Artisti bisedon rreth asaj sesi e procesoi eksperiencën e tij si refugjat i luftës në Kosovës në një ekspozitë që u hap në “Tate St Ives”
Kur Petrit Halilaj mori konfirmimin se ai është pjesë e Bienales së Beogradit (2020) u befasua kur gjeti një vend bosh pranë emrit të tij, aty ku duhet të ishte vendlindja. Artisti është nga Kosova, një vend i njohur nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së — por jo nga Serbia, nga e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një konflikti të gjatë që kulmoi me luftë në fund të viteve 1990, atëherë kur Halilaj ishte në fillimet e adoleshencës. Kështu familjen e tij u vendos në një kamp refugjatësh për më shumë se një vjet.
Kjo mospërmendje e Kosovës e kishte tronditur atë, duke vënë në pah diçka që ai kishte menduar – sesi një artist me nam e që jeton dhe punon midis Gjermanisë, Italisë dhe Kosovës, ai e kishte tejkaluar atë. Duke hulumtuar më pas literaturë që flet për traumat, ai zbulon se është e zakonshme që të kalojnë 20 vjet para se një person të mund t’i rivizitojë ankthet e veta.
“Ia kujton vetes se gjëja kryesore është se ke mbijetuar”, ka thënë ai përmes një bisede telefonike nga Berlini.
Halilaj, tani 35-vjeçar, ishte tërhequr nga Bienalja, mirëpo efekti i letrës së hapur, që e publikoi në lidhje me këtë rast, ishte i thellë. Befas ai gjeti kurajon për të rishqyrtuar vizatimet që i kishte bërë si 13-vjeçar gjatë luftës në kampin e refugjatëve në Kukës. Kishte lënë pas vizatimet të cilat i kishte realizuar me Giacomo Polin, psikolog italian, që tani e ka mik të ngushtë e që kishte vizituar kampin në vitin 1999, duke inkurajuar fëmijët që të vizatojnë, në vend se të flasin për atë që kishin parë.
“Gjithmonë si fëmijë kam qenë me rehat kur kam vizatuar dhe jo kur kam folur”, ka thënë Halilaj. “Dhe, kur isha 13-vjeçar po bëhesha gjithnjë e më shumë introvert”.
Rasti me Beogradin konsistoi me një ftesë për të realizuar një ekspozitë për “Tate St Ives”. Ashtu si veprat e mëparshme, ekspozita ishte një referencë ndaj vendlindjes së artistit, Runikut, duke hulumtuar faktin se ai është i ndërtuar mbi rrënojat neolitike dhe duke hulumtuar pikëpamjet bashkëkohore të asaj historie. Por, në atë kohë idetë ishin hedhur poshtë, pandemia i pamundësoi udhëtimet dhe bartjet e artefakteve që kërkonte ekspozita. Një ekspozitë e bazuar në vizatimet që Halilaj i kishte realizuar gjatë qëndrimit në kampin e refugjatëve kishte nisur që të merrte formë si një alternativë.
“Petriti ka thënë, ‘Unë nuk jam i sigurt që jam gati, por nëse mund të jem, ajo që do të doja të bëja do të ishte një rishqyrtim i vizatimeve”, ka kujtuar drejtoresha e galerisë “Tate St Ives”. “Pas një kohë, kjo ishte diçka që ai çdo herë e më shumë e ndiente se duhej bërë”.
Rezultati është “Very volcanic over this green feather” – titulli është aludim te konfuzioni emocional i fshehur nga peizazhi përrallor dhe i ndritshëm që artisti fillimisht shfaq para nesh. Instalacioni që mbush galerinë shfrytëzon në mënyrë të mrekullueshme hapësirën në galerinë “Tate St Ives”, që u shtua në vitin 2017. Dhe gjatë rrugës për atje ju keni mundësinë që të shihni koleksionin e përhershëm, që më zgjuarsi vë rrëfimin për “St Ives” dhe modernizmin në një kontekst më global.
Brenda ekspozitës së përkohshme, Halilaj na fton që të eksplorojmë një pyll të dendur me fragmente nga vizatimet e adoleshencës së tij, të zmadhuara, printuara dhe të varura nga tavani. Në hyrje të jep pamjen e një peizazhi ekzotik dhe tërheqës, bashkë me kafshët dhe zogjtë – një pëllumb, disa papagaj dhe një pallua. Ndjeke rrugën drejt fantazisë së tij, në çfarëdo mënyrë dhe kthehu prapa. Derisa kthehesh hapave të njëjtë, vend zë errësira e luftës – shtresë pas shtresë dalin fragmentet, shtëpia e djegur, eksplodimi i bombave, ushtarët serbë me thika e armë dhe varre masive. Nuk janë përshkrime të drejtpërdrejta të asaj që ai ka parë dhe Halilaj ka shpjeguar se vizatimet janë kombinim i imazheve nga mediat, imagjinatës së tij dhe asaj që ai me të vërtetë ka parë.
