Sport

Çeferin: Politika antimigratore rrezikon kandidaturën e SHBA për Botërorin 2026

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) Aleksandar Çeferin deklaroi se kandidatura e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për organizimin e Kampionatit Botëror 2026 mund të rrezikohet për shkak të vendimeve të presidentit amerikan Donald Trump i cili ka për qëllim për të vendosur viza të kufizuara për shtetasit e huaj.

Në deklaratën për mediat amerikane, siç transmeton AA, Çeferin paralajmëroi se Trump mund të rrezikojë futbollin amerikan nëse vazhdon me zbatimin e politikës mbi ndalesën e hyrjes në SHBA për shtetasit e shtatë vendeve me shumicë myslimane.

“Nëse futbollistëve nuk u lejohet hyrja në vend për shkak të vendimit politik apo populistik, është e mundur që Botërori as të mos mbahet në atë vend. E njëjta vlen edhe për tifozët, gazetarët dhe të tjerët të cilët dëshirojnë të ndjekin Kampionatin Botëror”, tha Çeferin.

Ai tha se një politikë e tillë antimigratore rrezikon kandidaturën e SHBA-ve për organizimin e Botërorit. Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë vetëm për SHBA-të por për të gjitha vendet të cilat do të zbatojnë një politikë të tillë.

“Pavarësisht se ku mbahet, të gjithë njerëzve duhet t'u mundësohet të ndjekin Kampionatin Botëror në futboll. Shpresojmë se ndalesat e tilla për hyrje nuk do të implementohen”, tha Çeferin.

Kreu i UEFA-s gjithashtu tha se edhe Britania e Madhe pas daljes nga Bashkimi Evropina (BE) mund të rrezikojë kandidaturën për ndeshjet finale të disa kompeticioneve të mëdha të futbollit.

Në Kampionatin Botëror në futboll në vitin 2026 për herë të parë do të marrin pjesë 48 ekipe ndërsa kandidatura për këtë Botëror mund të parashtrohet deri në fund të vitit të ardhshëm.

Vendimi përfundimtar për nikoqirin do të merret në Kongresin e FIFA-s në maj të vitit 2020.