, të ekzistencës dhe të realitetit të veprës letrare.

Sot kur gjykojmë për deficitin e vlerave të metodës së realizmit socialit dhe “suficitin” e vlerave që ka prodhuar metoda estetizante në letërsinë tonë, gjykimet tona vlerësuese nuk bazohen në cilësitë reale të objektit estetik që prodhon kënaqësi estetike, por në parimin e kënaqësisë aksiologjizuese të subjektit tonë vlerësues, i cili drejtohet nga vullneti hakmarrës i dëshirës së djeshme të kastruar. Të ndodhur nën vullnetin e pushtetit të dëshirës hakmarrëse, edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të mbesim në zonën mistike të një të bukureje letrare, e cila është e aftë të shfaqet e të zhduket në kohë të ndryshme.

Ne, sot e kësaj dite, themi se metoda e realizmit socialist ka qenë tejet cenuese për vizionet krijuese, mirëpo, megjithatë, në letërsinë shqipe ka disa vepra të metodës së realizmit socialist, të cilat përmbajnë vlera të larta estetike; themi se një vepër është edhe realiste dhe njëkohësisht edhe impresioniste, edhe natyraliste, edhe romantike, edhe psikorealiste; se një vepër është moderne dhe njëkohësisht edhe postmoderne. Kundërthëniet e tilla logjike në punë të klasifikimit tipologjizues nuk burojnë nga përbërësia e objektit, si lëndë e refleksionit aksiologjizues, por nga kurthi epistemologjik në të cilën e kemi futur vetëdijen tonë aksiologjizuese letrare duke kërkuar vlera estetike përmes përdorimit të kategorive të poetikës, si disiplinë teorike e studimit të veprës letrare.

Filozofi i artit Arthur Danto, duke i prishur kufijtë ndarës midis poetikës dhe estetikës të betonuar nga parimet e filozofisë tradicionale të artit, në studimin e tij “Kuptime të mishëruara, izotipe dhe ide estetike”, konsideron se cilësitë estetike luajnë një rol në përcjelljen e kuptimit të veprës, por nuk janë vetë kuptimi i saj. Vlerat e vërteta letrare nuk maten me vetitë e ndara nga objekti i tyre, si: e bukura, simetria, format kompozicionale, narrative, sistemit figurativ gjuhësor etj.; por nga ajo se sa këta përbërës janë të aftë – siç thotë filozofi i vlerave Siril Arnud (Cyril Arnaud) – për të përcjellë përmbajtje kuptimore që kanë një vlerë të madhe për kuptimin e qenies njerëzore në botë.

Cila janë përmbajtjet kuptimore me ngarkesë të madhe vlerore për kuptimin e qenies sonë njerëzore në botë, të cilën na e ka lënë trashëgim proza jonë e realizmit socialist dhe ajo estetizante?

Për shkak se të mbivendosura nga jashtë – në rastin e parë nga pushteti politik, ndërsa, në rastin e dytë, nga pushteti i modës – si metoda e realizmit socialist ashtu edhe ajo estetizante do të jenë forma shtypëse të dëshirës për zbulimin të kontekstit të Unit në gjendjen unike të marrëdhënies që ai do ta ketë me botën. Një vullnet pa energjinë e dëshirës dhe një ndërgjegje krijuese e cila do të jetë e shtrënguar të bashkëpunojë me një Un inferior joautentik, kurrë nuk mund të jenë të afta të prodhojnë përmbajtje kuptimore të rëndësishme që i japin orientim humanizues qenies njerëzore, as dje, as sot e as nesër.

Përfundim

Në metodat krijuese mishërohet karakteri dhe orientimi i investimit në vullnet. Karakteri i investimit në dëshirë e përcakton afinitetin e vullnetit ndaj metodës krijuese. Metodat krijuese, ajo e realizmit socialist dhe ajo estetizante, janë prova se investimet krijuese të krijuesve tanë letrarë janë drejtuar nga dhe për vullnetin e mbijetesës, e jo të bërjes. Për shkak se nuk do të bazohen as në Unin autentik e as në vullnetin aktiv, në vend se të na i zbulojnë të vërtetat e përvojave tona unike e të papërsëritshme në procesin e modelimit të marrëdhënies së njerëzores sonë me botën, këto metoda do t’i shërbejnë fshehjes së atyre të vërtetave.

Përqafimi i metodës së realizmit socialist dhe asaj estetizante, brenda kulturës letrare shqipe përbën strategjinë e maskimit të mungesës së aftësive krijuese të krijueseve tanë.