Në qendër, pak si anash, Halilaj prezanton veten e tij, imazhi i djalit të vogël nuk vjen nga 38 vizatimet që ai i ka bërë me Angelon, por një që ai kishte për t’ia treguar Kofi Annanit, ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, që kishte parë artistin e ri në televizor dhe kishte kërkuar që ta takonte kur vizitoi kampin. Figura është e njëjtë në të dyja anët, i vetmi element i këtij instalacioni që prek tokën dhe shihet në të dy drejtimet.
Halilaj dhe familja e tij u kthyen në Runik disa ditë pasi që forcat paqësore të NATO-s arritën në Kosovë në qershor të 1999-s. Bombardimet e NATO-s e kishin detyruar Serbinë që të pranonte marrëveshjen për paqe. Shtëpia e tyre ishte shkatërruar, kështu që ata vendosën një tendë në oborr.
“Kishte mina, por ne nuk u shqetësuam”, ka thënë ai. “Ishim të lumtur që po ktheheshim, që po shihnin përsëri vendin pa frikë nga vdekja”.
Baza e krijimtarisë së tij, që e ka nisur që kur shkoi në Itali në vitin 2004 për të mësuar në Akademinë e Arteve të Bukura “Brera”, në Milano, i ka rrënjët te biografia e tij, me Runikun dhe shtëpinë e djegur që luan rol të rëndësishëm. Për edicionin e gjashtë të Bienales së Berlinit, në vitin 2010, ai kishte rikrijuar skeletin e shtëpisë, me pula të gjalla që endeshin përreth dhe mungesa e mureve theksonte pamundësinë për t’u ndier i sigurt.
Kujtimet nga fëmijëria e tij dhe përjetimi i eksodit dhe zhvendosja u shfaqën përsëri në vitin 2013, kur ai përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias. Instalacionet pasuese morën formë nga grafitet e vizatuara në banka shkollore, që ishin gati të shkatërroheshin dhe një shfaqje që ai mbajti në rrënojat e qendrës kulturore në Runik, i dha më vonë çmimin “Mario Merz”, në vitin 2017.
Zogjtë, veçanërisht zogjtë migrues – që bëjnë distanca të mëdha, që dinë se kur të pushojnë e kur të kthehen pas – e mahnitin artistin. Ata shfaqen përgjatë veprave të tij, si një metaforë ose për njerëzit që lëvizin, ose për imagjinatën. Ndonjëherë, ai ka thënë se është veshur si një zog për ta pasur mundësinë që t’iu ikur diskutimeve për veprat e tij. “Zogjtë kanë ardhur në forma të ndryshme dhe disi e ndiej se ata gjithmonë kanë ardhur për të më shpëtuar!”
Në “St Ives”, Halilaj ndjek dëshirën e tij për të kuptuar botën, por edhe identitetin e tij pa xhaketën ngushtuese të kombësisë dhe atdhetarisë.
“Është më shumë udhëtimi im për atë që bëj”, ka thënë ai. Por, ai shpreson që ekspozita të shkojë përtej historisë së tij personale.
Fragmentet në ekspozitë nuk janë vetëm për humbjen, kujtimet dhe të kaluarën: janë edhe për zgjedhjet që ne bëjmë, gjersa ndërtojmë të ardhmen.
“Ne jemi gjithmonë në gjendje që të mohojmë pjesët e rrëfimit që nuk dëshirojmë që t’i shohim”, ka thënë ai. Edhe tani ai është i etur për të marrë pjesë në rindërtimin e Kosovës dhe së fundmi ishte në kryeqytet, në Prishtinë, si pjesë e një kampanjë që të drejtat e komunitetit LGBT+ të përfshihen në Kushtetutën e re. Optimizmi i tij është i dukshëm. “Nuk e kam ndërmend të heq dorë nga të ëndërruarit për një të ardhme me të mirë”.
Ekspozita është e hapur deri më 16 janar të vitit 2022.
Marrë nga “Financial Times”. Përktheu Alberina Haxhijaj