Shtojca për Kulturë

Bienalja e grave

Në një vit sizmik, artistet zënë skenën qendrore, ndërsa një reagim i ndrojtur institucional e lë Ukrainën të përballet me trimëri

Është bienalja më e rëndësishme në kujtesën e gjallë. Kurrë s’kam parë diçka të tillë. Kjo nuk ka të bëjë fare me luftën, megjithëse pavijoni rus është mbyllur dhe super-jahtet me ngjyrë të kuqe janë dëbuar të gjithë, siç duhet. As nuk ka të bëjë me vonesën njëvjeçare të shkaktuar nga pandemia, e cila nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në mijëra vepra arti; as nuk ka të bëjë me vetë artin.

Përkundrazi, është një ndryshim epokal në qëndrime. Për herë të parë ka më shumë femra se meshkuj, kudo nga Giardini deri tek Arsenale dhe konkretisht në ekspozitën kryesore grupore që zhvillohet në të dyja. Një kastë e tërë që kanë qenë duke e pritur këtë moment për një kohë të gjatë, tani po luajnë përpara skenës. Edicioni i 59-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia do të mbetet në histori si bienalja e grave.

Image

“Dreams Have No Titles” (Ëndrrat nuk kanë tituj) nga Zineb Sedira (Foto: David Levene/The Guardian)

Tashmë, goditja nga zjarri është artistja me prejardhje algjeriane, Zineb Sedira, nga pavijoni francez në Giardini. Ekspozita e saj është një magjepsje e gjallë. Ju hyni direkt në një performancë joshëse: një çift me veshje mbrëmjeje duke vallëzuar nën tingujt e një fizarmonike drithëruese, në një bar parisien, i cili duket sikur një set i filmave të kohës. Ashtu siç është në të vërtetë, së bashku me grupet e tjera të shëtitjes rreth tij – dhomat e ndenjës në Algjerinë e viteve ‘50, Parisin e viteve ‘60 dhe Londrën e viteve ‘80 – të gjitha këto rishfaqen në ekranin e një kinemaje arti të modës së vjetër në fund të pavijonit.

Këtu, Sedira është duke shfaqur një film, i cili gërsheton historinë e familjes së saj në historinë post-koloniale duke përdorur vetë mediumin e kinemasë në mënyrat më tërheqëse. Duket se po shikoni një klip nga kryevepra bardh e zi e Gillo Pontecoros e vitit 1966, “The Battle of Algeries” (Beteja e Algjerisë), përveçse skena është me ngjyra misterioze: a është ky një aktor i gjallë që luan rolin tani? Cili film i kujt është? Një dorë zgjatet në skenë dhe rirregullon dhomën mu para syve tuaj? Vetë Sedira shfaqet, disi aty në mes të algjerianëve që mbërrinin në Francën e viteve ‘50, para se të lindte, së bashku me miqtë dhe familjen. Ajo përdor rrjedhën e qetë të filmit për të vënë në dyshim çka është e vërtetë e çka është fiksion në histori, sikurse në kinema. Dhe e gjithë kjo vallëzon së bashku me një elegancë dhe kompleksitet të tillë, si vetë Sedira, ende e zymtë kundrejt titullit të fundit.

Image

“Feeling Her Way” (Duke ndier rrugën e saj) nga artistja Sonia Boyce (Foto: Action Press/Rex/Shutterstock)

Një nga personazhet e saj nuk është askush tjetër, por Sonia Boyce, gruaja e parë me ngjyrë që përfaqëson Britaninë në pavijonin ngjitur. Vepra e saj është edhe më bashkëpunuese, një polifoni magjepsëse femërore që përfshin pesë këngëtare, duke përfshirë të mrekullueshmen Tanita Tikaram dhe Jacqui Dankworth, duke ndier rrugën e tyre përmes një improvizimi muzikor në ekrane të veçanta. Ata nuk mund ta shohin njëri-tjetrin, siç mundemi ne, dhe megjithatë zërat e tyre mbështillen, rregullohen, përshtaten me njëri-tjetrin sado të dallueshëm. Duke vrapuar gjithandej nga blues te folk, pop dhe jazz, duke gumëzhuar dhe himnizuar, nga të ulëtat dhe grykoret, te të lartat dhe të dridhurat, ata disi shkojnë në të njëjtin drejtim. Skulpturat e arta 3D të Boyce bëhen vende për dëgjuesit dhe bazamente për një tufë albumesh me zbritje nga artistet femra me ngjyrë nga Shirley Bassey te Beverley Knight e tutje. I gjithë instalimi është si një sension provash për bendet e ëndrrave, të historisë së afro-amerikanëve.

