Ylli i futbollit, David Beckham, dhe bashkëshortja e tij, ikona e modës, Victoria Beckham, gjatë fillimit të romancës së tyre i kishin mbajtur takimet shumë të fshehta.
Ata kanë treguar se takoheshin në parkingje të veturave.
Ish-pjesëtarja e grupit “Spice Girls” që tani është dizajnuese e modës ka treguar për romancën në një seri dokumentarësh që shfaqet në platformën “Netflix”.
Të dy yjet e stilit kanë dhënë detaje për fillimin e lidhjes së tyre.
“Ne takoheshim në parkingje dhe kjo nuk është aq keq sa tingëllon”, kanë thënë ata.
“Me klas”, ka shtuar David Beckham, duke iu referuar gjërave të shpeshta e tipike që bënin si të rinj.
Ish-kapiteni i Anglisë ka treguar se si e kishte mbajtur gjatë tiketën e trenit në të cilën e kishte shkruar numrin e telefonit të tash bashkëshortes.
48-vjeçari gjithashtu ka treguar se gjithmonë i ka pëlqyer ajo që në atë kohë njihej me nofkën “posh spice”.
Çifti u martua në vitin 1999, dy vjet pas nisjes së romancës dhe tash ka katër fëmijë, Brooklyn 24 vjeç, Romeo 21, Cruz 18 dhe vajzën Harper 12-vjeçare.
Që kur u pensionua, ylli Beckham u bë president dhe bashkëpronar i klubit të futbollit Inter Miami në Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu është edhe bashkëpronar i klubit Salford City në vendlindjen e tij.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.