Shtojca për Kulturë

Shala ridëshmon potencialin me vepra sfiduese në koncertin recital

Kur dritat janë pozicionuar nga piano e vendosur në mes të skenës së improvizuar në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, sytë e publikut janë kthyer kah instrumenti teksa kanë pritur që pranë saj të shfaqet edhe pianisti. Nga paraqitja në skenë e deri në vendin e tij, Ledian Shala është shoqëruar me duartrokitje. Mbrëmjen e gjashtë të festivalit “DAM” e ka hapur me veprën “Preludes” të kompozitorit rus Sergei Rachmaninoff. Për moshën e tij prej 17 vjeç flet edhe qëndrimi i tij prej muzikanti, emocionet që përcjell te publiku e vetë ndjesia e tij që sikur e zhyt thellë në tingujt që nxjerr nga çelësat bardhezi.

Energjia që ia ka kushtuar performancës në koncertin që u mbajt mbrëmjen e së premtes në kuadër të festivalit “DAM” mund të reflektonte edhe te publiku. Tashmë publiku sikur ka mësuar destinacionet e mbajtjes së koncerteve të muzikës klasike, megjithëse nuk flitet për një sallë koncertale. Për infrastrukturë joadekuate është dëshmuar gjatë mbajtjes së koncerteve tash e sa kohë, sikurse edhe në koncertin e zhvilluar në mbrëmjen e gjashtë të edicionit të 17-të të festivalit “DAM”. Edhe për energjinë që i ka kushtuar interpretimit në koncert, por edhe për shkak të kushteve në sallën amfiteatër për studentë, Shala pas çdo vepre të interpretuar ka bërë një pushim sa për të fshirë djersët. Për publikun ka interpretuar, ka sfiduar veten edhe me veprën për dorë të majtë “Partita” të kompozitorit gjerman Johan Sebastian Bach.

Pianisti para publikut ka interpretuar “French Suite” të kompozitorit gjerman Johan Sebastian Bach, “Polonaise”, “Ballade” të kompozitorit polak Frederic Chopin dhe “Etude” të kompozitorit rus Alexander Scriabin. Ndërsa mbrëmjen e ka përmbyllur me veprat: “Star Wars Ultimate Medley”, “Main Title, Duel of the Fates”, “Princess Leia’a Theme” dhe “The Imperial March, End Title” të pianistit dhe kompozitorit amerikan John Williams, të cilat janë përshtatur nga kompozitorja dhe pianistja ruso-amerikane, Sonya Belousova. Shala, i cili është laureat i çmimit “DAM” në “Pianisti i Ri 2021”, është shprehur se veprat që ka performuar para publikut janë të veçanta për të për shkak të harmonisë dhe melodisë që përmbajnë.

“Ndihem shumë i privilegjuar që kam mundur të performoja në këtë festival. Kjo është një eksperiencë e re, sepse është koncerti i parë recital për mua. Shpresoj se i ka pëlqyer publikut. U ndjeva si një fitues sonte, diçka e re për mua, u ndjeva tepër i lumtur”, ka thënë pianisti Ledian Shala.

Nata e 6-të e edicionit të 17-të të festivalit u është kushtuar talenteve të reja, derisa bashkorganizatorja e “DAM”, Rreze Kryeziu-Breznica, është shprehur se ky ka qenë misioni dhe qëllimi i festivalit që nga themelimi. Ajo ka theksuar se festivali është zgjeruar pa ndonjë kriter a kufizim moshe dhe se edhe edicionet e tjera do të kontribuojnë në promovimin e artistëve të rinj.

“U kënaqëm shumë me koncertin, para se t’i uronim suksese, më lejoni të them që ishte një program sfidues, sidomos për moshën e tij, dhe ia arriti ta realizonte mjaft mirë. Kështu që përgëzime për Ledianin, njëkohësisht edhe për pedagogen e tij. Edhe pse në moshë shumë të re, po arrin të sfidojë skena të mëdha për të”, ka thënë Rreze Kryeziu-Breznica, derisa ka treguar për bashkëpunim me garën pianistike “Pianisti i Ri”.

Ledian Shala ka filluar të luajë në piano qëkur ishte tetë vjeç në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Në vitin 2017 ka marrë pjesë në garën ndërkombëtare “Polyhymnia” në Shkup, ku kishte zënë vendin e parë në kategorinë e tij. Rrugëtimin e sukseseve e ka vazhduar në garën pianistike “Pianisti i Ri”, ku në vitin 2018 kishte fituar çmimin e parë dhe çmimin special “Fahri H. Beqiri”. Vetëm një vit më pas, në po të njëjtën garë pianistike zuri vendin e parë, ndërsa në vitin 2021 ka arritur kulmin e suksesit në këtë garë me “Grand Prix”. Në vitin 2020 kishte realizuar me sukses koncertin me profesorin Agron Shujaku, ku kishin interpretuar vepra klasike për katër duar. Për talentin e tij dëshmon edhe pjesëmarrja në gara dhe koncerte, ku është shpërblyer edhe në forma të tjera si me diploma e mirënjohje.