Shtojca për Kulturë

Rugova ishte i madh edhe kur ishte i vogël

Ibrahim Rugova (2 dhjetor 1944 – 21 janar 2006)
 

Që në rininë e hershme të tij, pas lirikave të kulluara që kishte botuar në periodikun letrar të kohës, ai kishte zënë të “bisedonte” me penat më të njohura të poezisë kombëtare dhe botërore. Me shkrimet e tij në revistën “Fjala”, rëndom në faqen e nëntë të saj, në rubrikën e titulluar “Zenite letrare” ai na shpalosi poezinë e Serembes, Nolit, Migjenit, Lasgushit, por edhe të Tagores, Khajamit, Nerudës, Lorkës, Jeseninin, Bodlerit, Shellit, Preverit, na shpalosi shpirtin e këtyre poetëve të mëdhenj, botën e tyre të brendshme…

Rugova ishte i madh edhe kur ishte i vogël. Këtë e kisha si perceptim dhe si përshtypje nga rrëfimet e të afërmve të tij, të arsimtarëve, të shoqeve dhe shokëve të tij të shkollës. Ndaj, gjatë mësimit në të njëjtën shkollë fillore, mbi një decenie pas tij, komplimenti më i madh që ndieja të më bëhej ishte se disa arsimtarëve, ndonjëherë, sidomos në rastet kur si nxënës botoja ndonjë shkrim në të përkohshmet e atëhershme letrare, ua kujtoja Ibrahim Rugovën.

Përmendja e tij në këtë kontekst, pothuajse vetvetiu ma bënte atë njeri të dashur dhe të respektuar. Të tillë e pashë dhe e përjetova gjithnjë Ibrahim Rugovën, edhe atëherë kur e takoja, edhe kur e shihja duke ecur qytetit, sidomos kur i lexoja shkrime apo libra. Duke qenë nga i njëjti vend dhe duke mësuar që herët për fatin e tij, e sidomos duke ia lexuar shkrimet, ai më qe bërë model i njeriut-Njeri, model i artistit, i shkrimtarit, i intelektualit, por ndërkohë edhe i politikanit.