Shtojca për Kulturë

Një botë tjetër e animuar

Sikur i gjithë festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” të ishte një animacion i vetëm, do t’i ngjante një bote paralele, të gjallë, që lë prapa botën e kapërthyer nga izolimi. Përtej triumfit ndaj pandemisë e çdo gjëje që lidhet me të, krejt ajo çfarë sjell sivjet është ftesë për të shikuar përtej, edhe nëse një animacion i caktuar gjëllin në jetën reale

Një rrëfim ngacmues, një lokacion tërheqës e interpretues profesionalë, mund të shihen si trekëndëshi i funksionimit të filmit. Mirëpo, për botën e animuar, hallka e punës nuk mbaron me kaq. Ajo përfshin dimensione shumë më të thella sesa kjo.

Aty nuk ka interpretues fizikë në aspektin e pranisë e ekzistencës, mirëpo ata shfaqen mes një gërshetimi real ose imagjinar të historisë, teksa aspektin vizuel e kanë krejtësisht imagjinar.

E krijimi nga zeroja dhe dhënia e frymës pamore, animatorëve u merr kohë dhe vëzhgim psikologjik të vendit, ngjarjeve e të kohës.

Mirëpo, periudha pandemike, pavarësisht që largoi botën fizikisht, ajo afroi artistët me frymëzimet e tyre. Frika e mërzia që ndillnin katër muret e izolimit, për animatorët u shndërruan në produktivitet artistik dhe më shumë se kurrë ata dhanë mesazhin e triumfit të kulturës përballë çdo vërshimi të papritur nëpër botë.

E pikërisht për të shembur periudhat e rënda për njerëzimin dhe për ta ngritur lart flamurin e fitores së kreativitetit artistik ndaj çdo gjëje, filmat e animuar të artistëve vendorë e ndërkombëtarë bënë që ulëset e 5 kinemave të Pejës të mbushen me shikues në edicionin e 12-të të festivalit “Anibar”.

Nën moton e sivjetme “Izolimi”, panele diskutimesh, rrëfenja suksesi, filma me motive vendore e të huaja, si dhe performanca muzikore, po e gjallërojnë ish-djepin kulturor në periudhën e Jugosllavisë.

Me entuziazmin e riktakimit pas një edicioni të zymtë në formatin online, tanimë dashamirët e animacioneve kanë rastin t’i njohin për së afërmi regjisorët e gjithë ekipin të cilët i realizuan storjet, format, ngjyrat, pasqyrimet reale e imagjinare përmes thellësisë animuese.

Mirëpo, kësaj radhe ka veçanti nga edicionet e kaluara. E “Anibar” nuk po mbetet vetëm strehë e animatorëve, mirëpo po bashkon kineastët, muzikantët, poetët e shumë gjallërues të tjerë të jetës kulturore.

Image
Animacionet tashmë kanë pushtuar ekranet e mëdha nëpër pesë kinematë në Pejë

“Izolimi sjell izolimin” si kontrapunkt

Pandemia bllokoi të gjitha rrugëdaljet për një jetesë normale. Ajo ndërroi rrjedhën e përditshmërisë së njerëzve, teksa dha mesazhin se njerëzimi di t’i bëjë ballë gjithçkaje në çdo situatë. Mirëpo, në këtë mes, ajo që u dallua më së shumti ishte domosdoshmëria humane për të ringritur humorin e qetësinë shpirtërore me art e kulturë.

Artistët nga e gjithë bota nuk e lanë alarmin e kuq të binte gjatë. I përvolën mëngët dhe filluan ta dëshmojnë fisnikërinë e punës së tyre. Por, edhe në situatën kur ata gjetën alternativa pune, kushtet e rrethanat nga institucionet nuk u plotësuan sa duheshin për ta.

E se si e përjetuan ata izolimin dhe cili ishte roli i kontributit të tyre në shoqëri, ishte temë e panelit të diskutimit të shtunën, “Izolimi sjell izolimin”, i cili u mbajt nën moderimin e Bind Skejës dhe me pjesëmarrjen e regjisorit e themeluesit të teatrit “Oda”, Florent Mehmeti, dhe regjisorit Leart Rama, në ambientin e hapur të “Kino Liqenit”.

Të dy panelistët kanë shpalosur kujtimet e tyre pandemike, se si ishte gjendja e tyre mentale, cilët ishin hapat e parë të cilët i ndërmorën që të kontribuonin nëpërmjet aktiviteteve kulturore dhe të mbahen “për litari”.

Teatrot e Kosovës, për ta bërë të gjallë artin skenik gjatë periudhës së izolimit, kishin zgjedhur teknikën online të shfaqjeve. Mirëpo, Mehmeti nuk pëlqen e nuk uron që e njëjta të përsëritet, për shkak që, sipas tij, pavarësisht se audienca e teatrit si numër është në nivel të kënaqshëm, kjo formë ndikoi që ata të futeshin në të ashtuquajturën “comfort zone” dhe të mos shkelnin më dërrasat e këtij institucioni.

“U thosha njerëzve: ‘Mos ejani me statistika’ kur thoshin që shfaqja është shikuar 50 mijë herë”, u shpreh ai, teksa përmendi se ata nuk ishin shikues që e përcillnin deri në fund rrëfimin teatror.

E problemet nuk kanë munguar gjatë kësaj kohe edhe në provat e aktorëve. Mehmeti ka treguar se – të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Kosovës – realizimi i provave në aplikacionin virtual “Zoom” vetëm sa e vështirësonte edhe më shumë situatën.

“Unë u thosha aktorëve: ‘Mos bëni aq shumë pauzë’, teksa ata më thoshin: ‘Nuk po më bën rrjeti, nuk jam duke bërë pauzë’, u shpreh Mehmeti me shaka.

Tutje, ai ka theksuar se dora e shtetit ka munguar gjatë kësaj periudhe dhe se nuk është ndihmuar skena e pavarur.

“Aktorët si individë të pavarur kanë qenë me të ardhura 100 për qind prej projekteve dhe këto janë ndalur për më shumë se një vit”, ka thënë ai.

Mehmeti ka komentuar edhe mënyrën se si politikëbërësit po e shohin e vlerësojnë kulturën.

“Problemi kyç ndaj artit ka qenë qasja ndaj tij dhe kulturës si një seri aktivitetesh”, ka vlerësuar regjisori.

Ka shtuar se kultura “është marrë si një hobi, që nënkupton se bën edhe pa të”.

Mehmeti ka thënë se këto dy fusha jetike s’janë vlerësuar si faktor të mëdhenj të kohezionit social e mirëqenies së qytetarëve.

“Nuk kemi arritur t’i bindim institucionet se kultura është si një shtëpi, e që kultura është ‘malteri’ që i mban të gjitha të tjerat”, u shpreh ai.

Për këtë gjendje ai ka fajësuar politikanët, teksa ka thënë se artistët janë të pafuqishëm si njerëz të thjeshtë për të ndërruar diçka.

E, përtej kushteve mbi baza të përgjithshme, regjisori Leart Rama ka thekuar se bashkimi i vështirësive financiare dhe gjendjes mentale gjatë izolimit kishin qenë problematikat më të mëdha në të cilat ka hasur në atë periudhë. Mirëpo, ai nuk u ndal dhe “për hatër të vetes” filloi të krijojë diçka interesante.

“Në atë moment kam filluar të xhiroj pa një qëllim specifik”, ka thënë Rama, teksa ka folur për fillet e projektit të doku-serive.

“Ditën e parë kur kam filluar të xhiroj në qytet, e kam parë një poezi që Pyotr Ilyich Tchaikovsky ia ka kushtuar djalit tij, e cila ndërlidhej me gjendjen time emocionale”, ka rrëfyer ai.

Regjisori i ri ka thënë se ky ka qenë momenti kur ai vendosi që këtë poezi ta vërë në video, duke bërë një bashkim të ndjenjave të tij dhe qytetit.

“Unë vendosa çdo ditë ta bëj një video të tillë dhe secili episod të trajtojë një temë të ngjashme, por pak më të ndryshme, e secila është bazuar në gjendjen time emocionale”, ka thënë regjisori.

Kur ka dhënë detaje të doku-serisë së tij, ka treguar se një episod të quajtur “Sunday” ka shprehur mërzinë që mbizotëronte kur vikendi ishte i heshtur në qytet. Në anën tjetër, Rama ka thënë se kur ka parë pranverën të lulëzonte, motin të ndërrojë e pastaj borën të bjerë, nuk ka mundur të mendojë asgjë tjetër përveç bregdetit, si një fije shprese brenda asaj situate.

“E kam bërë sepse e kam parë që shumë njerëz mund të lidhen me të”, ka përfunduar ai.

Image
Paneli “Izolimi sjell izolimin”, i mbajtur të shtunën në “Kino Liqeni”

Sekuenca jete

Pas një viti mungese të shijimit të filmave të animuar përballë me ndezjen e projektorit, publiku u rikthye në kinemanë “Jusuf Gërvalla” dhe dritat u fikën. Në vend të tyre u ndje “ndriçimi” i tematikave të cilat bënë që publiku për disa minuta rresht të qëndrojë i fokusuar pranë ekranit të madh.

E në kategorinë e filmave të Ballkanit nuk kishte se si të mungonin tematikat të cilat ndër vite kanë qenë preokupim i popujve që banojnë këtu. Filmi i parë i cili u shfaq dhe preu shiritin e animacioneve disaminutëshe qe “Kush mytet, kapet për shkume”, nga regjisorja Urtina Hoxha.

Një situatë e zymtë, e cila ringjall memorien kolektive e kujtimet e hidhura të Kosovës, është periudha e luftës. Nuk kishte se si të demonstrohej ndryshe përveçse në bardhezi, koha kur shqiptarët i kalonin ditët duke qenë mes jetës e vdekjes. Tematika kryesore janë ndjesitë e një nëne e cila tenton të “zbutë” gjendjen e të qenët si “pa kokë” gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe që e gënjen veten me rutinat e përditshme të shtëpisë.

“Qëllimi i filmit ka qenë ta tregojmë një rrëfim nga një grua në Prishtinë, e cila ka qëndruar në shtëpi dhe nuk ka qenë në front të luftës”, ka thënë Hoxha.

Në një bisedë telefonike me nënën, mes pasigurisë e gjendjes kur individi nuk di se çfarë të veprojë më parë, zonja në fjalë merr këshillën se gratë e bukura, të edukuara, e të cilat e njohin mirë gjuhën serbe kanë më pak shanse të bëhen viktima të policisë serbe. Ajo maskohet pas një miti të krijuar në atë kohë, mirëpo në çdo ngjyrë buzëkuqi, në çdo krehje flokësh ngulfatet nga një gënjeshtër e kulluar, e cila tenton të jetë një shpresë në mesin e humbjes së saj.

Andaj, kështu ka lindur edhe emërtimi i filmit, “Kush mytet, kapet për shkume”.

“Emërtimi i filmit lidhet me një pjesë të intervistës së Ola Sylës. Ajo, duke rrëfyer storien e saj, përmend një shprehje që e kanë thënë të moçmit: ‘Kush mytet, kapet për shkume’”, ka thënë regjisorja Hoxha.

E pak a shumë të njëjtën temë e pati edhe filmi “Mardhë” nga regjisorja Flaka Kokolli, e cila pati premierën në edicionin e sivjetmë.

E frymëzuar nga periudha e vështirë e luftës, Kokolli vendosi ta sfidojë veten pavarësisht moshës së re, duke sjellë një version në sytë e një gruaje tjetër. Por, kësaj radhe fati nuk ishte i mëshirshëm sa ajo të mbijetonte me frikën e saj në një banesë në Prishtinë.

“Qëllimi ka qenë ta shohim luftën nga një perspektivë që s’e kemi parë, jo atë të heronjve që zakonisht e shihnim, por personave të rëndomtë dhe sidomos grave që nuk u vjen rendi të flasin”, ka thënë Kokolli.

Me burim nga intervista e “Oral History Kosovo”, filmi 4-minutësh trajton etapa të ndryshme të luftës. Nis me një kërcënim verbal jodirekt nga një serb i panjohur përgjatë kohës sa ajo është në shtëpi dhe frikësohet nga trokitja e derës nga një ushtar serb, i cili ndër rreshta përmend edhe familjen e saj si arenë shigjetash.

“Nuk ka qenë aq i vështirë aspekti i animacionit. Interesin në animacion e kemi pasur si formë të artit që nuk është i bërë vetëm për fëmijë. Andaj, kemi qenë të mësuar që çështje serioze e të rënda të trajtohen në animacion”, ka thënë ajo kur ka folur për procesin e realizimit të filmit.

Nën ngjyra të lehta, personazhet rrugëtojnë sa nga një banesë, sa te një kamp përqendrimi, vend që ka qenë cak i shqiptarëve në vitet ’90 – fshati Bllacë në Maqedoni.

“Ka qenë shumë delikate për shkak se jemi ekip të rinjsh në moshë dhe nuk është se e mbajmë në mend luftën, e më e vështira ka qenë të sigurohemi që nuk jemi duke bërë gabime, ose nuk jemi duke e zbutur realitetin”, ka thënë Kokolli.

E filmi i cili iu përshtat më së shumti rrethanave ekzistuese e motos së 12-vjetorit të “Anibarit” ishte “Quarantine” nga regjisori Ivan Andreevski. Monotonia pandemike dhe mosndërrimi i asgjëje ditë për ditë ishte tema bosht e filmit, i cili përmes një personazhi simpatik shpalos gjendjen e shumicës nga njerëzimi në atë kohë. Mirëpo, në kërkim të diçkaje më ndryshe, ai nis e krijon shprehi të reja, të cilat përfshijnë sportin, meditimin e vallëzimin.

“Elusiveness” quhej filmi i animuar nën regjinë e Marija Vuliq, i cili solli një rrëfim përrallor. Një vajzë e re dhe e bukur – pamja e së cilës krahasohej me natyrën – vendos t’i sfidojë të gjithë djemtë e kohës, duke i futur në garë për më të shpejtin në kalërim. Fituesi do ta marrë vajzën për grua. Por, mesazhi i filmit gati 7-minutësh ishte dhënia e njeriut pas bukurisë fizike dhe harrimi se ajo nuk vlen më shumë sesa e brendshmja.

E në kategorinë e Garës Ballkanike, përveç këtyre, të shtunën u shfaqën edhe “Can you see them too?”, “The Raft”, “Elevator Alone” dhe “Events Meant to Be Forgoten”.

Në kategorinë e Filmave Artistikë është shfaqur filmi “Wolf Walkers”, nën regjinë e Tomm Moore dhe Ross Stewart, i cili shpalos një narracion për udhëtimin në Irlandë të një gjuetari të ri dhe babait të tij, gjë që do t’ua ndërrojë rrjedhën e jetës.

Lokomotiva krijuese

Animacioni nuk përfshin vetëm lëvizjen në sekuenca të ndryshme të disa pamjeve të cilat përmes ngjyrave e formave shprehin mesazh. Për të ka diçka përtej saj. Ekziston një botë shumë më e thellë sesa kaq. Një lokomotivë e gjatë e cila merr me vete çkado që ndërlidhet me artin dhe vizuelizmin e një qëllimi.

Filmi i animuar, teknologjia, mediat e dizajni grafik përbëjnë dimensionet rreth së cilave ai ka shkrirë mundin profesional prej më shumë se 30 vjetësh.

“Unlimited Lanscape” ka qenë titulli i diskutimit të parë në ditën e dytë menjëherë pas hapjes së edicionit të 12-të në natën e së premtes. Përmes një video-prezence, Jürgen Hagler, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, shpalosi teorinë e “Expanded animation”, apo teorinë e zgjerimit të kësaj bote jo vetëm në sekuenca të lëvizshme, por ende përtej saj.

Profesor në Departamentin e Medias Digjitale në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Austrisë, Hagler ka folur edhe për institutin kulturor, shkencor dhe edukues “Ars Electronica”, me seli në Linz. I themeluar më 1979, çdo vit, një mijë artistë, shkencëtarë, disenjatorë e aktivistë po takohen në një vend për rreth 5 ditë. Deri më sot, ata janë bashkuar për ide inovative, art frymëzues e shfaqje të jashtëzakonshme.

Me një formacion garues për çmimet e tij, organizatorët po bëjnë përpjekje që të gjejnë përmes projekteve përgjigjet e pyetjeve të shoqërisë për botën e teknologjisë e inteligjencës artificiale.

Moderatorja e diskutimit, Flaka Kokolli, ka thënë puna e profesorit Hugler konsiston kryesisht me thyerjen e barrierave mes teknologjisë, animacionit, dizajnit, shkencës e artit.

“32 vjet është duke e krijuar simpoziumin, festivalin e projekte të tjera”, ka thënë ajo për Huglerin, i cili për herë të parë mori pjesë në “Anibar”. “Sivjet – sidomos pasi ka qenë çështja e izolimit dhe që ‘Anibari’ po sillet rreth kësaj – ka qenë interesante ta shohim se si po e përdorin teknologjinë, shqiptarët e Kosovës, pasi kemi qenë gjithmonë në një hap me botën përmes teknologjisë...”, ka thënë ajo.

Flaka Kokolli ka thënë se biseda me Huglerin ka qenë një nga temat që ka pasur më së shumti kuptim për ta.

Image
Nëpërmjet një video-prezantimi, Jürgen Hagler, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, shpalosi teorinë e “Expanded animation”, apo teorinë e zgjerimit të kësaj bote jo vetëm në sekuenca të lëvizshme, por ende përtej saj

Bashkëdyzim artesh

Organizatorët para hapjes kishin thënë për KOHËN se ky edicion do të jetë i veçantë dhe këtë gjë e dëshmuan qysh në hapje zyrtare natën e së premtes. E nisur me video-animacione, prezantime të edicionit të 12-të dhe me freski muzikore dedikuar publikut që u mblodh pas një viti e gjysmë, ceremonia tuboi rreth vetes persona të shumtë.

“I want to break free” u bë thirrja artistike e korit pejan “Siparantum”, i cili edhe më shumë i dha hov motos së sivjetme “Izolimi”, por si kontrapunkt. Por, kjo nuk mbaron me kaq. Deri më 30 korrik, Peja do të vazhdojë të jetë kryeqyteti për animacionin vendor e ndërkombëtar, duke e gjallëruar qytetin me agjendën e pasur të filmave, paneleve të diskutimit, performancave muzikore e shumë risive të tjera.