Mesazhet e bisedat telefonike që Shukri Buja kishte këmbyer me mikun e tij, Fahri Retkoceri, janë pjesë e aktakuzës që Prokuroria Speciale ka ngritur ndaj tyre dhe 5 ish-zyrtarëve të komunës së Lipjanit.
Në aktakuzën e siguruar nga ‘Koha Ditore’, Buja e Retkoceri flasin për procedurat që ishin ndjekur jashtëligjshëm për t’ia lëshuar lejen ndërtimore Retkocerit, për ndërtimin e një kompleksi banesor te ish-Fabrika e Letrës në Lipjan.
Inspektorët e kësaj komune, në korrik të vitit 2011, kishin inspektuar punët në këtë kompleks, për çka Retkoceri i kishte treguar djalit të tij se ishte ankuar te miku i tij, atëherë kryetar i komunës.
Tani deputeti Shukri Buja akuzohet për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa të akuzuar të tjerë, pos biznesmenit Retkoceri, janë Hasim Viseshella, Edmond Rexhepi, Bajram Rizani, Driton Avdiu e Burim Kodra.
“Koha Ditore”, të premten, do të shkruajë për vendime të tjera të paligjshme të komunës së Lipjanit dhe dëmet që janë shkaktuar me këto vendime, që janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.