Shtojca për Kulturë

Këngëtari i pakompromis për vlera

Nga një mandolinë që dikush ia dhuroi nga Italia, i riu llapjan do t’i hynte një rrugëtimi të gjatë në truallin e muzikës folklorike shqipe. Njësoj si dashuritë e para që kur janë të vërteta, bëhen jetësore, Ismet Bogujevci ishte këngëtari tek i cili kënga autentike shqipe u lartësua me dinjitet. Me pamjen simpatike të një mesoburri me kokën e shogët, ai stivoi këngë pas këngë në një trashëgimi të vyer artistike. Përveç duetit të njohur me Nexhmije Pagarushën, në interpretimin e këngës “Kur ta fala një tufë gërshetë”, Bogujevci e përjetësoi zërin e tij origjinal edhe në këngë të pavdekshme si “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Canga”, “Bajram Curr o Bajram Curr” e dhjetra të tjera. Pa qenë askurrë imponues e afër syrit të kamerave, ai u bashkëshkri si artist, koleg e babaxhan shpirtmirë me valltarë e valltare të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, “Shota”

Me një buzëqeshje të lehtë thoshte se nuk është bashkëbisedues i mirë si për t’u shfajësuar që nuk ndihej rehat para syrit të kamerave. Në të gjallë të tij, këngëtari Ismet Bogujevci la vazhdën e vet prej njeriu të përkorë, një modesti e cila në ditët tona, ku gjithçkaja matet me kutin e dukshmërisë në media, mund të mos i bëjë hair prodhit artistik. Ndonëse nuk janë bërë veçse tri ditë kur mbylli sytë për herë të fundit, veprat e këngëtarit sojli tashmë po flasin zëshëm e pa drojë.

Kur mandata e përzishme e vdekjes së tij paraditen e së enjtes përshkoi mediat sociale, gazetarët mund të kenë ndier pafuqinë e tyre kur as edhe një burim virtual apo publikim i shkruar nuk përmbante qoftë edhe një dromcë te vetme informacioni për të ravijëzuar jetëshkrimin e tij.

Duke ndjekur të mëdhenjtë e muzikës shqipe

Sado që për një gjysmëshekulli veshi kostumin e argatit të këngës, edhe incizimet e tij në Radio Prishtinë nuk ishin të shumta.

“Nuk e di nëse kjo është një fatkeqësi ose fatmirësi”, kishte thënë Bogujevci në një nga paraqitjet e rralla në media kur po i kthehej kujtesës për të gjetur ndër vite fillet e një rrugëtimi përgjatë të cilit fitoi zemra. I lindur më 9 prill të vitit 1952 në Besianë, i riu që zërin e bukur e kishte dhunti të lindur, e quante veten me fat që u rrit në një rreth intelektual. Në një kohë kur dëgjimi i Radio Tiranës të vinte në gjithfarë andrallash me pushtetin, Bogujevci do të zhytej në botën e këngës shqipe që zbulohej nga interpretët e shquar të andej kufirit.

Në kujtesën e artdashësve

Pasditen e së premtes, këngëtari Ismet Bogujevci është varrosur në varrezat në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.

Me një ceremoni shtetërore nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, arkivoli me trupin e të ndjerit ka përshkuar hapësirën nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar.

Në mënyrë simbolike, valltarë e valltare të Ansamblit Kombëtar “Shota” – aty ku u nyjëtua fati i tij krijues për dekada – kanë parakaluar tok me makinën që bartte arkivolin me trupin e Bogujevcit.

Me homazhe përballë arkivolit të tij e nënshkrime të ndjera në librin e zisë, kolegë, miq e dashamirë të shumtë kanë shprehur nderimet më të larta për njeriun i cili në vlerësimin e të gjithëve, nuk e kompromisoi asnjëherë vlerën e këngës shqipe përballë komercializimit kollufitës.

“Ishte tejet i dashur dhe i mirë. Ai do të na mungojë, porse kënga e tij do të rrojë edhe me ata që do vijnë pas nesh”, ka deklaruar mes të tjerash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së homazheve.

Duke e cilësuar si një nga doajenët e muzikës popullore shqipe, ministri i Kulturës ka thënë se emri i Bogujevcit do të vazhdohet edhe më tutje përmes veprave që la pas vetes.

“Tërë veprimtarinë e tij artistike ia dedikoi kombit dhe asnjëherë nuk e komercializoi artin që e krijoi me aq zell e përkushtim”, ka thënë ndër të tjerash Çeku.

Pa fshehur emocionet, këngëtari Riza Bytyçi e ka quajtur Bogujevcin si mik të jetës e të këngës për më shumë se 50 vjet. Në momente të vështira e të këndshme, ka thënë ai, kishin qenë bashkë në koncerte, festivale, turne e ahengje.

“Ismeti ka qenë një këngëtar i shkëlqyeshëm dhe zëri e interpretimet e tij do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve”, ka thënë Bytyçi.

“Këngët që mishërohem…”

Nëse në shumë raste është emri që paraprin hitin, të pavdekshmes këngë “Martesa jonë”, që jeton edhe sot e riinterpretuar dhe e krijuar në qindra motërzime, shpesh nuk i njihet interpreti i parë i saj.

Një lirikë së cilës akademik Gazmend Zajmi i kishte bërë një thurime kuptimplote vargjesh, Bogujevci do të mësynte studion e Radio Prishtinës duke e ushtruar vetëm melodikisht këngën, por jo edhe tekstin e saj.

“Unë kam incizuar vetëm këngët që më linin përshtypje e që mishërohesha me to, në të kundërtën nuk i hyja kësaj rruge”, kishte thënë Bogujevci katër vjet më parë në emisionin “Zone” në Radio Televizionin e Kosovës.

Kënga, drama…dhe futbolli

Një mandolinë e blerë në Itali si dhuratë nga dhëndri i tij do të ishte sprova e parë për të baritur në mbretërinë e pafundme të këngës. Hapërimit artistik do t’ia bënte sefte me angazhimin në shoqërinë kulturore-artistike “Josip Rela” në Besianë. Pos si këngëtar, i riu i talentuar do të debutonte edhe në truallin e dramës si aktor me rolin e Qatipit në dramën “Halili dhe Hajria”.

E një detyrim moral bashkë me njohjen e vlerësimin e lartë ka bërë që teatri “Avdush Hasani”, në vendlindjen e tij, të afishojë një kujtim të ndjerë.

“E nise rrugëtimin nga Llapi yt i dashur dhe kalove mijëra kilometra arti duke mbjellë kudo dashuri e mirësi e ngazëllim, miqësi e besim te të gjithë që patën fatin të jetojnë në kohën tënde”, thuhet në kushtimin e afishuar në faqen e këtij teatri në “Facebook”.

“Ti edhe kur qeshje na e jepje dinjitetshëm vuajtjen edhe kur qaje sikur na thoshe: buzëqeshni miqtë e mi kënaquni me dashurinë që jepni e merrni. Ti bëre bashkë shumë njerëz e artë dhe të gjithëve na dha ndjenjën e të qenit prezent në shpirtin e secilit në gëzime e dhembje”.

“Një kohë e artë”

Ndonëse të treguar krejt shkurt, në rrëfimin e tij në vetën e parë, Bogujevci evokonte me mallëngjim rrethin e tij të ngushtë të shoqërisë: Fadil Vokrrin, Xhevdet Pecin, Ferid Zekollin e Fevzi Ramën.

“Nuk kishte natë që të mos ishim bashkë sa në një vend në tjetrin. Ishte një kohë e artë ku secili prej nesh ishte në profesionin e vet”.

Sado që është një nga anët më së paku të njohura, Bogujevci për disa vjet me radhë kishte luajtur aktivisht futboll në radhët e “Llapit”, e madje kishte qenë edhe kryetar i klubit në fjalë në kohërat e vështira gjatë viteve ’90.

“Gjurmë te secili”

E mbesa e tij, Saranda Bogujevci e ka të gjallë “bejën Ismet”, atë që e mbushi fëmijërinë e saj dhe të tjerëve me prani ëmbëlsisht pozitive.

“Pos në familje, ai ishte një person që la gjurmë tek secili”, ka thënë Bogujevci mes emocionesh të forta të premten teksa të ungjit të saj i bëheshin homazhet e fundit në hollin e Teatrit Kombëtar.

Ajo ka theksuar se profili artistik i Bogujevcit u kuptua më së miri nga reagimet e gjithë njerëzve të komunitetit artistik, por edhe me gjerë.

“Kjo tregon më së miri se kush ishte ai si artist e si njeri. Linte përshtypje tek secili që e takonte. Punëtor e i dashur me të gjithë, unë jam me fat që e pata familjar”, ka shtuar Bogujevci.

“Punoi pa bërë zhurmë”

Me gjithë mërzinë që i shquhej në fytyrë, valltari Besnik Grajçevci nuk e jepte veten. Bashkë me kolegë të tjerë të Ansamblit “Shota”, ai rrinte dinjitetshëm para arkivolit të atij që jetoi njësoj e thjeshtësisht në ansambël.

“E kam pak zor se çka të flas e të them më parë për meritat dhe vlerat njerëzore e artistike të balit Ismet”, ka thënë Grajçevci për KOHËN.

Duke ndërmendur pafund çaste të kaluara me të, ai e ka kujtuar këngëtarin e njohur si njeri që shquhej me pozitivitetin dhe bujarinë e tij.

“Të punosh me të ishte frymëzim e motivim që vinte prej modestisë, thjeshtësisë dhe vlerave të tij. Bëri shumë punë duke qenë i urtë, modest e pa bërë zhurmë”, ka thënë Grajçevci.

Me një dhimbje që bëhet bashkë me nostalgjinë, Fehmi Kajolli, që kishte punuar si kameraman, ka thënë se ndihet krenar që jetoi në kohën kur shkëlqeu një yll si Bogujevci.
“Ishte një yll i vërtetë i estradës shqiptare. Të gjithë e dimë se ai identifikohej me këngën ikonë që të gjithë e këndonim ‘Martesa jonë’”, ka thënë Kajolli.

”Një orkestër amatore, por shumë profesioniste”

Të gjithë ata që e njohën kanë vënë re një maksimë që përdalloi krijimtarinë e tij muzikore. “Nëse një këngë nuk dëgjohet 30 vjet pas realizimit të saj, ajo nuk vlen”, thoshte bali Ismet ndër rrethe miqsh.

Për vite me radhë, Bogujevci do të vazhdonte aktivitetin artistik në shoqërinë “Ramiz Sadiku” në Prishtinë duke u bërë pjesë e koncerteve, turneve e festivaleve në vend e në rajon. Aty ai bashkëpunoi edhe me emra si Esat Bicurri, Riza Bytyçi, Avni Hasaj, e të tjera.

Në kohën kur kishte dalë në pension, ai do ta përshkruante këtë episod të jetës së tij si një “orkestër amatore, por që bënte punë shumë profesionale”.

Me interpretimin e jashtëzakonshëm në duet me Nexhmije Pagarushën, kënga “Kur ta fala një tufë gërshetë” do të stolisej me çmimin e parë në Akordet e Kosovës më 1984.

Në opusin e tij prej këngëtari shquhen edhe interpretime këngësh si “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Canga”, “Bajram Curr o Bajram Curr” e shumë të tjera.

“Borxhli ndaj publikut”

Në një intervistë të bërë katër vjet më parë, Bogujevci ishte pyetur përse nuk kishte bërë më shumë incizime e këngë.

“Ju kam mbetur borxh që të bëja më shumë për gjithë ata të njohur e të panjohur që më takojnë në rrugë”, kishte thënë ai.

Në vitet ’90 ai ishte angazhuar si bashkëpunëtor i ansamblit “Shota”, përderisa nga viti 2000 punoi si solist në këtë institucion. Prej vitit 2012 deri më 2013 ishte ushtrues detyre i drejtorit të Ansamblit, periudhë gjatë së cilës Ansambli ka fituar disa çmime ndërkombëtare në festivale prestigjioze nëpër botë, përfshirë në Turqi, Itali dhe Bullgari. Bogujevci edhe pas pensionimit të tij në pranverën e vitit 2017 ishte pjesë e koncerteve të “Shotës”.

I dashur e i ëmbël për të gjithë, duke kondensuar një jetë të kaluar në botën e këngës, Bogujevci porosiste të rinjtë që t’i kthehen “gjakut e damarit të këngës së mirëfilltë” e të mos lakmonin atë që as nuk është shqiptare e as nuk është e mirë.

“Fatkeqësisht, shumë njerëz janë infektuar nga tallavaja, por ne duhet t’i kthehemi asaj pasurie kombëtare që nuk e ka asnjë popull tjetër”.