Bashkëshortja e Bruce Willisit përlotet kur flet për gjendjen shëndetësore të aktorit
Emma Heming Willis, bashkëshortja e aktorit të famshëm të Hollywoodit, Bruce Willis, ka folur për herë të parë në një intervistë televizive pasi aktori u diagnostikua me demencë. Ajo ka treguar për rrugëtimin e vështirë nëpër të cilin po kalon bashkë me familjen e saj përderisa Bruce ende nuk është i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhet.
Gjatë bisedës në “Today”, Heming Willis ndau më të rejat mbi shëndetin dhe jetën e Bruce Willisit dhe përballjen me demencën. Ajo ka thënë se dëshiron që njerëzit të mësojnë për kujdesin ndaj njerëzve me kushte të tilla shëndetësore.
“Demenca është e vështirë për personin e diagnostikuar. Është gjithashtu e vështirë për familjen. Dhe kjo nuk është ndryshe për Brusin, as për mua e as për vajzat tona. Kur thonë se kjo është një sëmundje familjare, në të vërtetë është”, ka thënë ajo në emisonin “TODAY”.
Në mars të vitit 2022, familja e 68-vjeçarit zbuloi publikisht se ai ishte diagnostikuar me problemin që e detyroi të largohej nga aktrimi.
Çrregullimi ndikon në aftësitë e një personi në të folur dhe të kuptuar.
Nëna e dy fëmijëve dhe themeluesja e “Make Time Wellness” ka nisur këto ditë “Javën Botërore të Ndërgjegjësimit për Demencën Frontotemporale”.