Ishin Branka Parliq dhe Natasha Peneziq, të cilat sollën uniken e minimales përbrenda koncertit “Pavana and more”, me frymën e përjashtimit të paragjykimeve post-historike e politike dhe me diversitetin e moshave
Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë në Prishtinë i kishte ngjarë emrit, duke sjellë melankoli me ngjyrat që binin mbi dyshen e pianisteve, të cilat duke qëndruar ballë për ballë me njëra-tjetrën, prisnin momentin e pushtimit nga tingujt, nëpërmjet të cilëve shkriheshin teoritë nacionaliste dhe paragjykimet ndëretnike. Qe paralajmërimi për zhytjen universale në ndjenjat që burojnë nga muzika.
Në skenë u shfaqën dy pianistet serbe, të cilat për dallim nga kolegët e tyre shqiptarë në Beograd në edicionet e kaluara, në Prishtinë mbrëmjen e së premtes u duartrokitën gjatë dhe u vlerësuan qetësisht, pa protesta dhe hallakamë, në edicionin e 8-të të festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”.
Ishin Branka Parliq dhe Natasha Peneziq, të cilat sollën metamorfozën kafkiane dhe shtypjen njerëzore nëpërmjet tingujve, përkujtimin për vdekjen e personaliteteve të rëndësishme, meloditë e veprave filmike, dedikimet për emigrantët e frymëzimet që secila prej tyre përbëjnë uniken e minimales përbrenda koncertit “Pavana and more”.
E gjithë qetësia e sallës u zëvendësua me gjallërimin ambiental përmes lëvizjes herë të gishtërinjve të njërës e herë të tjetrës në piano, teksa publiku ndeshej me një koordinim tejet delikat, ku një tingull ndjek tjetrin. Thellësia në një notë dhe ndjesia që ajo fal derisa pianistja përballë bën lëvizjen tjetër artistike, e dërguan audiencën në dramacitet, butësi dhe emocion përgjatë lojës së tyre në Prishtinë.
“Mr. Anderson’s Pavana” u bë vepra e parë, të cilën e ekzekutuan bashkë – prej së cilës edhe e ka marrë emërtimin koncerti – për të vazhduar me “Mindfields”, “Ellis Island” dhe në fund “White’s SS” si duo. Ndërkaq, si e vetme, Branka Parliq i dha jetë “Metamorphosis Two” dhe “After Handel’s “Vesper”, kurse “The time curve preludes” u interpretua nga Natasha Peneziq.
Shtatë veprat nga kompozitorët anglezë, amerikanë e serbë – Steve Martland, Philip Glass, Dragolub Iliq Ilke, Gavin Bryars, Meredith Monk, William Duckworth, Gavin Bryars – e bënë publikun të depërtojnë në botën e melodive pianistike për pesëdhjetë minuta.
Për Parliqin kjo nuk ishte hera e parë në Kosovë, për shkak se kishte interpretuar dy herë më parë në festivalin ndërkombëtar të muzikës, “ReMusica”, ndërkaq Peneziqi, Prishtinën e pati “premierë”.
“Organizimin e festivalit ‘Mirëdita, Dobar dan!’ e cilësoj të mrekullueshëm dhe jam duke e shijuar qëndrimin këtu”, ka thënë KOHËN, Natasha Peneziq, e cila ka shëtitur në disa festivale nëpër Evropë.
Si ish-studente e masterit në Kolegjin e muzikës “Royal” në Stokholm, Peneziq ka thënë se përmes këtij koncerti e ka ndier një pranim të përzgjedhjes krijuese nga organizatorët.
“Është eksperiencë e mrekullueshme për çdo muzikant të performojë në vendet ku ata ndiejnë pranimin e zgjedhjes së repertorit”, ka shtuar ajo.
Të njëjtin mendim e pati edhe njëra ndër interpretueset më me nam në ish-Jugosllavi, Branka Parliq.
