Prishtinë, 20 shkurt - Shkaqet e rrëzimit të një pjese të murit mbrojtës mbi Urën e Vjetër të Gurit në Vushtrri janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës dhe një raport lidhur me atë se çfarë e ka shkaktuar dëmtimin e urës që konsiderohet si një prej urave më të vjetra prej guri në Kosovë, pritet të dalë sot (e hënë).
Një ekip i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë ka vizituar monumentin, të cilit i janë shembur mbi 30 gurë mëngjesin e së shtunës. Por së paku deri të dielën, zyrtarë të institucioneve relevante të trashëgimisë kulturore nuk kanë pasur konfirmim nëse rrëzimi i gurëve ka qenë i qëllimshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.
QRTK-ja në Mitrovicë, në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, pas marrjes së raportit të policisë, pritet të ndërmarrë masat e nevojshme për sanimin e dëmeve. Sipas përshkrimeve në databazën e trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës, Ura e cila ndodhet në perëndim të qytetit të Vushtrrisë, në rrugën e vjetër Vushtrri-Mitrovicë, i takon shekullit XIV. Ura e Vjetër e Gurit me nëntë harqe, në rrjedhën e mesme të lumit Sitnicë, kishte funksion të lidhjes së brigjeve të lumit.
Rrezarta Loxha, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq është informuar për rrëzimin e gurëve të Urës së Vjetër të Vushtrrisë, nëpërmjet pronarit të lokalit që shfrytëzon hapësirën në afërsi të monumentit. Kjo urë sot nuk shërben në funksionin e saj primar, por i shërben një biznesi privat, që ka hapur një restorant me emrin e urës, e monumentin e ka rrethuar brenda kësaj hapësire. Hyrja për në restorant, në fakt është hyrja e vetme për të parë monumentin... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.