Ashtu si Boyce, Simone Leigh është gruaja e parë afro-amerikane që përfaqëson vendin e saj në pavijonin e SHBA-së, të cilin e ka veshur me kashtë që të duket si një ndërtesë tradicionale e Afrikës Perëndimore. Një figurë femër me një disk konkav, së cilës i duket koka mbi oborr: 24 këmbë prej bronzi të zi. Skulpturat me përmasa të mëdha të Leighit kanë kuptim në bardhezi – një grua e bardhë në një krinoline prej porcelani, që thyhet lehtësisht; një skllav i zi i përkulur mbi vendin ku lahet rrobat, i punuar në bronz të fortë. Punimet më të mira të saj, si figura monumentale në formë kambane e titulluar “Brick House” (Shtëpia me tulla), e shokon shikuesin me forcën e tyre të plotë materiale.

Image

“Cupboard” (2022) nga Simone Leigh (Foto: David Levene/The Guardian)

Ekspozita e madhe grupore e këtij viti, “The Milk of Dreams”, e kuruar nga Cecilia Alemani, e merr titullin nga një përrallë e Leonora Carringtonit, me origjinë britanike, e cila është në qendër të një mini-sondazhi intensivisht intim dhe të frikshëm të surrealisteve femra për të rivalizuar Blockbusterin e madh të surrealizmit në fondacionin “Peggy Guggenheim” në Dorsoduro. Ka “kapsula” të tilla kudo, disa historike dhe madje edhe studiuese dhe shumica e veprave, në këtë kontekst, duken si surrealizëm i lulëzuar vonë.

Nga 213 artistë, vetëm 21 janë meshkuj, gjë që paraqet një përmbysje të plotë. Akoma më e habitshme është risia që, edhe pas një ecjeje të gjatë, nuk shihet një trup i vetëm mashkulli. Triumfi i kuptimit të përgjithshëm, është një prezantim i mrekullueshëm i pikturave dhe figurave të mbushura nga Paula Rigo, kulmi i tyre është një altar prej kabinave të vjetra të mbushura me gra të letërsisë dhe folklori të cilat kanë rënë nga hiri. Disa janë rritur por ende janë në rrobat që duhej t’i vishnin në jetimore, njëra duke shtrënguar një jetim të vetin. Shoqëria nuk do t'i lërë kurrë të çlirohen nga e kaluara e tyre.

Image

Një vizitor shikon “Oratorio” (2009) nga Paula Rego (Foto: Vincenzo Pinto/AFP/Getty Images)

Qepje, thurje, nyje, tapiceri – fije të të gjitha llojeve enden nëpër këtë bienale, nga kopshtet e varura, jashtëzakonisht delikat, të artistes së nderuar kiliane Cecilia Vicuña te tapetet verbuese op-art të një Kosove të ringjallur në pavijonin e saj. Më të mahnitshmet janë muret e mëdha të pikturuar që kalojnë gjatë gjithë rrugës rreth pavijonit polak (përfshirë shtyllat trompe l'oeil) i bërë tërësisht në appliqué nga artistja e re romano-polake Małgorzata Mirga-Tas me tre bashkëpunëtorët e saj.

Bazuar në afresket e Rilindjes në Ferrata, kjo merr formën e rrëfimit në tri nivele: historia e Polonisë që vrapon rreth e qark majës, mbi një cikël zodiak me dele të arta dhe gaforre vezulluese të kompletuara me imazhe të heroinave polake; poshtë tyre një sekuencë e tablove të përditshmërisë: gratë që takohen, këndojnë, pinë kafe, jashtë në fusha duke mbledhur patate ( shportat plastike të konceptuara në mënyrë gjeniale), që nga lindja deri në pleqëri dhe vdekja. Është një vizion i bujarisë dhe humorit – personazhe të përshkruara me zgjuarsi në vetë pëlhurat që mund të kenë veshur në jetë – që kërkon shkathtësi të madhe estetike për të përcjellë gjithçka, nga rënia e butë e gjetheve deri te pikëllimi i thellë në copa rrobash. Kini parasysh vetëm se katër gra polake i krijuan të gjitha këto nga e para, në pesë muaj të shkurtër, ndërsa Gjermania nuk erdhi me ndonjë gjë, fjalë për fjalë – dyshemeja lart, tullat e ekspozuara, pavijoni bosh, ndërsa një artiste tjetër “rizbulon” të kaluarën e saj. Është pothuajse e pamundur të injorohet analogjia gjeopolitike.

Image

“Max Is in the Army” i Lesia Khomenkos (2022) në Qendrën e Artit Pinchuk në Venecia (Foto: David Levene/The Guardian)

Natyrisht, pavijonet ishin porositur para lufte, arti nuk është një vegël apo diçka e tillë. Por spektakli në Venecia është se Ukraina po përballet me guxim. Artisti dhe kuratori i pavijonit të Rusisë dha dorëheqjen qysh në fillim të luftës, kështu që bienalja nuk duhej të merrte kurrë vendimin moral për ta mbyllur atë (një nga “producentët” e saj të kontraktuar, jo rastësisht, është vajza e Sergei Lavrov). Por spekulimet rreth vlerës së diplomacisë së butë – apo parave të artit rus – nuk fillojnë të shpjegojnë ndrojtjen e reagimit institucional. Bienalja përfundimisht i ofroi Ukrainës një lëndinë të vogël në Giardini si një pavijon i përkohshëm dy javë më parë, ku artistët e saj kanë ngritur një monument me thasë rëre dhe arti do të prodhohet spontanisht deri në nëntor. Por ku është flamuri masiv që duhet të jetë i dukshëm nga sheshi i Shën Markut deri në Lido? Kam parë më shumë flamuj ukrainas në cepin tim të Londrës jugore.

Pavijoni zyrtar nuk është gjë tjetër veçse një mur mes Kosovës dhe Turqisë në Arsenale. Por edhe në këso rrethanash, “shatërvani” prej 78 hinkave të bronzta të Pavlov Makovit, nëpër të cilat uji gradualisht zvogëlohet në pika të pakta, ka një bukuri të thellë dhe melankolike. Fillimisht u konceptua në vitin 1995, por asnjëri që e shikonte tani nuk mund të mos mendonte për ukrainasit që vdisnin nga dehidratimi në Mariupol.

“Kjo është Ukraina: Duke mbrojtur lirinë tonë”, është një ngjarje kolaterale, jashtë vendit në Cannaregio, e mbështetur nga oligarku ukrainas Victor Pinchuk. Të vendosura në intervale nëpër ndërtesën e Renesancës janë pikturat gjigante të civilëve, të Lesia Khomenkos, me rroba të zakonshme që mbajnë një armë në njërën dorë dhe përshëndesin me tjetrën. “Max Is in the Army, 2022”, është titulli i serisë. Max, gjithashtu një artist, është burri i Khomenkos.

Ka forcë dhe ngushëllim kudo: në pikat e mrekullueshme të shiut të Maltës që ndriçojnë errësirën në nderim të Caravaggios, në pavijonin inaugurues të Kamerunit me fotografitë e tij të grave që shpërthejnë nga piktura njëngjyrëshe në plot ngjyra, në pavijonin gazmor të Zelandës së Re, ku një artist polinezian dërgon Gauguin në një emision televiziv. Mbi të gjitha në filmat e lavdishëm të Francis Alÿs në Pavijonin e Belgjikës. Lojërat për fëmijë – një nderim i vazhdueshëm për Bruegelin, bashkatdhetarin e Alÿs – përmban gara me kërmij, lojën fshehurazi, kapërcime konkurruese, lojëra të përpunuara që nuk përfshijnë asgjë më shumë se guralecë dhe vrima në rërë. Dhe e gjithë kjo, gjithë ky gëzim në rritje, ky improvizim i gëzuar, luhet në rrënojat e varfërisë dhe të luftës në mbarë botën.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Mirjetë Sadiku

Image

“Glorious”: Lojë për Fëmijë #26 nga Francis Alÿs (Foto: Francis Alÿs)