Showbiz

Jennie paralajmëron muzikë të re dhe unike

Këngëtarja e grupit “BLACKPINK”, Jennie, ka zbuluar se është duke punuar në muzikë të re si solo-artiste.

Në intervistën ekskluzive për revistën “Harper’s Bazaar Korea”, ku përfshihet dhe në ballinën e numrit të muajit tetor, aktorja dhe ylli i muzikës K-pop ka treguar se është duke e bërë gati lansimin e muzikës së re, për të cilën tha se do të jetë shumë unike dhe më ndryshe nga stili i deritanishëm.

“Jam duke e incizuar një këngë që buron nga brendësia ime, është shumë unike dhe e stilit tim të vërtetë”, deklaroi këngëtarja.

Jennie e shënoi debutimin si solo-artiste në nëntor të vitit 2018 me publikimin e videoprojektit “Solo”. Tani, pas 5 vjetësh ajo vjen me këngën e radhës të lansuar jashtë grupit “BLACKPINK”.

Po ashtu së fundmi ka bashkëpunuar me superyllin kanadez, The Weeknd, dhe aktoren Lily-Rose Depp, në krijimin e këngës me titull “One Of The Girls”, e cila shërbeu si kolonë zanore e serialit të HBO-së, “The Idol”. Në këtë projekt televiziv Jennie e shënoi edhe debutimin si aktore.

Lajmi vjen pak kohë pasi “BLACKPINK” i filloi bisedimet për rinovimin e kontratës me agjencinë që bashkëpunojnë tash e sa vjet, “YG Entertainment”. Disa media lokale raportuan se Jennie, së bashku me anëtaret tjera të bendit, Jisoo dhe Lisa, nuk planifikojnë ta rinovojnë kontratën e tyre. Nëse këto spekulime janë të vërteta, Rosé do të mbetet e vetmja anëtare që e vazhdon bashkëpunimin me kompaninë e njohur muzikore nga Korea Jugore. Megjithatë, thuhet se “BLACKPINK” është duke e shqyrtuar mundësinë për t’u shpërbërë si grup.

Megjithatë, kompania “YG Entertainment” që atëherë ka deklaruar se asgjë në lidhje me rinovimin e kontratës së grupit nuk është konfirmuar, pasi është ende në diskutim.

Grupi “BLACKPINK”, që përbëhet nga këngëtaret Jennie, Jisoo, Lisa dhe Rosé, debutoi në skenë në vitin 2016 dhe nga atëherë e ka gëzuar një karrierë të suksesshme globale. Në vitin 2019, vajzat u bënë artistet e para aziatike që ishin në mesin e performuesve kryesor në festivalin “Coachella”, kurse vitin e kaluat revista “Time” i nderoi me titullin “Entertainer of the Year”. Kjo është hera e dytë në histori që një grup i muzikës K-Pop e pranon këtë titull.

Me 17 shtator “BLACKPINK” e përfundoi turneun e dytë botërorë të titulluar, “Born Pink”.

Në mars të këtij viti superyjet e muzikës K-pop po ashtu u shpallën grupi më i transmetuar i vajzave në platformën, Spotify, dhe kështu mbajnë rekord në Librin Botëror të Rekordeve Guinness.

“BLACKPINK” me lansimin e albumit të parë muzikor në vitin 2020, “THE ALBUM”, kishte arritur të debutonte në vendin e dytë të toplistës “Billboard”. Kurse “Born Pink” është albumi i tretë i një grupi nga Koreja Jugore, që arrin të pozicionohet lart në toplistën e 200 albumeve më të mira, pas albumit “Proof” nga grupi “BTS” dhe “Oddinary” nga grupi “Stray Kids”.

“BLACKPINK” po ashtu e ka thyer një rekord tjetër me albumin e fundit. “Born Pink” zyrtarisht është albumi i parë i muzikës K-Pop që i kryeson toplistat në Britani të Madhe.

Përgatiti: Edona Binaku