Shtojca për Kulturë

Shqiptarët e privilegjuar në Venedik

Descriptive Text

Vazhdim i “Skënderbeu si Aleksandër i ri”

Pas vdekjes së Skënderbeut në janar 1468, Venediku shpresonte se Pal Engëlli do ta stabilizonte situatën politike në Shqipëri. Por, argjipeshkvi vdiq fill pas një viti i dërrmuar prej katastrofës në vendlindjen e tij të shkretuar nga osmanët. Rëndësia e tij e jashtëzakonshme për historinë shqiptare të shekullit XV nuk mund të vihet në dyshim.

Megjithatë, me vdekjen e kryeipeshkvit nuk merr fund rëndësia e familjes Engjëlli, përkundrazi: vëllai i tij, Pjetër Engjëlli (Peter Angelus), pas shumë peripecish arriti ta shpëtojë veten në Serenissima dhe atje të luante një rol udhëheqës në komunitetin e shqiptarëve. Ky komunitet, krahas familjes Engjëlli, paraqet gurin e dytë themeltar për ballafaqimin shqiptar me antikitetin. Në Venedik, shqiptarët, si grup më i privilegjuar i nënshtetasve në Stato da mar (Republika detare), zotëronin që nga viti 1442 dhe kishin qendrën e tyre shoqërore në shkollën S. Maria dhe S. Gallo. Pra, jo vetëm që qytetarët e qyteteve të Shqipërisë venedikase, të mërguar prej pushtimit osman, themeluan këtë komunitet diaspore, por për më tepër e shfrytëzuan këtë për t’u integruar shpejt në shoqërinë e qytetit të Shën Markut. Pushtimi osman i Drishtit dhe pas një rrethimi të gjatë dorëzimi i Shkodrës Sulltanit me paqen e vitit 1479, çoi sërish një numër të madh të shqiptarëve të veriut në Venedik. Fati i tyre dihet më së miri pasi Senati ngriti një komision të posaçëm prej anëtarësh për çështjet e lidhura me qytetarët e Shkodrës.

Midis të ikurve gjendeshin edhe shumë priftërinj, të cilët morën përfitime të reja. Shumica e tyre ishin të lidhur ngushtë me familjen Engjëlli dhe me kujtimin e argjipeshkvit të vdekur dhjetë vjet më parë, si për shembull Demetrio Franco që supozohet të ketë qenë administrues i financave të Skënderbeut dhe autor i një biografie për të, por edhe Marin Barleti nga Shkodra, libri i të cilit mbi jetëshkrimin e Skënderbeut u botua në Romë më 1508 dhe që faktikisht do të mbrunte për qindra vjet me radhë figurën e Gjergj Kastriotit. Të dy këta autorë, por sidomos Barleti, ngritën lart në veprat e tyre rolin e derës së Engjëllorëve në luftën e Skënderbeut kundër osmanëve dhe e bënë këtë gjë në një mënyrë të tillë, që nënkuptohet më tepër si një homazh për derën e Engjëllorëve sesa një përshkrim historik. Në të vërtetë, dera e Engjëllorëve ishte epiqendra e elitës së vogël intelektuale në Venedik. Dy vepra më të rëndësishme biografike mbi Skënderbeun u shkruan nën ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë. Por, Engjëllorët kishin lidhje edhe me Muzakajt në Mbretërinë e Napolit. Sepse nuk duhet harruar që shumica e fisnikëve shqiptarë, veçanërisht familja e Skënderbeut, shkuan jo në Venedik, por në Italinë e Jugut, atje ku Kastriotët kishin marrë më 1467 zotërime tokash prej mbretit Ferrante, ndër to edhe në malin S. Michele dhe në S. Giovianni Rottondo.

 

Dera fisnike e Muzakajve në Italinë e Jugut

Edhe dera fisnike e Muzakajve prej Shqipërisë së Mesme ia kishte dalë të krijonte një ekzistencë të re në Italinë e Jugut. Nga radhët e saj rrjedh i vetmi kronist fisnik i Arbërisë, Gjon Muzaka (Giovianni Musachi), i cili në fillim të shekullit XVI, pra rreth së njëjtës kohë me biografët e Skënderbeut, Barleti dhe Franco, hartoi një kronikë familjare, e cila ofroi një këndvështrim krejt tjetër të ngjarjeve duke e paraqitur Skënderbeun si një homo novus, i cili kishte shfuqizuar dhe shpronësuar tërësisht fisnikërinë e vjetër shqiptare. Muzaka ndodhej në kontakt me Engjëllorët venedikas dhe shkroi nën nxitjen e tyre.

Por, Engjëllorët ndikuan jo vetëm mbi këta tre historianë të rëndësishëm, por ata edhe vetë ushtruan një veprimtari të spikatur për kultivimin e traditës. Shumica e teksteve përkatëse janë përmbledhur në kodikun “Codex Ashburnham” 1167 të Bibliotekës Laurenziana, kodik që ka qenë i mirënjohur deri më sot kryesisht për faktin se ai përmban të parën dëshmi gjuhësore të shqipes së shkruar, një formulë pagëzimi në gjuhën popullore, e cila me urdhëresën e argjipeshkvit Pal Engjëlli do të duhej të përdorej për pagëzime të ngutshme në kohë luftërash. Kodiku për nga përmbajtja duket shumë heterogjen dhe fillon me aktet e një sinodi reformist të kishës së Shqipërisë Qendrore, mbajtur në nëntor të vitit 1462 nën kryesinë e argjipeshkvit; ky sinod kishte për qëllim të reformonte administrimin kishtar të çrregulluar për shkak të sulmeve të vazhdueshme osmane.

Këtij teksti bazë për historinë kishtare shqiptare, i bashkëngjitet një regjistër i provincave të regio illyrica të kohës së antikitetit të vonë, që supozohet të jetë marrë prej “Librit të Artë të Arkivit të Qytetit të Durrësit.” Vazhdon me thirrjen e Papa Piut II për kryqëzatën kundër Mehmetit II në nëntor 1463. Kodiku mbyllet nga një sërë kopjesh të dokumenteve që klasifikohen në dy grupe:

1) Marrëveshja, që Venediku e pati bërë për marrjen në dorëzim të qyteteve të Durrës (1392) dhe Drisht (1442) – domethënë të dy vendeve ku kishte vepruar argjipeshkvi; dhe

2) Dokumente sipas të cilave vërtetohet prejardhja fisnike, përkatësisht bizantino-perandorake, e familjes Engjëlli, si dhe zotërimet e saj tokësore; këto plotësohen nga dokumente të përpiluara nga nëpunës venedikas, të cilat dëshmojnë për qëndrimin besnik të argjipeshkvit ndaj Venedikut. Disa prej këtyre dokumenteve, në radhë të parë një i ashtuquajtur privilegj i një perandori bizantin, Michael - padyshim janë falsifikime. Kjo nuk të habit aspak, sepse Engjëllorët kishin bërë emër si falsifikatorë dhe manipulues të mëdhenj gjenealogjish në Italinë e shekullit XVI dhe XVII. Qëllimi i atij që hartoi kodikun në shekullin XVI ka qenë më se i qartë: ai duhej t’u siguronte Engjëllorëve të mërguar në Itali një vend në elitën e Gadishullit Apenin. Megjithatë, jo të gjithë tekstet në fjalë janë të falsifikuara: në bibliotekën e Museo Correr janë gjetur para pak kohësh origjinalet e disa dokumenteve të rëndësishme të cilat përputhen me kopjet e tyre. Tendenca e përmbajtjes së kodikut do të trajtohet më hollësishëm në vijim. Këtu në përmbyllje duhet përmendur edhe një figurë tjetër të panjohur deri para pak kohe, më saktë shkodrani Marin Dulcich, i cili i ka kopjuar statutet e qytetit të Shkodrës në fillim të shekullit XVI duke vendosur në krye të tyre një dokument privilegjues unik të Aleksandrit të Madh. Si përfundime të këtij paragrafi janë për t’u evidentuar: bashkësitë qytetare të dobëta ekonomikisht nuk përbënin bazën e shtresave të arsimuara laike.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Ky studim është botuar te F. Fuchs (Hrsg.): “Osmanische Expansion und europäischer Humanismus” (Pirckheimer Jahrbuch Bd. 20). Wiesbaden, 2005, fq. 123-144. Fusnotat janë hequr nga redaksia dhe janë shtuar mestitujt. Përktheu nga gjermanishtja: Sylë Ukshini