Shtojca për Kulturë

Letërsia e paçliruar nga pabarazia gjinore

Descriptive Text

“Jeta versus letërsia - Kush i tregon historitë dhe kush i përhap ato?”, ka qenë tema e panelit të parë të ditës së dytë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë, “Polip”. Përgjigjja e parë se kush i tregon historitë është se ata janë burrat. Po ata janë në krye edhe të emrave të çmimeve e fituesve të tyre

Statistikat nxjerrin se 70 për qind e lexuesve në botë janë gra, por gati 100 për qind e çmimeve letrare mbajnë emra burrash.

Këto të dhëna kanë qenë vetëm njëri detaj që ka dalë në panelin në temën “Jeta versus letërsia - Kush i tregon historitë dhe kush i përhap ato?”, i mbajtur paraditen e së shtunës, në ditën e dytë të edicionit të 12-të të Festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Ka qenë vetëm një e dhënë për ta mbështetur konstatimin për mosvlerësimin e gruas në letërsi.

“Edhe ata që shkruajnë janë shumica burra”, ka thënë, shkrimtarja kroate Ivana Bodrozhiq e cila ka ndarë me publikun kosovar përvojat e saj si shkrimtare kroate. Ka qenë ajo që e ka potencuar gjithashtu se shumica e çmimeve të vlefshme në Kroaci mbajnë emrat e autorëve tashmë të njohur kroatë, por pothuajse asnjë çmim me emër gruaje. Përveç kësaj, Bodrozhiq sheh pabarazi edhe te ndarjen e këtyre çmimeve.

“Ne kemi çmimin ‘Ivo Andriq’, ‘Miroslav Kërlezha’, ‘Mesha Selimoviq’, ‘Vladimir Nazor’, por kemi vetëm çmimin e ‘Vesna Parun’ i cili nuk është aq i vlefshëm sa këta të mëparshmit. Po ashtu gratë as nuk nderohen mjaftueshëm me këto çmime në krahasim me burrat. Ato shkruajnë letërsi me vlera artistike, por pavarësisht kësaj, meshkujt kanë marrë 90 për qind të çmimeve”, ka thënë Bodrozhiqi.

Shkrimtarja nga Kosova, Mirishahe Syla, e nisi diskutimin duke përmendur ikonën e feminizmit Virginia Woolf dhe romanin e saj “Një dhomë për vete”, ku theksohet mungesa e shkrimtareve si dhe ndikimi që autorët meshkuj kanë te gratë në përgjithësi.

Syla, e cila ka përfunduar studimet për gratë dhe gjinitë në Universitetin e Iowa-s Veriore, ka theksuar se ndarja më e madhe kategorike bëhet duke pasur për bazë gjininë. Sipas saj, jeta e gruas në letërsi ka qenë e vështirë veçmas, për shkak se ajo ka qenë grua e jo burrë.

“Letërsia, kjo gjuhë e komunikimit, është përdorur nga ata që kanë fuqi mbi ata që nuk kanë fuqi, dhe ata që kanë fuqi kanë qenë burrat. Edhe gratë kanë shkruar për këtë, për faktin se si ato edhe pasi kanë botuar, nuk janë lexuar. Madje shpesh ka gra të cilat ne nuk i njohim, sepse kanë shkruar me emra burrash”, ka thënë Syla.

Letërsia sipas saj, përbën një mjet përmes të cilit, njerëzit mund të shprehin brendinë e tyre, ndjenjat e tyre dhe e cila krijon një lidhje midis njerëzve, kulturave, por edhe gjeneratave të ndryshme. Këtë ajo e thotë duke dashur të theksojë rëndësinë e shprehjes së ndjenjave të grave nga vetë gratë në letërsi.

“Ideja është se para së gjithash vetë letërsia, si gjuhë, si komunikim formal midis njerëzve, midis kulturave, midis gjeneratave dhe për gjatë gjithë kohëve është përdorur si mjet komunikimi për të shpërndarë informacione midis njerëzve. Por letërsia shkon më thellë sesa mënyra se si ne mendojmë apo si ndiejmë, dhe përtej informatave në mënyrën se si ne e shprehim brendësinë tonë me të tjerët dhe përgjatë kohës”, ka thënë ajo.