“Me të vërtetë e kemi ndier këtë, sidomos me muzikën të cilën e performuam sonte”, u shpreh ajo për KOHËN, si ish-studente e Universitetit të Beogradit dhe Akademisë Muzikore verore në Nice të Francës.
Pavarësisht përgatitjeve profesionale dhe karrierës në muzikë, ajo që i bashkoi të dyja ishte dëshira e madhe për muzikën minimaliste, e cila linte një shije të hollë te publiku përmes tingujve.
“Pavana and more” u bë “pagëzimi” i triumfit të tyre, duke pasur frymëzim veprën e parë, të cilën e interpretuan, e që është kompozuar nga Steve Martland për ansamblin “Maarten Altena” e që u jetësua në skenë në vitin 1994 në Rotterdam të Amsterdamit.
Nga shënimet private të kompozitorit bëhet e ditur se dedikimi i kësaj vepre qëndron te vdekja e regjisorit britanik, Lindsay Anderson, e cila si vepër ka motive të periudhës së renesancës.
“Edhe pse i kompozuar pa një bashkëpunëtor koreografik, unë e imagjinoja muzikën si një vepër për teatrin – një vallëzim i ngadalshëm dhe madhështor, ritualistik”, kishte shkruar Steve Martlan.
“I kemi përzgjedhur këto vepra për shkak të interesimit tonë në muzikën e re, të ashtuquajtur si ‘minimaliste’ apo ‘post-minimaliste’ ”, ka thënë Parliq.
Të dyja u shprehën se janë ndier tejet mirë teksa performuan veprat e këtyre kompozitorëve, të cilat “pak performohen për publikun”.
E, ajo e cila e shijoi këtë koncert për të parën herë në Prishtinë ishte vullnetarja e edicionit të 8-të të “Mirëdita, Dobar dan!”, Selena Gjuriq.
“Ka qenë e mrekullueshme, kam takuar shumë njerëz dhe gjithçka ka dalë përtej pritjeve të mia”, ka thënë adoleshentja, e cila ka pasur dëshirë të kamotshme për të punuar për këtë Festival.
Sipas saj, ky Festival po bën punë të mirë, teksa ka thënë se i duket interesant numri i madh i pjesëmarrësve në çdo aktivitet.
“Kosova është e mrekullueshme, më duhet ta pranoj se jemi detyruar të mendojmë në një formë të ndryshme për të ose të jemi edhe të frikësuar. Ndërkaq, tash jam duke u ndier tejet mirë, njerëzit janë shumë të mirë, pritja ka qenë në nivel të shkëlqyer. Nuk kam asgjë të keqe për të thënë për Kosovën”, ka thënë ajo. “Të gjithë na shikojnë kur flasim në gjuhën serbe, por nuk mendoj se kjo ka ndonjë motiv negativ. Nuk kam takuar ende dikë që ka pasur paragjykime”, ka thënë ajo kur u pyet për pritjet e të tjerëve.
Ndërkohë, Ilia Kristiq që në përvojën e tij të parë në Kosovë ka thënë se “është këtu për të ndihmuar”, natyrisht duke qenë edhe ai vullnetar i Festivalit.
“Mikpritja ka qenë e jashtëzakonshme. Nuk dua ta them, por kjo është ‘surprizuese’, sepse njerëzit janë frikësuar për mua dhe kanë qenë skeptikë se si do t’ia dal mbanë”, ka thënë ai teksa ka treguar se çfarë i kishin thënë para se të vinte në Prishtinë.
Ai e pranon faktin se organizimi i “Mirëdita, Dobar dan!” në Beograd ka pasur dallime nga ky në kryeqytetin kosovar, pavarësisht që s’ka qenë pjesë e organizimit.
“E di sa shumë policë dhe protestues ka pasur në edicionet paraprake në Beograd. Këtu është diçka tjetër, është shumë ‘chill’. Janë disa policë, por njerëzit janë duke reaguar shumë normalisht”, ka vlerësuar i riu nga Serbia.
-
17 tetor 2021 19:00
-
Shpërndaje në: