Shtojca për Kulturë

Shqipëria – tokë e panjohur për Evropën dhe dalja nga vetizolimi

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve ishte shkaku i vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman, Hans Dietrich Genscher, në Tiranë. Pa dyshim, kjo ishte ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, sepse edhe formalisht po hiqte dorë nga politika e vetizolimit. Në kujtimet e tij, Genscheri shkruan: “Më 23 tetor shkova për herë të parë në Tiranë. Shqipëria ishte kthyer në një lloj Terra incognita për Evropën, njëkohësisht si vendi i vetëm në kontinent që nuk ishte anëtar i KSBE-së. Në kohën kur unë vizitoja Shqipërinë, nuk jetonte më diktatori i vjetër komunist Enver Hoxha, që kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me shumë vende, përfshirë edhe me Gjermaninë

Çështja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe konsiderohej se nuk ishte e mirë dhe e dobishme vetëm për Shqipërinë dhe RFGJ-në, por edhe në të njëjtën kohë edhe një akt me vlerë politike që i kontribuonte forcimit të paqes dhe sigurisë në Evropë.

Po ashtu, u diskutuan edhe çështjet teknike për hapjen e ambasadave në Tiranë dhe në Bon, si dhe u vendos për grupet e ekspertëve që të zhvillonin bisedimet e mëtejshme në Shqipëri ose në RFGJ. Në përputhje me këto konkluzione, në qershor të vitit 1987 delegacioni i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë zhvilloi në Tiranë bisedime teknike dhe u konkludua që dokumentet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve të nënshkruheshin në Tiranë më 15 shtator 1987. Gjatë bisedimeve që u zhvilluan më 15 shtator 1987 në Tiranë, midis delegacionit të Qeverisë së Shqipërisë dhe delegacionit të Qeverisës së Republikës Federale të Gjermanisë mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe çështjeve që lidhen me këtë, u ra dakord për tekstin e dokumenteve të mëposhtme:

Komunikata mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve (Aneksi 1); Letërkëmbimi mbi rregullin e çështjeve që lidhen me vendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve (Aneksi 2).

Të dyja palët u morën vesh, që dokumentet e përmendura në pikat 1 dhe 2 t’u paraqiteshin qeverive të tyre për dijeni dhe miratim. Pas miratimit të dokumenteve nga Qeveria shqiptare dhe ajo gjermane, palët do të publikonin njëkohësisht në Tiranë dhe në Bon, me një datë, më 2 tetor mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Andon Bërxholi, për palën shqiptare, Dieter Kastrupi, për palën gjermane, firmosën Protokollin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të dokumenteve të tjera me të cilat u shënua vendosja e marrëdhënieve diplomatike, siç janë kodifikuar në Konventën e Vjenës “Për marrëdhënie diplomatike”, të 18 prillit 1961 dhe marrëdhënie konsullore, sikurse janë formuluar në Konventën e Vjenës “Për Marrëdhënie konsullore” të 24 prillit 1963.

Miratimi i këtij protokolli nga të dyja palët, përkatësisht rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve ishte shkaku i vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman, Hans Dietrich Genscher, në Tiranë. Pa dyshim, kjo ishte ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, sepse edhe formalisht po hiqte dorë nga politika e vetizolimit.

Vizita në “Terra incognita” pas vdekjes së diktatorit

Në kujtimet e tij, Genscheri shkruan: “Më 23 tetor shkova për herë të parë në Tiranë. Shqipëria ishte kthyer në një lloj “Terra incognita” për Evropën, njëkohësisht si vendi i vetëm në kontinent që nuk ishte anëtar i KSBE-së. Në kohën kur unë vizitoja Shqipërinë, nuk jetonte më diktatori i vjetër komunist, Enver Hoxha, që kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me shumë vende, përfshirë edhe me Gjermaninë. Kontaktet e para mes Bonit dhe Tiranës filluan në vitin 1975 dhe më pas në vitet 1980, por pa rezultat. Në vitin 1984, ndërmorëm përsëri bisedime dhe më në fund, në mars 1987, Shqipëria u tërhoq nga kushtet e saj”.

Por, pa dyshim një meritë e jashtëzakonshme për shtyrjen përpara të kësaj marrëveshjeje i takon kryeministrit të Bavarisë, Franz Josef Strauss, i cili bëri përpjekje të vazhdueshme për ta ndihmuar Shqipërinë që të dalë nga izolimi ekstrem shumëvjeçar. Këtë e pranon shumë vite më vonë edhe vetë Genscher, i cili thotë se “vizita e Straussit kishte dhënë një sinjal pozitiv në aspektin politik për Shqipërinë, por Straussi ka qenë në nivel landi (Bavari) dhe nuk ka përfaqësuar kurrë Bonin zyrtar”. Nga stenogrami i bisedës që ruhet në Arkivin Qendror të Shqipërisë, takimi i zhvilluar mes kryetarit të Këshillit të Ministrave, Adil Çarçani, dhe ministrit Federal të Punëve të Jashtme dhe zëvendëskancelarit të Republikës Federale Gjermane, dr. Hans Dietrich Gensher u dha premtimi, sidomos nga pala gjermane, se marrëdhëniet bilaterale duhej të zgjeroheshin në të gjitha fushat, edhe pse pala shqiptare ishte e fiksuar vetëm te çështjet ekonomike.

Propaganda e Tiranës për “gjendjen e shëndoshë” të vendit

“Ky është edhe qëllimi im: ne duhet t’i futemi me seriozitet të madh zhvillimit të marrëdhënieve tona. Kemi bërë një hap të rëndësishëm me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por kjo nuk duhet të mbetet formale. Ne dëshirojmë që këto marrëdhënie t’i mbushim me jetë. Duhet t’i shkëmbejmë pikëpamjet tona politike me njëri-tjetrin, të shikojmë ku puqemi e ku nuk puqemi dhe ne dëshirojmë të zhvillojmë një bashkëpunim shumë të gjatë në ekonomi, shkencë, teknikë e kulturë. Ne nuk duhet të kursejmë asnjë fushë ku mund t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona”, deklaroi Genscher. Pala gjermane ishte treguar e gatshme t’i ofronte Shqipërisë kredi me kushte favorizuese, por këtë gjë refuzonin zyrtarët shqiptarë, pasi ishte e ndaluar me Kushtetutën komuniste. Megjithatë, Tirana zyrtare kërkonte rrugë alternative për t’i fuqizuar marrëdhëniet ekonomike.” Ajo që kisha të sigurt ishte interesimi i Shqipërisë për marrëdhënie ekonomike me ne, sepse po jetonte në një varfëri të plotë”, thotë Genscher. Ndërsa, në këtë takim Çarçani do të fliste jashtë çdo realiteti, kryesisht me tone patetike dhe ngjyrime ideologjike, të cilat nuk përputheshin aspak me realitetin, i fliste ministrit gjerman për “një gjendje të shëndoshë” në Shqipëri, për “partinë dhe pushtetin popullor” , me në “krye shokun Ramiz Alia, vazhdues i denjë i veprës së shokut Enver Hoxha”, duke pretenduar se në politikën e jashtme Shqipëria “ka rritur prestigjin” në arenën ndërkombëtare. Në anën tjetër, realiteti ishte krejt ndryshe, Shqipëria ishte vend i dërrmuar në aspektin ekonomikisht dhe me një reputacion si një vend stalinist, ku liritë dhe të drejtat e njeriut as që mund të përfytyroheshin në rrethanat e “diktaturës së proletariatit”. Megjithatë, Shqipëria mbetej e interesuar për t’i përforcuar marrëdhëniet me vendet e Evropës Perëndimore, me qëllim për ta kompensuar sidomos ndihmën e madhe kineze. Ndërkohë që prodhimet e pakta shqiptare, kryesisht agrare dhe minierat, kishin nevojë edhe për tregun gjerman dhe paralelisht me këtë edhe ekonomia shqiptare kishte nevojë për ndihmën e ekonomisë së fuqishme gjermane, e cila dorën në zemër nuk erdhi për sa kohë që regjimi komunist nuk filloi të ndryshonte. Fundja, shteti gjerman nuk dëshironte të bëhej pjesë e skemës për shpëtimin e regjimit komunist.

Image
Raport për vizitën e Gorbaçovit në Beograd

Epilogu i negociatave 15-vjeçare

Pavarësisht këtij qëndrimi dhe retorikës ideologjike të palës shqiptare, Genscher kishte këshilluar udhëheqësin e lartë komunist, Ramiz Alia, për nevojën e hapjes së shtetit shqiptar dhe mbi të gjitha për nevojën e futjes së Shqipërisë në organizmat ndërkombëtare, duke filluar me KSBE-në, si një hap për të dalë nga politika e izolimit të skajshëm, e cila në rend të parë e kishte dëmtuar zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Me këtë akt u përmbyll procesi i gjatë negociues 15-vjeçar ndërmjet palës shqiptare dhe gjermane për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, vonesë kjo që kryesisht ndodhi për shkak të qëndrimit të ngurtë, dogmatik, ideologjik dhe mungesës së qasjes së duhur diplomatike të shtetit shqiptar. Por, i cili nuk e kapi me kohë hapin e ndryshimeve ndërkombëtare pas fillimit të Ostpolitikës, e cila shtendosi raportet Lindje-Perëndim, dhe më pak edhe të “Perestrojkës” të liderit komunist sovjetik, Michael Gorbaçov. Kjo vonesë gjithashtu e bëri të pamundur që Shqipëria të mbushte vakuumin e krijuar nga divorci diplomatik me Kinën. Nuk ka dyshim se po ta kishte kuptuar me kohë Qeveria shqiptare edhe thelbin e Ostpolitikës gjermane dhe po të kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë në kohën që i realizuan vendet e Evropës Lindore, ajo do të kishte përfituar financiarisht si ato. Edhe pse Enver Hoxha ishte iniciator i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Bonin, qasja e mëvonshme e delegacionit shqiptar vërteton se ky hap i Tiranës nuk ishte si ndryshim i kursit politik, por më shumë erdhi si pasojë e prishjes së njëpasnjëshme me aleatët e “familjes socialiste”, fillimisht me Bashkimin Sovjetik dhe më pas edhe me Kinën dhe vështirësive ekonomike të krijuara si pasojë e politikës dogmatike dhe besnikërisë ndaj Kushtetutës socialiste.

Në vitet që pasuan, vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe RFGJ-së solli intensifikimin e menjëhershëm të marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë për të hedhur një bazë të qëndrueshme midis dy vendeve që u konkretizuan me një varg marrëveshjesh në fushën e bashkëpunimit ekonomik, industrial, teknik dhe shkencor, në mënyrë që këto marrëdhënie. Për t’i konkretizuar marrëdhëniet edhe në fushën e transportit, shëndetësisë e lëmenj të tjerë, u diskutua nevoja e takimeve të Komisionit të përbashkët të krijuar në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik. Marrëdhëniet politike u intensifikuan edhe në nivel të Kuvendit shqiptar dhe Bundestagut gjerman, përmes shkëmbimit të pikëpamjeve politike për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet ndërkombëtare. Natyrisht në optikën shqiptare, RFGJ-ja luante një rol të rëndësishëm në politikën evropiane dhe në këtë linjë konsiderohej se ky vend do të mund të ndikonte në vendosjen e marrëdhënieve bilaterale edhe me vendet e tjera evropiane, por edhe në nivelin multilateral për anëtarësim në organizata evropiane. Në këtë kontekst, pala shqiptare e mirëpriti kërkesën e Hans Streckenit, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e RFGJ-së dhe kryetarit të Komitetit Ndërparlamentar gjerman, për ta vizituar Shqipërinë në gusht të vitit 1988, që vetëm disa ditë më vonë iu bë e ditur Ambasadës shqiptare në Bon se Streckenin do ta shoqëronin edhe dy gazetarë të gazetave “Reinische Post” dhe “General Anzeiger”, ndërsa pas shumë hezitimesh dhe refuzimesh u lejua futja edhe e z. Kress nga shoqëria filmprodhuese IFAGE në Wiesbaden, që do të përgatiste një reportazh për Shqipërinë.

Testi i parë i sprovimit të shtetit shqiptar

Ky ishte vetëm testi i parë për të sprovuar gatishmërinë e shtetit shqiptar se sa ishte vërtet i interesuar për thellimin e marrëdhënieve në fusha të tjera dhe sa ishte i gatshëm për t’i ndjekur hapat që do të shpinin drejt heqjes dorë nga politika e vetizolimit.

Është interesant të nënvizohet se në dokumentin e MPJ-së të titulluar “Mendime për një bisedë me dr. Hans Strecken”, konstatohej se Shqipëria ishte kundër politikës nga pozitat e forcës të SHBA-së dhe të Bashkimit Sovjetik, duke shtuar se “në Shqipëri nuk ka baza të huaja ushtarake, nuk ka asnjë ushtar të huaj”, ndërkohë që RFGJ-ja praninë e NATO-s e shihte si komponent sigurie për Gjermaninë dhe Evropën, si dhe një instrument të domosdoshëm për arritjen e ribashkimit të kombit gjerman. Ndërkohë, që situata në Jugosllavinë e atëhershme po shkonte drejt përkeqësimit, politika e jashtme shqiptare pretendonte të jepte mendime për zhvillimet ndërkombëtare, për “rivitalitetin e ashpër midis dy superfuqive” në Mesdhe, si dhe për arritjen e armëpushimit “midis Iranit dhe Irakut”. Pasi vlerësohej mbledhja e ministrave të jashtme të vendeve ballkanike në shkurt të vitit 1988 në Beograd, në dokumentin e MPJ-së jepej instruksioni që në takim me delegacionin gjerman të potencohej vullneti i Tiranës zyrtare për të pasur “marrëdhënie normale miqësore edhe me Jugosllavinë”, të cilat konsideroheshin se nuk ishin si me vendet e tjera fqinje dhe kjo ishte “jo për fajin e Shqipërisë”.

Një mendim interesant, mbase i përdorur si element për ta testuar qëndrimin gjermano-perëndimor, ka të bëjë edhe me raportet ndërmjet Beogradit dhe Moskës. Në këndvështrimin e palës shqiptare, vizita e Michael Gorbaçovit në Jugosllavi konsiderohej si një moment jo i rastit, por si një intencë për të demonstruar ndikimin dhe praninë e BS-së në Ballkan. Për më tepër, sipas palës shqiptare, qëllimi i BE-së ishte inkurajimi i forcave proruse në Jugosllavi, si dhe i frymës së sllavizmit. Por, në anën tjetër, për RFGJ-në dhe politikën e jashtme gjermane “marrëdhëniet e ngushta me Jugosllavinë ishin mundësia më e mirë për të kontribuar për stabilitetin e Ballkanit”. Marrëdhëniet e ngushta ekzistonin në çdo aspekt. Në këtë periudhë, Gjermania ishte partneri i parë i Jugosllavisë në tregtinë e jashtme dhe në investime, madje shkëmbimet ishin më të mëdha sesa me Poloninë, Çekosllovakinë. Po ashtu, Jugosllavia menjëherë pas Turqisë paraqiste numrin më të madh të “gastarbeiter”, ndërsa gjermanët përbënin një të tretën e turistëve të huaj.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë