Shtojca për Kulturë

Orkestra nga Tirana në “Lumbardh” me rrjedhën e tingujve shqip

Duartrokitjet e publikut në “Lumbardh” janë bërë një me interpretimin. Orkestra Filarmonike e Universitetit të Arteve të Bukura të Tiranës “Ibrahim Madhi” e ka dëshmuar veten me lojën e saj, duke e mbështetur zërin e tenorit të njohur Kastriot Tusha e sopranos Ardita Meni. Kanë kumbuar këngët që flasin me një gjuhë malli e dashurie për atdheun

Tingujt e “Malësores” së Lorenc Antonit tingëllojnë si intro para veprave të kompozitorëve të njohur shqiptarë, që për bazë kanë melosin popullor. Orkestra Filarmonike e Universitetit të Arteve të Bukura të Tiranës “Ibrahim Madhi”, që përbëhet kryesisht nga emra të rinj muzikantësh, me këta tinguj bëri një njoftim me publikun. Të vendosur në skenën e improvizuar të kinemasë “Lumbardhi” në Prizren, në koncertin e së premtes mbrëma, distanca e tyre fizike me publikun pothuajse është shkrirë. Dhe kjo jo vetëm në aspektin fizik.

Duartrokitjet e tyre janë bërë një me interpretimin. Orkestra e ka dëshmuar veten me lojën e saj duke e mbështetur zërin e tenorit të njohur Kastriot Tushës e sopranos Ardita Meni. Kanë kumbuar këngët që flasin me një gjuhë malli e dashurie për atdheun.

“Moj e bukura Arbëri” shkriu zërat e dyshes, duke përçuar te publiku ndjenjat e një kënge të largët për një dashuri vendi që nuk e zbeh largësia e një malli që s’matet as me dallgët e detit. Më pas “Agimet shqiptare”, e kompozitorit Avni Mula në një interpretim po aq emocional, nuk i ka lënë të pranishmit të shkëputën nga po ajo ndjesi. Koncerti erdhi në kuadër të ditëve festive për 22-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, i cili është përkrahur nga Komuna e Prizrenit.

Sipas kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, mbrëmja muzikore është përgatitur edhe si një dhuratë për publikun pas pandemisë me premtimin për një koncert akoma më të madh në Kala.

“Pasi që po kemi numër të vogël të rasteve me COVID vendosëm ta bëjmë këtu. Vendi ishte i pamjaftueshëm për të interesuarit, besoj në koncertin e ardhshëm ta bëjmë në një vend më të madh. Sonte ka qenë një ndjenjë e veçantë për mua pasi që është koncerti i parë pas pandemisë, besoj edhe për qytetarët. Për mua ka qenë ndjenjë e paharruar”, ka thënë Haskuka.

Orkestra e përbërë nga harkorët zbërtheu një program prej pesëmbëdhjetë veprash, duke përcjellë melodi të njohura botërore e shqiptare. Mes veprash ishin “Solveig's Song” e Edvard Grieg e “O mio babbino caro” e kompozitorit të njohur Giacomo Puccini.

Dirigjenti Isak Shehu udhëhoqi orkestrën e muzikantëve të rinj në më shumë se një orë program intensiv. Sipas tij, ky program është përzgjedhur për të qenë sa më festiv dhe për të bërë bashkë muzikën simfonike me atë popullore. Kjo, për ta dëshmuar arritjen profesionale të studentëve dhe për ta përfshirë sa më shumë publikun. Një gjë e tillë veçmas u dëshmua në interpretimet e këngëve “Margjelo” e “Ta dish”, që u manifestua në përjetimin e publikut në raport me interpretimet në skenë.

“Programi është i zgjedhur për të qenë më urues për të lënë prapa këto peripeci. Kemi një synim në shkollë që muzikën popullore ta vëmë në nivel të muzikës së kultivuar. Të gjitha këngët ishin të punuara dhe të orkestruara në prizmin e simfonizmit dhe jo të këngëve popullore që edhe ashtu janë të bukura. Në këtë rast e japin edhe një madhështi më të madhe dhe publiku u përfshi më kollaj”, ka thënë dirigjenti Shehu për KOHËN.

Image
“Moj e bukura Arbëri” shkriu zërat e dyshes Tusha-Meni duke përçuar te publiku ndjenjat e një kënge të largët për një dashuri vendi që nuk e zbeh largësia e një malli që s’matet as me dallgët e detit

Pas interpretimeve me orkestër e këndim që e mbërthyen publikun në emocion, instrumentistja nga Kosova që ligjëron pianon në Universitetin e Tiranës bëri një ndalesë në tingujt pianistikë, nduke sjellë “Koncertin në A-dur, koha e II-të” të kompozitorit të njohur Wolfgang Amadeus Mozart. Genita Hoxha, e cila ishte edhe iniciatore e koncertit, ka thënë se kjo mbrëmje ishte një dedikim i veçantë për babanë që e humbi gjatë pandemisë.
“Profesori Isak kishte dashur që këtë interpretim t’ua dedikonim çlirimtarëve të Kosovës. Unë e futa edhe babanë aty, sepse ka qenë një prej kontribuuesve të çlirimit. Ky ishte koncerti i parë që më mungoi”, ka thënë mes emocionesh pianistja nga Prizreni.

“O Prizren o i bukuri vend”, ka depërtuar me plot emocione nën interpretimin e tenorit Kastriot Tusha, i cili Prizrenin e ka quajtur kryeqytet të shqiptarëve.

“Natë e mrekullueshme. Kemi mbetur me emocionet e duartrokitjeve të publikut. Prizreni ka një publik të mrekullueshëm që di t’i selektojë dhe t’i vlerësojë artistët”, ka thënë Tusha pas koncertit.
Jo në pak raste, publiku ka kënduar fjalë për fjalë këngët e interpretuara. Me këndim e duartrokitje i kanë përcjellë këngët “Lule Bore” dhe “Si dukat i vogël”.

Festim Bytyqi, nga shoqëria kulturore-artistike “Agimi”, ka thënë se ai është vetëm njëri nga anëtarët e publikut që është ndarë me ndjenja shumë pozitive nga koncerti.

“Nuk kam çfarë të komentoj. Ata janë krenaria e të gjitha territoreve ku flasin shqip, sepse me këngët e tyre kanë arritur të prekin në zemrat e të gjitha gjeneratave që ishin sot këtu dhe ato që i kanë përcjellë nga larg”, ka thënë Bytyqi për KOHËN.

“Rrjedhë në këngë e ligjërime” është kënduar në përmbyllje të koncertit, pas disa këngëve të njohura shqiptare që kanë krijuar një atmosferë të veçantë brenda kinemasë “Lumbardhi” në Prizren, derisa publiku ka dalë me premtimin për një koncert akoma më të madh mbi Kalanë e qytetit.