Shtojca për Kulturë

Duke mos i financuar hulumtimet e botimet, UP po vazhdon ta mohojë gjuhën shqipe si gjuhë të dijes

Descriptive Text

Nuk ka asnjë të keqe që UP-ja i financon/shpërblehen botimet në gjuhë të huaja; kemi nevojë të ndërkombëtarizohemi. Po, ky është fakt dhe një politikë e tillë është e nevojshme. Por, në anën tjetër, UP nuk e financon fare librin në gjuhën shqipe dhe nuk ka financime për hulumtime shkencore. Kjo është politikë krejtësisht përjashtuese.

Profesorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP-së) janë të obliguar që të ligjërojnë në gjuhën shqipe. UP-ja konsiderohet si qendër albanologjike dhe studimet duhet të realizohen në gjuhën shqipe. Por, profesorëve të UP-së nuk u financohen botimet në gjuhën shqipe. Kërkimet jo se jo, por as botimet e gatshme.

Në anën tjetër, sipas rregullores së fundit (3/879), të nënshkruar nga Këshilli Drejtues i UP-së më 11.12.2020, ndahen fonde për botimet e profesorëve në revista shkencore të ranguara lart në databaza ndërkombëtare dhe në shtëpitë botuese në gjuhë të huaja. Asnjë revistë shqiptare nuk është në këto ranglista të revistave prestigjioze. Asnjë shtëpi botuese shqiptare, përfshirë universitetet e institutet, nuk konsiderohen të denjë për botime që mund të financohen.

Nuk ka asnjë të keqe që UP-ja financon/shpërblehen botimet në gjuhë të huaja; kemi nevojë të ndërkombëtarizohemi. Po, ky është fakt dhe një politikë e tillë është e nevojshme. Por, në anën tjetër, UP nuk e financon fare librin në gjuhën shqipe dhe nuk ka financime për hulumtime shkencore. Kjo është politikë krejtësisht përjashtuese. Kjo politikë është kundër gjuhës shqipe si gjuhë e dijes.

Ka mendje kallëpë, pa afinitet kulturor, që nuk dinë të flasin në gjuhën angleze, por kanë shkrime në gjuhën angleze, të cilët thonë “Shkenca flet në gjuhë ndërkombëtare e gjuhë ndërkombëtare është gjuha angleze”. Kjo është fyerje ndaj gjuhës shqipe e ndaj kulturës shqiptare. Jo vetëm ndaj gjuhës shqipe, por ndaj idesë së diversitetit gjuhësor, veçantisë kulturore e zhvillimit ndërkulturor njerëzor.

UP-ja e përgatit shoqërinë për t’u integruar në Evropën e kulturës “in varietate concordia” (të bashkuar në diversitet), por është në kundërshtim të plotë me këtë kulturë në politikat e financimit, të hulumtimit e botimit. Gjuha shqipe nuk konsiderohet si gjuhë e dijes e shkencës, sepse UP-ja nuk e financon botimin në këtë gjuhë.

Së fundi, edhe Agjencia e Akreditimit e Kosovës ka nisur me fletërrufetë e njëjta. Me kërkesat e fundit të kësaj Agjencie i jepet edhe një vulë politikës së mohimit të gjuhës shqipe. S’mund të akreditohet programi studimor nëse profesorët bartës të programit s’kanë shkrime në revista të ranguara në databaza specifike. Pra, kjo do të thotë që vazhdojnë studimet veç kur profesorët botojnë në revista në gjuhë të huaja.

Paradoksi është se flasim shumë për bashkëpunim ndërkombëtar e ndërkombëtarizim. Flasim për botime në gjuhë të huaja, ranglista e “webometrics”. Mundohemi ta shndërrojmë UP-në në universitet me pozitë të lartë në ranglista revistash shkencore, ku ka edhe shkrime sipërfaqësore.

Por, fatkeqësisht, UP-ja nuk është brenda rendit të reciprocitetit. Ne dërgojmë qindra studentë çdo vit, përmes ERASMUS-it, në universitete evropiane, por nuk kemi fare, ose i njehim në gishta të njërës dorës, studentët që vijnë te ne në UP, për të ndjekur një lëndë përmes programit të shkëmbimit ERASMUS +.

Nëse UP-ja nuk e trajton gjuhën shqipe si gjuhë të dijes, atëherë shumë shpejt do ta humbë betejën. Do të bëhet lypsare institucionale për studentë. Të tjerët do të “shkëlqejnë” në gjuhë të huaja e në ndërkombëtarizime. UP-ja do të mbetet as me shehër as me Barilevë, siç thotë populli.

Arsim Canolli është profesor në Departamentin e Antropologjisë/Fakulteti Filozofik/Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”