Muzikantët nga Ukraina e kanë themeluar një orkestër ekzili në Gjermani. Tani ata po performojnë vepra klasike në Filarmoninë e Berlinit. Orkestra është quajtur “Mriya”, që i bie “Ëndrra” në gjuhën ukrainase – sepse muzikantët e saj ëndërrojnë të bëjnë muzikë pavarësisht luftës. Ajo u themelua në mars nga ukrainasit, të cilët kanë ikur nga vendi i tyre dhe që atëherë më shumë se 30 muzikantë i janë bashkangjitur.
Margaryta Grynyvetska është njëra nga anëtaret më të reja. Dirigjentja e Operës Akademike Kombëtare të Odesës dhe Teatrit të Baletit u largua qysh në fillim të shpërthimit të pushtimit rus të Ukrainës. U takua me dy miq për të krijuar muzikë bashkë.
“Nuk e kam imagjinuar asnjëherë se takimi ynë i parë do të ndodhë në një skenë kaq të madhe, siç është Filarmonia e Berlinit”, ka thënë ajo për “Deutsche Wellen”.

Më 10 maj, orkestra “Mirya” doli në skenë me një program të miksuar, ku përfshihen klasikët gjermanë dhe bashkëkohësit ukrainas në sallën e koncerteve në Berlin.
Mbështetur dhe financuar nga organizata “Alliance4Ukraine”, orkestra nderon ata të cilët janë në mbrojtje të Ukrainës dhe të cilët po ndihmojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre i shkatërruar.
Muzikantët janë gjithashtu duke bashkëpunuar me Filarmoninë e Berlinit për të krijuar mundësi për artistët profesionalë ukrainas.
Kur vjen puna për të gjetur një vend për të qëndruar, duke kërkuar për salla provash apo vende për koncerte, organizata “Culture Connect” me seli në Hamburg, e cila është themeluar më 2018, ofron ndihmë konkrete. Kryetari i saj, Roman Ohem, ka organizuar koncerte dhome me muzikantë ukrainas në shtatë vjetët e fundit, në Gjermani. Me ndihmën e mikut të tij, violonçelistit Lec Kucher, ai krijoni ueb-faqen e tij, Mriya.de.
“Për mua, e gjitha kjo është një gjë personale“, ka thënë Ohem. “Ne thjesht krijuam një listë të artistëve profesionistë, të cilët e braktisën vendin e tyre, duke përdorur kontaktet tona. Ata pranuan me qëllim që ne t’i ndihmojmë ata“.
Roman Ohem ka bashkëpunuar me muzikantë edhe gjatë luftës në Siri dhe gjithashtu ka ndihmuar edhe si violinist në orkestrën siriane në mërgim.
“Në këtë mënyrë, muzikantët mund të hapen dhe të jenë të lirë”, ka thënë ai. Partiturat, programi dhe planet e provave janë të gjitha të krijuara nga vetë muzikantët.
Çdokush që luan në “Mriya” – ndërkohë janë bashkuar edhe burrat – ka punuar si muzikant profesionist në vendin e vet.
Themeluesi i orkestrës është violinisti i famshëm Kateryna Suprun. Hanna Tsurkan, solo-violinistja e “Rapsodin Karpate”, e kompozitorit ukrainas Myroslav Skoryk, ka fituar çmime në disa konkurse ndërkombëtare dhe është anëtare e Orkestrës Simfonike Kombëtare të Ukrainës. Para stazhit si dirigjente në Odesa, Margaryta Grynyvetska gjithashtu ka punuar me dirigjentin e njohur Oksana Lyniv, me “Bayerische Staatsoper” në Münich dhe gjithashtu në Luxor, Egjipt.

Për dirigjenten Margaryta Grynyvetska, të luajë muzikë nga vendi i saj është një gjë shumë emocionuese.
“Unë isha gati të çaja kur kuptova se jeta jonë, të cilën e patëm në Ukrainë, nuk do të jetë më kurrë si më parë”, ka thënë ajo. “ Nuk e di kur do të kthehem prapë në Odesën time të dashur, në shtëpinë time, vendin tim. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të luajmë këtë muzikë, të kemi këtë lidhje me vendin tonë”.
Orkestra përmban kryesisht violiniste femra dhe muzikante frymore. Burrat shfaqen vetëm për një kohë të shkurtër, thotë Margaryta Grynyvetska: “Si të thuash, të gjithë burrat tani janë ushtarë, ne po luftojmë në frontin kulturor. Kjo është detyra jonë”.
Roman Ohem tani po punon që muzikantët meshkuj të marrin një leje të posaçme për t’u larguar nga Ukraina, por kjo është e vështirë. “Ata mund të largohen nga vendi vetëm nëse puna e tyre muzikore jashtë vendit është më e dobishme se ajo që bëjnë brenda vendit me armë. Kjo është arsyeja e vetme për të miratuar udhëtimin jashtë vendit për muzikantët meshkuj”, ka thënë Ohem.
Ndërkohë, në Gjermani, Margaryta Grynyvetska shpesh ka një ndjesi sikur lufta në Ukrainë është kthyer në normalitet. “Kjo është arsyeja se pse për ne është e rëndësishme të tregojmë se lufta është një situatë serioze dhe se Ukrainës i duhet ndihmë dhe përkrahje”, ka thënë ajo.
Çdokush që mendon se muzikantët ukrainas mund të luajnë në vende organizative falas, është gabim, thotë Roman Ohem.
“Ne paguajmë 11 mijë euro qira për Filarmoninë. Nuk ka zbritje dhe unë personalisht kam marrë një kredi prej 11 mijë eurosh me llogarinë time gjermane dhe shoqatën”.
Paga e tij modeste, të cilën ai e mori si artist i pavarur gjatë pandemisë, ka shkuar gjithashtu në projekte ndihmëse. “Koncertet tona janë 100 për qind bamirësi, që do të thotë se gjithçka që është e tepërt, shkon menjëherë në Ukrainë”. Koncerti në Filarmoninë e Berlinit, ndër të tjera, mbështetet nga fondacioni gjerman i orkestrës, Deutsche Orchester-Stiftung. Të ardhurat përdoren për ndihmë mjekësore për viktimat e luftës. Për vizitorët ukrainas të koncerteve, ngjarja është gjithashtu falas.
Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku