Shtojca për Kulturë

“Tchaikovsky’s Wife” dhe represioni rus

Alyona Mikhailova dhe Odin Biron në “Tchaikovsky’s Wife.”

Filmi fokusohet në martesën katastrofike të Çajkovskit me Antonina Miliukova, një bashkim që regjisori rus i filmit, Kirill Serebrennikov, sugjeron se ishte si pasojë e dënimit të homoseksualitetit të kompozitorit, edhe pse ai gjithashtu nuk lë asnjë pikë dyshimi se problemi, në të vërtetë, ishte kultura e represionit të vendit

Duke shikuar filmin “Tchaikovsky’s Wife” (Gruaja e Çajkovskit), i cili u dha premierë të mërkurën e kësaj jave në Festivalin e Filmit në Cannes, pyesja veten nëse kompozitori ishte i preferuari i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Filmi fokusohet në martesën katastrofike të Çajkovskit me Antonina Miliukova, një bashkim që regjisori rus i filmit, Kirill Serebrennikov, sugjeron se ishte si pasojë e dënimit të homoseksualitetit të kompozitorit, edhe pse ai gjithashtu nuk lë asnjë pikë dyshimi se problemi, në të vërtetë, ishte kultura e represionit të vendit.

Seksualiteti i Çajkovskit ka qenë prej kohësh temë debati: në Rusi, ai gjithashtu ka qenë subjekt i censurës zyrtare. Në vitin 2013, Putini shprehu opinionet e tij për këtë temë, disa muaj pas nënshkrimit të ligjeve kundër homoseksualëve. Në një përpjekje të dukshme për të zbutur frikën për të ardhmen e të drejtave të homoseksualëve, Putini tha: “Çajkovski ishte homoseksual – edhe pse është e vërtetë që ne nuk e duam atë për shkak të kësaj – por ai ishte një muzikant i madh dhe ne të gjithë e duam muzikën e tij. Dhe çfarë pastaj?”

Këto dy fjalitë e fundit janë thellësisht rrëqethëse duke pasur parasysh abuzimet e të drejtave të njeriut kundër komunitetit rus të LGBTQ-së, në vitet e mëpasshme, përfshirë edhe rajonin e Çeçenisë.

Në fillim, është e paqartë saktësisht se çfarë lloj historie po tregon Serebrennikovi në “Tchaikovsky’s Wife”. Historia fillimisht fokusohet te Antonina (një Alyona Mikhailova e shkëlqyer), grua e re naive dhe thellësisht fetare, e cila duket e joshur nga Pytor (Odin Biron) që në momentin kur e takon sefte. Kjo, të paktën, është arsyeja për të cilën vetë ajo këmbëngul, megjithëse thellësitë dhe sinqeriteti i ndjenjave të saj, mbeten të paqarta. Ndonjëherë Antonina duket se po ushqen dashurinë e një nxënëseje; herë të tjera, ajo duket se ka humbur komplet kontrollin. Kjo krijon një ndjenjë të paqëndrueshmërisë produktive, duke jua bërë edhe më të vështirë se kujt t’i besoni.

Filmi ka cilësinë e një ëndrre, e cila shpejt kthehet në një makth. Pitor e kupton se martesa është e gabuar, por derisa ai përpiqet të shkëputet, Antonina vazhdon të kapet pas tij. Me guxim, Serebrennikov nuk e sentimentalizon as Pytorin dhe as Antoninën, të cilët sillen keq, ndonjëherë në mënyrë monstruoze. Dhe ndërsa ai nuk i lë ata të largohen – secili ka lirinë e zgjedhjes, bën zgjedhje – ai gjithashtu përshkruan me kujdes botën që ka prodhuar këta dy njerëz tragjikisht të papërputhshëm. Zgjidhja e çështjes është më se e rëndësishme.

Në "Tchaikovsky’s Wife", Serebrennikovi përfshin një sërë temash të ndërlidhura, ku më të dukshmet janë ato për të drejtat e grave ose më mirë, mungesa e tyre; indoktrinimi fetar; tirania e gjeniut mashkullor; dhe kultet artistike të personalitetit. Unë gjithashtu mendoj se ai po tregon historinë e tij, megjithëse në mënyrë të zhdrejtë. Serebrennikov, i cili drejton filma dhe vepra skenike, është qortuar në vendin e tij; disa vjet më parë, atij iu ndalua të udhëtonte. Dhe, ndërsa ai vërehet se po përballet me të kaluarën e Rusisë, ai gjithashtu po flet për të tashmen e vendit dhe, si rrjedhim, për të ardhmen e tij – gjë e cila e bën këtë një film shumë personal.

Marrë nga “The New York Times”. Titulli është i Redaksisë. Përktheu: Mirjetë Sadiku