E ftuar në panel ishte edhe shkrimtarja e përkthyesja gjermane me prejardhje kroate, Alida Bremen, e cila tash e sa vjet është pjesë e festivalit “Polip”. Ka thënë se përkundër se Gjermania u përket vendeve me kulturë të lartë, në aspektin e përfshirjes së grave në letërsi, nuk qëndron më mirë sesa vendet e Ballkanit.

“Po filloj me lajme të këqija: Në këtë çështje edhe Gjermania është pothuajse ngjashëm me Kroacinë dhe vendet e Ballkanit. Edhe në Gjermani shumica e çmimeve kanë emra shkrimtarësh dhe edhe kur ndonjëherë formohen çmime që mbajnë emra e ndonjë shkrimtareje grua, ata pastaj jepen vetëm për femra, dhe natyrisht, një gjë e tillë nuk është aspak e mirë për letërsinë”, ka shpjeguar ajo.

Bremen ka thënë se nuk mund të flasë për letërsinë dhe feminizmin pa përmendur Virginia Wolfin, duke theksuar se është e pamundur të flitet për shkrimtaret e të mos përmendet Woolfi. Kësisoj, sepse ajo përbën bazën e letërsisë feministe.

“Virginia Woolf tregon se si gratë shkruajnë shumë pak dhe ende sot e kemi me patjetër që gjithmonë të kthehemi te Virginia Woolf, sepse ajo është zanafilla. Unë mbaj mend një libër të shkruar nga një burrë ku flet për 100 autorët më të mirë dhe nga këta vetëm dy janë gra, dhe aty nuk përfshihet Virginia Woolf. Dhe për mua ishte e çuditshme që ai nuk e kishte kuptuar që, për ne, autorja më e rëndësishme është Virginia Woolf”, ka thënë Bremen.

Përveç këtyre, Bremen ka bërë edhe një lidhje midis asaj se çfarë kishte shkruar Virginia dhe realitetit të sotëm gjerman. Sipas saj, ende sot, edhe në Gjermani, ndonëse vajzat përbëjnë shumicën nga studentët, kur vjen puna te pozitat e larta në universitetet gjermane, shumica janë meshkuj.

“Dua të theksoj gjithashtu edhe çështjen e universiteteve. Në një studim të saj, bërë në universitetet amerikane, Virginia Woolf del në një përfundim se 90 për qind e studentëve në shkencat filologjike janë gra, ndërsa kur jemi te personeli i arsimit, shumica prej tyre janë meshkuj. Një gjë e tillë është e pranishme ende edhe në Gjermani, por falë kuotës e cila obligon përfshirjen e dy gjinive, kjo gjë ka filluar të ndërrojë sadopak”, ka thënë ajo para publikut.

Lidhur me atë se sa shkruajnë gratë, shkrimtarja turke, Şebnem İşigüzel, ka thënë se shkrimtaret turke janë shumë produktive dhe janë mjaft të pranishme në letërsi. Por, kjo nuk mjafton. Sipas saj, shkrimtaret nga Turqia hasin në një tjetër problem, i cili lidhet me parashikimin që të tjerët kanë për to.

“Në Turqi pavarësisht pengesave, gratë janë mjaft produktive. Megjithatë, shumica e këtyre grave nuk mund të dalin jashtë kufijve të Turqisë për shkak të pritshmërisë së të tjerëve. Dua të them se në botë ka pritshmëri të caktuara se si një shkrimtare turke duhet të shkruajë, duke e lidhur atë veçmas me fenë myslimane”, ka thënë ajo.

İşigüzel përveç tjerash, ka theksuar problemet me të cilat shkrimtaret turke përballen brenda Turqisë. Duke sjellë përvojat e veta para publikut, ajo ka treguar edhe për paragjykimet dhe stereotipizimet që asaj i bëhen brenda vendit të vet.

“Njerëzit shpesh kanë pyetur për mua se si unë mund të jem edhe nënë edhe shkrimtare. Shkrimi im lidhet me punën time si artiste, ndërsa amësia lidhet me pasionin dhe dashurinë. Kur unë nuk jam frikësuar t’i prek tabutë, nga burrat jam cilësuar si ‘e guximshme si burrë’,”

“Polip” këtë vit po mban edicionin e 12-të me radhë nën temën “Shkrimtari është prezent”, ku të pranishëm do të jenë shkrimtarë vendorë dhe ata ndërkombëtarë.