Shtojca për Kulturë

Erdhi liria dhe na bëri njerëz të mjerë

Xhevdet Bajraj
Dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, para dhe gjatë luftës, kosovari ka pasur shpresë, ka kërkuar dhe ka besuar në liri, e tash sikur jemi zgjuar dhe e kuptojmë që ajo ka qenë ëndërr, se flutura në të vërtetë nuk ekziston, se kurrë nuk ka ekzistuar, se ekziston sall krimbi dhe ëndrra e tij për t’u shndërruar në flutur...
 

Xhevdet Bajraj

Meksika. Vendlindja e realizmit magjik, padyshim ndër vendet më të bukura në botë. Ka shkretëtirë dhe xhungël, ndërsa plazhet dhe kuzhinën i kanë të veçanta, ashtu si e kanë të veçantë edhe një ndër festat më të mëdha dhe që festohet krejt në mënyrë origjinale, Ditën e të Vdekurve. Në këtë ditë në varrezat e stolisura enkas për këtë rast, këndohet, vallëzohet, hahet dhe pihet. Njerëzit janë të lumtur, ndërsa nëpër shtëpitë e tyre, shtrohet një tryezë e posaçme me pijet dhe ushqimin e preferuar të secilit të vdekur të tyre, e për ta gjetur rrugën deri te tryeza, shtrohet një rrugë me lulet që këtu i quajnë cempasúchil, ndërsa të gjallët vazhdojnë të festojnë me ushqimin e preferuar të tyre, pije, muzikë dhe valle. Sidoqoftë, mua kurrë s´më hiqet malli për Kosovën, edhe pse këtu jam shtatë orë më i ri se në Kosovë, aq është dallimi kohor me Kosovën.