Arbëri

Motra e rektorit Ramë Vataj punësohet në Komunë, drejtori i saj i ri as që e di

Rektori i Universitetit të Prizrenit, “Ukshin Hoti” Ramë Vataj, e ka punësuar motrën e tij në Komunën e Prizrenit.

Kastriote Vataj do të fillojë punën në Drejtorinë e Administratës në këtë komunë.

Mirëpo, drejtori i kësaj Drejtorie, Ilir Baldedaj, thotë se nuk është në dijeni as për konkursin dhe as për pozitën të cilën do ta mbajë e punësuara.

Madje, ai thotë të mos ketë kërkuar fare punëtorë për ndonjë pozitë.

Ndërkaq, në Universitetin e Prizrenit, thonë se punësimi i motrës së rektorit, është lajm i mirë, raporton KTV.

Krejt kjo, sipas asamblistëve të Vetëvendosjes në Prizren, ka ndodhur pas marrëveshjes mes dy institucioneve.

Artan Abrashi ka thënë se motra e rektorit Vataj, është punësuar pasi Universiteti i Prizrenit, ka përgatitur konkursin i cili do të shpallet në ditët në vazhdim enkas për të vëllanë e shefit të Zyrës së Personelit në komunën e Prizrenit, Isa Gashi.

I kontaktuar nga KTV-ja, shefi i Zyrës së Personelit në Komunën e Prizrenit, Isa Gashi, ka mohuar këto akuza, duke thënë se nuk merret me zyrtarë të partive që nuk i njohin ligjet e Republikës së Kosovës.