Ide kreative dhe bartje artistike në Tiranë, kryeqyteti plot gjallëri i Shqipërisë, larg nga e kaluara komuniste
Në shumë prej vendeve të dikurshme të bllokut lindor, gjylet rrënuese dhe përparimi shoqëror pas rënies së Murit të Berlinit shembën strukturat kaba të ngrehinave komuniste dhe ushtarake të Luftës së Ftohtë. Në Tiranë, kryeqyteti i qerthulluar me male, qeveria dhe artistët lokalë kanë zgjedhur mënyra më vibrante dhe të pazakonta për të çarë rrugën jashtë viteve të diktaturës dhe depresionit ekonomik.
Ngrehinat e leskëruara e të hirnosura të moteve osmane janë pikturuar me hijet e një të portokallte çokollate dhe të verdhme; apartamentet e bajatshme staliniste shërbejnë si kanavaca të mëdha për abstraktet kubiste me tone stolish e shirita të ylbertë. Një pjesë e mirë e meritës shkon për ish-bashkiakun Edi Rama, një piktor i bërë politikan (tani kryeministër i Shqipërisë), i cili nismoi një përpjekje për zbukurimin e qytetit në vitin 2000 që bëri artistët të vishnin fasadat e ngrehinave e punëtorët të mbillnin 55 mijë drunj e shkurre në hapësira publike.
“Kur ngjyrat erdhën në çdo vend, një gjendje ndryshimi filloi të shpërndërronte shpirtin e njerëzve”, ka thënë Rama në TED Talk. “E ngjalli shpresën që ishte përfikur në qytetin tim”.
Banorët dhe turistët tash përdorin rrokaqiejt e lyer me ngjyra të ylberta për të bërë selfie, kurse qeveria mëton se pikturat ndihmuan që krimi të ulej e të ngrihej krenaria lokale.
Arti publik e pikturat nuk janë të vetmet forca që po e lëvizin këtë kryeqytet të vogël ballkanik tej shtypjes së periudhës komuniste. Rreth Tiranës, muzetë historikë mbushin bunkerët e dikurshëm ushtarakë dhe galeritë pikëzojnë lagjet që njëherë e një kohë ishin të rezervuara për zyrtarët e partisë.
Në të majtë: Muzeu Kombëtar gjendet në qendër të sheshit Skënderbe, që ishte edhe logu i protestave në fillim të viteve ’90 që çuan në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Në të djathtë: Në qendër të Tiranës, hyrja në “Bunk’Art 2” të çon në një strehimore të nëndhéshme bërthamore, të kohës së komunizmit, që është kthyer në një muze të artit dhe historisë. Hyrja është ndërtuar për t’i shëmbëllyer atyre bunkerëve për dy persona që gjenden gjithandej Shqipërisë (Foto: Alessio Mamo)
Një diktator paranojak dhe fandaksja pas bunkerit
Deri para një ose dy dekadash, suveniri më i zakonshëm që mund të merrje prej Tiranës mbase ishte një tavëll prej alabastre, por jo një selfie e bërë para një ngrehine ngjyrashumë. Objektet me kupolë i bëjnë homazh të hollë më shumë se 173 mijë bunkerëve që dikur pikëzonin Shqipërinë dhe kryeqendrën e saj, përkujtues të zhveshur të sundimit diktatorial të Enver Hoxhës nga 1941 deri më 1985.
Brutal për qytetarët e tij dhe veçanërisht paranojak, Hoxha besonte se vendet fqinje si Greqia dhe Jugosllavia, ashtu sikundër edhe aleatët e dikurshëm sovjetikë, do të sulmonin Shqipërinë. Kështu nga vitet ’60 deri në fillim të viteve ’80, ai ngriti mijëra fortesa betoni në gjithë vendin, që varionin në madhësi prej atyre për dy veta deri te strofuj të nëndhéshëm me shumë dhoma.
Ndërtimi i tyre e izoloi edhe më shumë vendin dhe i shteroi financat e energjinë e tij, duke e kthyer në më të vobektin vend në Evropë. Në fund, i gjithë ai cement i përzier që bërë për asgjë.
“Hoxha harxhoi miliarda dollarë për ëndrrën e tij për bunkerizimin e çdo pëllëmbe të Shqipërisë, duke robtuar dhe duke e sjellë një popull të tërë buzë mbijetesës”, thotë Admirina Peçi, gazetare dhe historiane. “Por historia ka dëshmuar se rreziku i njëmendtë nga sulmet ishte zero”.
Sot, paçka se shumë bunkerë janë zhbërë apo shkatërruar, qindra syresh kanë ngelur apo janë përshtatur si plevica për kafshë; të pikturuar për t’iu ngjarë luleve në paralagjet e qytetit; apo, për tinejxherë, të përdorura si vende të vetmuara për t’u puthur. Në disa prej resorteve të bregdetit në Adriatik (rreth një orë në perëndim të Tiranës), kupolat me cement janë shndërruar në lokale ushqimore apo dhoma të ndryshuara. “Elesio Resort” në Golem e ka kthyer bazamentin e bunkerit në një banjë; pullazi prej kupole, që zgjatet deri në restorantin e hotelit, është mbushur me rafte që mbajnë takëmet për vaktin e mëngjesit.
Bunkerë të betontë të braktisur në rrëzë të një shkëmbi në Kepin e Rodonit (Foto: Alessio Mamo)
Vendfshehjet e Luftës së Ftohtë bëhen muze
Një prej këtyre strukturave të “ditëve të fundit” që është përshtatur në mënyrë të hollë është “Bunk’Art”, një çift muzesh historikë e galerish të artit që mbushin strehimoret e nëndhéshme bërthamore të ndërtuara për Hoxhën dhe aleatët e tij. Mes dhomave të vrazhda e pa dritare si dhe dyerve me hekur të trashë që ishin paraparë për të mbrojtur krerët e partisë nga shpërthimi bërthamor, video instilacione, artefakte dhe art bashkëkohor që shkoqit historinë shqiptare të shekullit të 20-të, përfshirë pushtimin fashist italian nga 1939-1944 sikundër edhe periudhën komuniste.
“Po bëhej gjithnjë e më e vështirë të kaloje përmes simboleve të regjimit të Hoxhës. Të vetmet pjesë të komunizmit ishin mijëra bunkerë të hapërdarë në gjithë vendin posi kërpudha betoni”, ka thënë Carlo Bollino, një gazetar italian me qëndrim në Shqipëri e që ndihmoi të themelohej “Bunk’Art” më 2014. “Një muze brenda bunkerëve dukej si një formulë për të treguar historinë”.
Të dy “Bunk’Arts” – njëri në rrethinat e Tiranës, e tjetri në qendër të qytetit – kanë një përzierje eklektike të historisë dhe artit. Një ekspozitë për mbitheksimin e sportit në kohën e Hoxhës rikrijon disi një fitnes shkolle; një rreth basketbolli mban një bust të diktatorit me mustaqe. Në hyrje të “Bunk’Art 2” në qendër të qytetit, fotografi cilësore të shqiptarëve të vrarë nga qeveria komuniste mbushin hyrjen si një kolonë zanore e këngëve përkujtimore të të afërmve.
“Shqiptarët kanë një marrëdhënie të fortë me ritregimin e së kaluarës”, thotë Driant Zeneli, një video-artist nga Tirana që punon në “Bunk’Art”. Meqë ata që kishin kreativitet ishin në gjendje të shpreheshin lirshëm prej rënies së komunizmit më 1990, Zeneli ndien sikur komuniteti po mundohet për ta zënë kohën e humbur. “Sot Shqipëria është një vend për idetë e mëdha dhe energjinë, me artistë që e përkthejnë kalimin nga diktatura e gjatë. Është një vështrim i kuptimit të gjeneratës për të kaluarën e vet dhe shikim kah e ardhmja”.
Disa aktivistë dhe të rinj shqiptarë besojnë se ka nevojë të bëhet edhe më shumë për të ruajtur strukturat ushtarake të Luftës së Ftohtë dhe të përdoren ato për të vlerësuar një periudhë në histori që u shënua nga kampet e detyruara të punës dhe hetimet brutale nga policia sekrete e Sigurimit.
“Nuk ka një politikë për memorien, as dëshirë nga ministria e Kulturës për t’u marrë me trashëgiminë komuniste apo të menduarit strategjik se çfarë duhet bërë me bunkerët”, thotë Ivo Krug, bashkëthemelues i “Tek Bunkerit”, një organizatë joqeveritare në Tiranë që punon për t’i ripërshtatur bunkerët e për t’i ringjallur komunitetet fshatare. Grupi e ktheu një tunel cementi jashtë Tiranës në një qendër për artin e kulturën më 2017 dhe shpreson të procedojë me një muze të historisë në një strehimore masive të nëndhéshme në Vlorë, një qytet që bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.
Paçka se disa kritikë mëtojnë se ripërshtatja apo pikturimi mbi strukturat e Luftës së Ftohtë është një ndreqje e lirë për infrastrukturat e shkërmoqura (apo një fshehje e historisë së errët të Shqipërisë), këto ndryshime kreative kanë sjellë optimizëm dhe lëvizje përpara në një qytet që dikur konsiderohej si i zymtë dhe ekonomikisht i shtypur. Muret e ndriçme në lagjet e vjetra si “Pazari i Ri” dhe “Ali Demi” tash tërheqin turistë, dhe muralet në rrugë, të ndaluara në vitet e komunizmit, kanë lulëzuar në gjithë qytetin.
“Ngjyra ishte thuajse joekzistente në hapësirën publike (deri më 2000), por nga dita në ditë, gjethe gjigande, gjeometri, pika dhe fjalë janë shfaqur në fasadat e ngrehinave”, thotë artistja Ledia Konstandini, që ka kronikuar ndryshimin e qytetit me ilustrime dhe fotografi. “Në fillim, ato dukeshin si jashtë vendit. Por sa më shumë që zbukuroheshin fasadat, aq më të natyrshme dukeshin. Njerëzit e tejkaluan frikën dhe kufijtë me ngjyrën dhe tash është bërë pjesë e identitetit tonë urban”.
Në të majtë: Një tunel në malet në të dalë të Tiranës, të çon në “Bunk’Art 1”. Muzeu dhe hapësira kulturore që ndodhet në një strehimore bërthamore të Luftës së Ftohtë qëmton historinë brutale të komunizmit. Në të djathtë: Dhoma pa dritare në “Bunk’Art 1” tregon maskat e gazit dhe të mirat e tjera që ishin bërë për t’i mbijetuar një shpërthimi bërthamor (Foto: Alessio Mamo)
Vetëm pak më tutje nga sheshi “Skënderbe” në qendër të qytetit (një homazh për heroin e shekullit të 15-të që luftoi turqit), Galeria Kombëtare e Arteve ndërthur bashkë të kaluarën e të tashmen e Shqipërisë. Vepra bashkëkohore – skulptura me zë, foto-gazetari – të bëjnë shoqëri tok me një shfaqje të madhe të pikturave dhe vizatimeve të “realizmit socialist”.
Artistët e mesit të shekullit 20-të, të “udhëzuar” nga qeveria shtypëse, bënin imazhe të idealizuara të fermave dhe fshatarëve të lumtur. Piktura të hijshme – fshatarët e Kolë Idromenos në petka të bukura popullore, punëtoret femra të fabrikës nga Isuf Sulovari – sugjerojnë një utopi të kaluar socialiste në kundërti me ekspozitat në “Bunk’Art”.
Ca blloqe më në jug, aty ndodhet një tjetër simbol i të kaluarës komuniste të Shqipërisë, Piramida e Tiranës. E ndërtuar më 1988 si tribut për Hoxhën, cementi masiv dhe përbindëshi i xhamtë janë katandisur në një gjendje të keqe gjatë dekadave të fundit. Por një renovim futuristik i përbindëshit brutalist nisi në shkurt. Ai do ta bëjë këtë hapësirë në një shkollë STEM dhe qendër kulturore.
Sikundër shumica e ndryshimeve në hapësirat historike të Tiranës, ribërja potenciale e piramidës ka përftuar kundërthënie.
“Shumë njerëz i mendojnë këto gjëra si grim, si buzëkuq në një fytyrë të vjetër”, thotë Konstandini. “Si një artiste, unë besoj në gjuhën urbane, dhe mendoj se Tirana po e fiton një fjalor të ri për ta shprehur jetën dhe temperamentin e saj”.
Busti i diktatorit të dikurshëm të Shqipërisë, Enver Hoxha, është vënë në një kosh basketbolli në “Bunk’Art 1” (Foto: Alessio Mamo)
Një burrë rri ulur në qendër të Tiranës, ku pas duket Xhamia e Namazgjasë (Foto: Alessio Mamo)
Marrë nga “National Geographic”. Përktheu: Salih Mehmeti