Shtojca për Kulturë

Tempulli i kryengritjeve

Nëntori është i shqiptarëve. Është muaji i flamurit e i shtetit të parë shqiptar.

Edhe i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e themeluar nga të rinj të shkolluar në Universitetin e Prishtinës. Po në nëntor – atë të vitit 1997 – UÇK-ja do të dilte për herë të parë publikisht.

E themelet ligjore të Universitetit të Prishtinës do të viheshin po në nëntor. Atë të 1969-s.

Atëherë po realizohej njëra prej thirrjeve të demonstratave të nëntorit të ’68-s. Për jetësimin e kërkesës “Duam Universitet”, do të duhej të kalonte edhe më shumë se një dekadë.

Kosova para dhe pas themelimit të UP-së

Revolta paqësore ishte rezultat i frymës patriotike që dominonte në mesin e studentëve të fakulteteve e shkollave të larta të para. Studentët nuk iu ndanë protestave për të drejta të shqiptarëve deri në çlirim.

“Themelimi i Universitetit të Prishtinës më 1969 dhe fillimi i punës së tij një vit më pas, e ndanë historinë e Kosovës në dy epoka: epoka parauniversitare dhe pasuniversitare”, thekson historiani Durim Abdullahu, autor i monografisë së 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Ai thotë se themelimi i institucionit më të lartë arsimor do të ndikonte gjithmbarshëm në shoqërinë e Kosovës.

“Universiteti i Prishtinës është futur në dekadën e gjashtë. Të pesë dekadat përfaqësojnë epoka shumë të ndryshme prej njëra-tjetrës”, thekson Abdullahu. “Thuajse janë pesë epoka shekullore se jo dekada”.

“Kosova në gjashtëdhjetë vjetët e fundit, përafërsisht, ka kaluar ato që vendet e tjera i kanë kaluar për dyqind-treqind vjet”, thekson Xhavit Rexhaj, profesor universitar. “Ne kemi kaluar prej fazës së një feudalizmi relativisht të zhvilluar në fazën e një shoqërie në zhvillim, ose relativisht të zhvilluar që jemi sot për më pak se gjashtëdhjetë vjet”.

Rexhaj thotë se ky kapërcim i madh është i lidhur me Universitetin e Prishtinës.

Dekada e themelimit

Në fakt, në tetorin e vitit 1960 do të hapej edhe fakulteti i parë – Fakulteti Filozofik në Prishtinë, me gjashtë katedra. Një vit më vonë do të themelohej edhe Fakulteti Juridik-Ekonomik, me dy drejtime: Juridik dhe Ekonomik. Me hapjen e Fakulteti Teknik më 1965, e Fakultetit të Mjekësisë më 1969 do të trasohej rruga për themelimin e Universitet të Prishtinës me miratimin e Ligjit nga Kuvendi Krahinor i Kosovës në seancën e 18 nëntorit të vitit 1969.

E Kuvendi Themelues i Universitetit të Prishtinës do të mbahej më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më pas, më 15 shkurt, do të mbahej seancë solemne e Kuvendit për përurimin e tij. Dita e 15 shkurtit do të shpallej Dita e Universitetit të Prishtinës.

“Gjuha shqipe nuk është më vetëm gjuhë e sharrëxhinjve, e pastruesve të rrugëve, e hamajve dhe e bujqve, por gjuhë edhe e qindra...”, do të deklaronte Rexhai Surroi, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv Krahinor, në seancën solemne në fjalimin e ndërprerë nga duartrokitjet e të pranishmëve. “...por gjuhë edhe e qindra mija nxënësve të shkollave fillore e të mesme, e mija e mija studentëve, të dhjetëra profesorëve të fakulteteve dhe gjuha edhe e doktorëve të shkencave, inxhinierëve, mjekëve dhe edhe e qytetarëve tjerë akademikë”, do të vazhdonte Surroi fjalimin e këputur.

Rektori i parë i tij ishte prof. dr. Dërvish Rozhaja.

Dora e ndihmës e Universitetit të Tiranës

Universiteti i Prishtinës, nga themelimi i tij zhvilloi bashkëpunim me universitet e tjera në ish-Jugosllavi, si dhe me qendra të tjera universitare, sidomos me Universitetin e Tiranës, me të cilin filloi një bashkëpunim i frytshëm qysh nga viti akademik 1970/71 e deri në vitin 1981.

“Dekada e parë, vitet shtatëdhjetë, është dekada e ngritjes së Universitetit të Prishtinës”, thekson Abdullahu. “Rreth treqind profesorë të Universitetit të Tiranës vijnë dhe ligjërojnë në Universitetin e Prishtinës”.

Historiani tjetër, Skënder Lutfiu, e ka pasur temë masteri bashkëpunimin kulturor e arsimor të viteve shtatëdhjetë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ai thotë se shtypja e dhunshme e kryengritjes studentore paqësore çekosllovake të vitit 1968 ndikoi që Shqipëria e Enver Hoxhës dhe Jugosllavia e Titos të nisnin bashkëpunimin prej të cilit do të përfitonte Universiteti i porsahapur i Prishtinës.

“Dhe këto dyja duke u ndier të kërcënuara, e shihnin një lloj mundësie për përafrim”, thekson Lutfiu, teksa analizon rrjedhat që ndikuan në hapjen e kufizuar ndërmjet fqinjëve të armiqësuar. “Pra, gjithë elita e Universitetit të Prishtinës është krijuar falë këtij bashkëpunimi”, thekson Lutfiu.

Ndikimi i Shqipërisë enveriste

“Dekada e dytë, ajo e viteve tetëdhjetë, është karakterizuar nga përndjekjet dhe diferencimi politik”, thotë Abdullahu.

Në fakt, periudha 1981-1991 e historikut të Universitetit të Prishtinës shënon numrin më të madh të studentëve dhe të kuadrit mësimor shqiptar. Në vitin akademik 1980/81 numri i studentëve arriti deri 31.073 me mësim në gjuhën shqipe, 12. 248 me mësim në gjuhën serbokroate. U rrit gjithashtu edhe numri i vajzave shqiptare që studionin në degë të ndryshme, apo 6802 sosh.

Krahas rritës së këtij institucioni, do të intensifikohej edhe dhuna ndaj tij, sidomos pas Lëvizjes Studentore në pranverën e vitit 1981. Protesta nisi në Qendrën Studentore me kërkesat për kushte më të mira.

Por kërkesat kulmuan me thirrjen për Kosovën Republikë. Studentëve menjëherë iu bashkua mbarë populli shqiptar në ish-Jugosllavi.

Demonstratat u shtypën me ndërhyrje të ashpra policore, si dhe me zbatimin e orës policore në Kosovë. Në këto përleshje të përgjakshme të demonstruesve me policinë u vranë, u plagosën dhe u burgosën shumë studentë, nxënës dhe arsimtarë shqiptarë.

“Pas demonstratave, Beogradi e ndërpret përnjëherë bashkëpunimin dhe e akuzon Shqipërinë se e shkeli këtë lloj lirie, të cilën ia dhamë për të bashkëpunuar për të shpërndarë ideologjinë e tyre”, thekson Lutfiu, duke theksuar se profesorët e Tiranës nuk ishin instruktuar që të përhapnin propagandën nacionaliste enveriste. Megjithatë, e pranon se bashkëpunimi ndikoi në shpërthimin e demonstratave.

“Ne ishim më të mëdhenj se rrobat që na ishin qepur”

Rexhaj thotë se kishte një frymë të përgjithshme për ndryshim, duke përfshirë edhe ndikimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

“Shqiptarëve nuk u mjaftonte ajo kornizë që erdhi me ndryshimet e ’68-s dhe ’81-s dhe unë besoj se ne ishim më të mëdhenj se rrobat që na ishin qepur”, thekson Rexhaj.

Pas shtypjes së demonstratave të dhunshme me vrasje të studentëve, mësimdhënësve dhe qytetarëve të revoltuar paqësisht, do të niste shtrëngimi i lakut në fyt Kosovës nga Jugosllavia, që pas vdekjes së Titos po dominohej nga nacionalistët serbë në majën e pushtetit. Megjithatë, fryma e rebelimit nuk do të shuhej.

“Kishte një amalgamë të frikës dhe ndjenjës se diçka e madhe po ndodhte”, thekson Rexhaj.

Kosovës do t’i suprimohej autonomia në marsin e vitit 1989. Ishte vetëm fillimi i një dekade të pastajme me represion sistematik deri në shpërthimin e luftës së fundit

Dekada e mbijetesës

Në vitin akademik 1991/92 filloi periudha e rimëkëmbjes dhe e mbijetesës së Universitetit të Prishtinës në kushte të jashtëzakonshme. Filloi dekada e mësimit nëpër shtëpitë-shkolla, derisa studentët serbë po studionin në objektet e uzurpuara të UP-së.

“Dekada e viteve nëntëdhjetë është dekadë e një universiteti paralel”, thekson historiani Abdullahu. “Është dekadë e mbijetesës”.

Në shtëpinë e dentistit Agron Vllasolli në “Bregun e Diellit” në Prishtinë po mësonin studentët e Fakultetit të Mjekësisë. “Përditë vinin njerëzit e Sigurimit Shtetëror”, thekson Vllasolli para shtëpisë së re të ndërtuar mbi themelet e lokaleve dhe shtëpisë së vjetër ku kishin mësuar studentët. “Unë personalisht kam qenë në polici si pronar i objektit, edhe profesorët i kanë marrë dy herë në pyetje”, thekson ai.

“Nuk e harroj vullnetin e madh të fëmijëve për të mësuar nëpër shtëpi-shkolla”, thekson Rexhaj, atëherë profesor i anglishtes në UP. “Dhe nuk e harroj kurrë pamjen e çizmeve dhe të rrobave të nxënësve gjatë bastisjes”, thekson me emocione ai.

Një tetori i kthesës

Më 1 tetor 1997, në ditën e parë të vitit të ri akademik, mbi 20 mijë studentë protestuan në Prishtinë me kërkesën për kthimin e objekteve të tyre universitare dhe për respektimin e së drejtës për të studiuar në gjuhën shqipe.

Demonstruesit u shpërndanë nga qindra policë, të cilët përdorën gazin lotsjellës dhe dhunën. Qindra studentë e profesorë u torturuan e u arrestuan. Megjithatë, rreth 27 mijë studentët dhe 300 profesorë të UP-së iu kthyen menjëherë bankave të tyre nëpër shtëpitë-shkolla.

Në xhirime të agjencisë amerikane të lajmeve, AP, shihen studentët në një bodrum, teksa dëgjojnë leksionet e biokimisë. Në një shtëpi-shkollë të Fakultetit Juridik po publikoheshin listat e oraret e vitit të ri akademik. Për shkak të përdorimit të forcës kundër demonstruesve paqësorë, studentët kanë hequr dorë prej protestave të përditshme.

“Ne nuk do t’i ndalim protestat derisa të realizojmë kërkesën tonë kryesore. Në fakt, ne po bëjmë presion ndërkombëtar ndaj Qeverisë serbe, dhe mund të bëhemi faktor më i mirë këtu brenda”, deklaronte Albin Kurti, pjesë e Kryesisë së Unionit të Pavarur Studentor të UP-së tri ditë pas protestës së 1 tetorit. “ Kështu, policia pas dy, tri, mbase katër ditësh protestash me radhë, do ta kuptojë se do të ketë punë me dikë që dëshiron të arrijë këtë qëllim”, do të shtonte kryeministri i tanishëm.

Në prillin e vitit 1998, kur lufta nisi të përhapej në pjesë të ndryshme të Kosovës, Serbia u pajtua që t’ua kthente studentëve disa nga objektet universitare, por në natën e 16 majit, një ditë para ditës kur duhej të hapeshin dyert për studentët shqiptarë, studentë serbë uzurpuan fakultetet.

Image
Më 1 tetor 1997, në ditën e parë të vitit të ri akademik, mbi 20 mijë studentë protestuan në Prishtinë me kërkesën për kthimin e objekteve të tyre universitare dhe për respektimin e së drejtës për të studiuar në gjuhën shqipe

300 studentët e vrarë nga forcat serbe

Presidenti Ibrahim Rugova deklaronte në një konferencë për shtyp se Kosova do të vazhdojë të luftojë për të drejtën e studimit në gjuhën shqipe në objektet e uzurpuara shkollore dhe universitare.

“Ne presim një tjetër raund negociatash shumë shpejt, dhe shpresojmë se do të arrijmë rezultate të mira. Ne përsëri kërkojmë nga pala serbe të jetë më bashkëpunuese dhe të jetësojë marrëveshjen e nënshkruar”, deklaronte Rugova.

Studentët serbë po i gjuanin me gurë studentët shqiptarë, që kërkonin kthimin e objekteve universitare.

Serbët po protestonin kundër të drejtave të shqiptarëve. Nën britmat e sloganeve nacionaliste thyen inventarin dhe dritaret e Fakultetit Teknik.

Kundërshtimin e shprehën edhe nëpër rrugët e Prishtinës.

Forcat serbe deri atëherë kishin vrarë 150 shqiptarë të pafajshëm.

Në Monografinë e 35-vjetorit të UP-së bëhet e ditur se gjatë luftës u vranë tetë profesorë universitarë dhe 300 studentë.

Tempullit që duhet t’i themi: “Na fal”

Abdullahu thotë se dekada e parë e mileniumit të ri shënon edhe “rithemelimin” e UP-së në objektet e kthyera. “Dekada e pestë është dekada e një lloj ndërkombëtarizimi të Universitetit të Prishtinës”, thekson ai.

Mirëpo gjatë dy dekadave në liri, UP-ja është përballur me akuza të brendshme e kritika ndërkombëtare për përzierje të politikës në të.

Rektori Naser Sahiti ka folur gjatë intervistës në emisionin “Java sonte me Rronin” për ndikimin historik të UP-së në rrjedhat e gjithmbarshme shoqërore të Kosovës.

“Rektori i Universitetit të Prishtinës a ka mendim çka ndien ai për situatën në të cilën ndodhemi komplet si shoqëri”, e pyeti Gjinovci rektorin në intervistën e gjatë në KTV.

“Sigurisht që po. Pajtohem edhe në kuptimin e rëndësisë së Universitetit të Prishtinës dhe kjo dëshmohet edhe me të kaluarën historike të Kosovës”, theksoi Sahiti. “Ne jemi dëshmitarë se të gjitha zhvillimet e rëndësishme në shoqërinë tonë, në Kosovë veçanërisht lidhen me Universitetin e Prishtinës në një formë ose në një formë tjetër”, shtoi ai, duke pranuar ndikimin e politikës.

“Nëse kosovarët kanë ndonjë tempull, unë mendoj se ai tempull është Universiteti i Prishtinës”, mendon profesori Xhavit Rexhaj. “Në shtatë- tetë vjetet e fundit, mbase ka disa zhvillime që ne mund t’i themi këtij Universiteti ‘na fal’ dhe ta lejojmë të zhvillohet dhe të bëjë ndikimin e vet në zhvillimin e shoqërisë”.