Libri i Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968” (botues: Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 2020) është një udhëzues për vendosje të marrëdhënies me kujtesën për arsimin shqip dhe dijen, e cila, si substancë e realitetit tonë historik e ekzistencial, e ka determinuar lirinë dhe zhvillimin e qenies sonë njerëzore në rrjedhën kohore
Hyrje
Kur një studiues përballet me ofertën për t’u bërë pjesë e gjykimit vlerësues të një projekti jashtë fushës primare të tij diturore, vetë oferta bëhet një sprovë për qëndrueshmërinë e kritereve morale të ndërgjegjes së tij profesionale. Është pikërisht interesi universal njohës ai që mund ta tundojë e joshë ndërgjegjen profesionale që t’i shkelë kufijtë e interesit të vet të ngushtë njohës.
Më poshtë do të përpiqem ta shkoqis logjikën e motivimit të përfshirjes sime në rolin e recensentit të një vepre që nuk bie në domenin e fushës sime të ngushtë profesionale si dhe të efekteve reflektive në hapësirën time mendore që ka prodhuar akti i përfshirjes në këtë rol.
Historia e arsimit është pjesë integrale e historisë së kulturës së një populli. Historia e luftërave dhe betejave, është histori e trupit të një kombi, është histori që objektin e vet e shikon nga jashtë; historia e arsimit, si pjesë integrale e historisë së kulturës së një populli, është historia e shpirtit, është histori që objektin e shikon në gjendjen e brendshme të tij, në idetë që synojnë përsosjen e gjendjes njerëzore të një kombi. Unë, si studiues, nuk vij nga shkenca e pedagogjisë, por nga fusha e dijeve për letërsinë: të teorisë së letërsisë, të filozofisë së letërsisë e të historisë së letërsisë, fusha këto të cilat synojnë të krijojë një pamje të qartë për ekzistencën, orientimin, shkaqet e atij orientimi si dhe qëndrueshmërinë vlerore të kulturës letrare shqiptare. Arsimimi është një instrument operacional për ngritjen dhe avancimin e cilësisë së kulturës letrare të një kombi. Arsimimi është një veprimtari, e cila i nxit dhe i zhvillon nevojat, shijet dhe idealet estetike të një kombi. Cilësia e nevojave dhe idealeve estetike të një kombi janë treguesit e gjendjes dhe shkallës së pjekurisë të kushteve të brendshme njerëzore të tij: çfarë dhe si ndien një komb? Çfarë aspiron ai? Si e percepton marrëdhënien e vet me botën? Cilat janë kontradiktat e tij në këtë marrëdhënie?, e të tjera.
Shoqëritë që i nënçmojnë nevojat estetike e kulturore janë shoqëri të destinuara të mbesin në histori (pa histori!) në batakun e luftës për mbijetesë. Ne jemi i vetmi shtet në rajon që nuk ka teatër të operës; që kemi teatro gjithandej Kosovës me repertor minimalist deri në kufijtë e mosekzistencës së tyre, ndërsa, nga ana tjetër, kemi hiperinflacion të kiç-kulturës.
Kombet e fuqishme me sisteme të qëndrueshme arsimore kanë prodhuar dhe mirëmbajtur sisteme të fuqishme kulturash letrare. Arsimimi bashkë me kulturën letrare, si pjesë integrale e kulturës njerëzore, është mjeti me anë të të cilit prodhohen, mirëmbahen dhe zgjerohen kufijtë mendimorë, si kusht i zgjerimit të kufijve të ekzistencës njerëzore në botë.
Nga libri i Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968” unë kam përfituar informata të rëndësishme për t’i kuptuar më qartë arsyet e kushteve në të cilën është ndërtuar kultura jonë letrare jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, si dhe arsyet e cilësisë së saj, që lënë shumë për të dëshiruar.
Kujtesa si akt i pranimit të vetes
Filozofi francez Pol Rikër (Paul Ricceur) thotë se njohja e të djeshmes nuk është çështje e rinjohjes së diçkaje të kaluar, por një akt rinjohjeje dhe pranim i vetvetes, ku kujtesa është kriteri më i saktë i përcaktimit të identitetit vetjak. Libri i Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968” është një udhëzues për vendosje të marrëdhënies me kujtesën për arsimin shqip dhe dijen, e cila, si substancë e realitetit tonë historik e ekzistencial, e ka determinuar lirinë dhe zhvillimin e qenies sonë njerëzore në rrjedhën kohore. Libri i Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968” është një ftesë për ngritjen e aftësive gjykuese e vlerësuese për identitetin tonë etik e historik.
Çfarë kemi synuar? Cili ishte orientimi historik që ne kemi marrë kah më e mira e njerëzores sonë? Cilat ishin mundësitë tona historike për të marrë orientim drejt zgjedhjeve të caktuara?
Prej librit “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968”, me autor Ragip Ballatën, mund të kuptojmë se doktrina të misionarizmit në arsimin shqip – jo vetëm gjatë periudhës 1945-1968, por edhe para e pas saj, e deri në fillim të mileniumit të tretë – do të jenë humanizmi, iluminizmi dhe kombëtarizmi, me bazë metodologjinë kolektiviste. Në qoftë se Ernest Koliqi do të jetë misionar i “dërguar” nga Fryma e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, arsimtarët e mobilizuar për përhapjen e arsimit shqip në Kosovë që nga viti 1941 e tutje do të jenë të “dërguarit” e Ernest Koliqit dhe frymës së tij. Ata do të jenë fryma e frymës së Rilindjes Kombëtare. Kombëtarizma do të jetë qëllimësia e doktrinës së misionarizmit të mësimdhënësve shqiptarë, ndërkaq humanizmi dhe iluminizmi – normat dhe metodat e punës për realizimin e misionit për formimin e vetëdijes kombëtare në popull.
Nga jetëshkrimi i vetjeve të veçanta të përfshira në këtë vepër, të cilët e përbëjnë plejadën e arsimtarëve të para dhe të pas LIIB, shihet qartë se arsimimi në botëkuptimin e tyre jetësor ishte veprimtari praktike iluministe e humaniste, nëpërmes së cilës njeriu ynë do të mund të çlirohet nga të gjithë vargonjtë e robërisë fizike e shpirtërore, si kusht për ngritjen dhe avancimin e qenies së tij njerëzore në një stad më universal vleror të ekzistencës.
A është e mundur që nga pozitat e metodologjive kolektiviste të krijohen individualitete të cilat pastaj do të mund t’i ndryshojnë kushtet njerëzore të një komunitareje?
Pse metodologjia kolektiviste në planin e arsimimit ishte domosdoshmëri historike për shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze?
Metodologjia kolektiviste si instrument përshpejtimi në histori
Për shkak të zhvillimit atipik, vonesat e një shoqërie në shtrirjet e gjata kohore, në mos të tejkalohen, si paku kompensueshëm mund të relativizohen përmes përshpejtimit në kohë. Metodologjia kolektiviste – edhe atëherë kur prodhon “efekte anësore” të dëmshme – është një instrument i domosdoshëm përshpejtimi për popujt e vonuar, me qëllim që ta zënë hapin në histori. Misionarizmi si synim i metodologjisë dhe etikës kolektiviste për plejadën e mësuesve misionarë ishte mjeti më adekuat për kalimin e shoqërisë sonë nga etapa e tipit të kolektivizmit patriarkal në fazën e metodologjisë individualiste të organizimit të shoqërisë sonë, si kusht për vetërealizim e vetëpërcaktim idividulaist.
Si askund tjetër, në arsim metodologjia kolektiviste e gjen antipodin e vet: metodologjinë individualiste. Pse? Sepse, pavarësisht se ideja e arsimimit mund të drejtohet edhe prej metodologjive më të forta kolektiviste, si shprehje e një të tëre abstrakte që e abstrakton individualen dhe është mbi të dhe përtej saj, si entitet, duke rënë në kundërshtim me doktrinën kolektiviste, arsimimi është veprimtari e cila i drejtohet arsyes së individit dhe e aftëson atë që t’i tejkalojë arsyet instrumentale të të gjitha llojeve të pushteteve. Arsimi, edhe kur orientohet prej metodologjive kolektiviste, qofshin ato të karakterit të butë apo të fortë, arrin të prodhojë individualitete me aftësi për të korrigjuar dhe përsosur vetveten dhe për të korrigjuar kushtet njerëzore të një bashkësie, të një kombi apo të mbarë njerëzimit. Të kujtojmë me këtë rast gjendjen e arsimit dhe të dijes në kontestin e metodologjisë kolektiviste të inkuizicionit mesjetar përballë Galile Galileut ose anasjelltas.
Ndërmarrja kolektiviste shënon përpjekjen më serioze të shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë londineze për ndryshmin e paradigmave kulturore, në të vërtetë qytetërimore; kalimin nga kultura gojore në kulturën e alfabetizmit fonetik, pra në kulturën e shkrim-leximit, e cila synim të vetin e ka ngritjen e kapaciteteve të arsyes emancipuese njerëzore me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja komunikuese përtej kufijve të ngushtë të hapësirës vendore e kohore të bashkësive parake. Paradigma e kulturës gojore është kultivuesja dhe mirëmbajtësja e “kujtesës komunikuese”, në të cilën, sipas studiuesit Moris Albvaks-i (Maurice Halbwachs), bëjnë pjesë të gjitha format e kujtesës kolektive që bazohen ekskluzivisht në komunikimin e përditshëm të bashkësive të vogla sociale, jetëgjatësia e së cilës nuk e kalon njëqindvjetshin.
Kultura gojore në hapësirën kulturore të përgjithshme shqiptare edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet kundërshtarja e panënshtruar kundrejt kulturës së alfabetizmit fonetik. Provë për këtë është fakti se ne sot kemi shumë rrëfime personale, ashtu si dhe këngë kushtuar heronjve të luftës së fundit kundër falangës serbe, por ne jemi treguar të paaftë për t’i dëshmuar krimet në gjykatat ndërkombëtare të drejtësisë që Serbia na ka shkaktuar në luftën e fundit.
Si është e mundur që në epokën e shqiptarëve me dy shtete, me institucione të drejtësisë, me dy akademi të shkencave e një duzinë universitetesh publike, të sillemi me drejtësinë dhe me të drejtën tonë njëjtë sikur paraardhësit tanë të pambrojtur e të masakruar para njëqind e pesëdhjetë vjetësh? Pse? Sepse gjykatat ndërkombëtare të drejtësisë janë produkte të kulturës së alfabetizmit fonetik, të cilat janë indiferente ndaj artefakteve të kulturës gojore, popull-industri për prodhimin e të cilave kemi mbetur edhe sot e kësaj dite.
Situata e ngulitjes, e zhvillimit dhe rritjes së arsyes, si fakultet i njohjes, në librin e Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968” del të jenë të kondicionuara nga marrëdhënia asimetrike mes politikës hegjemoniste jugosllave dhe aspiratave për arsimim të vetë shqiptarëve. Ky tension në veprën “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968” deduktohet në rrafshe të ndryshme të shfaqjeve të mangësive e pengesave: a) në rrafshin politik: mungesa e kuadrit të plotë ligjor emancipues, si pasojë e politikës hegjemoniste jugosllave kundrejt shqiptarëve; b) mungesa e kushteve materiale: objekteve, mjeteve mësimore; c) mungesa e kuadrove; ç) mungesa e plan-programeve mësimore; dhe d) mungesa e teksteve mësimore.
Të gjitha këto mangësi e vështirësi të arsimit shqip në Kosovë, Ragip Ballata na i sjell nga këndvështrimi historiografik, i cili është lehtësisht i verifikueshëm përmes sasisë së fakteve arkivore të ofruara, si dhe përmes këndvështrimit të historisë gojore, me ç’rast vetje të ndryshme i sjellin gjendjet emocionale në rrugëtimin e tyre për konsolidimin e shtyllave të ngrehinës së arsimit shqip në Kosovë. Këto dy këndvështrime – në rastin e parë, mbi bazën e parimit të historizmit dhe në rastin e dytë mbi bazën e parimit të kujtesës personale – në vepër alternohen.
Përfundim
Çfarë mund të mësojmë nga vepra “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968”? Një ndërmarrje e tillë për arsimim e dije çfarë mesazhi i përcjell kohës sonë?
Libri i Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968” nuk është një përgjigje pasive ndaj nevojave të kujtesës për të kaluarën që është e drejtuar kah e tashmja jonë. Jo! Ky libër është një referencë për të kaluarën, sepse buron nga shqetësimet, dëshirat, dyshimet dhe frikët tona të tashme, që i përmban vizioni ynë gjithnjë e më konfuz për të ardhmen e arsimit shqip.
Në botën e konsumit, cili do të jetë shëndeti i arsimit nëse ai mbetet thjesht instrument konsumi për nevojat e tregut të punës, e jo një metodë për prodhimin e qytetarëve, të cilët, përmes arsimimit, do të jenë të aftë të dallojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është e parëndësishme në jetën e tyre individuale dhe komunitare, çfarë është e mirë publike dhe cilat janë përfitimet individuale prej saj, si dhe cilat sjellje individuale e egoiste rrezikojnë atë të mirë publike?
Libri “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968” i Ragip Ballatës – përkundër kulturës së industrisë konsumiste, ku dija dhe arsimi janë mall si çdo mall tjetër tregu – na rikthen në vëmendje edhe njëherë idealin për virtytin e dijes, i cili buron dhe merr orientim nga virtyti i karakterit. Përmes virtytit të dijes ne orientohemi në rrugën e përvetësimit të asaj se çfarë është e vërteta për veten tonë në raport me tjetrin, ndërsa virtyti i karakterit na orienton në përvetësimin e asaj se çfarë është e drejtë për veten tonë si individë dhe kolektiv në histori.
Libi i Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë 1945-1966” është një burim ngushëllimi e frymëzimi për të sotmen dhe të ardhmen tonë me modele misionariste, të cilat na nxisin në ecjen tonë të përbashkët drejt synimesh më të larta kombëtare e njerëzore.
Kjo kumtesë u lexua me rastin e përurimit të veprës së Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë e rrethinë 1945-1968”, organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, në sallën e Teatrit “Hadi Shehu”, si dhe në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë