Shtojca për Kulturë

Kompetenca dhe performanca – gjuha dhe të folurit

Folësi kufizohet nga potenciali shprehës i brendisë së gjuhës të cilën e njeh dhe e flet, qoftë në realizimin e njësive të kuptimshme, apo forcën shprehëse të tyre
 

Shpesh i dëgjojmë njerëzit duke thënë: “e marr vesh gjuhën, po s’di me folë” ose “di disa fjalë, por s’e kuptoj”. Pikërisht kjo tregon se gjuha dhe të folurit, megjithëse të lidhura ngushtë në tërësi, në kënde të caktuara mund të pikëvështrohen si entitete të ndara, duke u bërë objekte të veçanta studimi, porse me nevojë ndërthurjeje në elementet bazë. Dallimi mes njohjes së gjuhës dhe manifestimit të saj është si në mes të “të dish” dhe “të bësh”

Vëmendja e studimeve moderne linguistike të cilat morën hov kryesisht në shekullin XX, është përqendruar në dallimin mes “esencës” së gjuhës si sistem i veçuar e abstrakt, çka ngërthen ajo në thelbin e saj në njërën anë, dhe manifestimit konkret të saj në një situatë, nën ndikim të pashmangshëm socio-kognitiv në anën tjetër. Punë u është kushtuar problemeve me karakter praktik e teorik, duke i marrë në konsideratë elementet e formësimit semantiko-gramatikor të fjalive, por edhe faktorët që vënë në pah tendencën e individëve për ta treguar forcën e tyre mbi gjuhën, duke i zëvendësuar, riformësuar e “deformuar” trajtat gjuhësore, edhe pse jo rrallë ka ndodhur e kundërta, kur gjuha ka treguar fuqinë e saj mbi njerëzit, duke ua imponuar atyre në mënyrë indirekte ca rregulla e konstrukte të gatshme: p.sh. kur një thënie ngulitet në mendjet e njerëzve dhe shërben si model i caktuar sjelljeje, e që e dikton diskursin e një shoqërie të tërë.

“E marr vesh gjuhën, po s’di me folë”