Showbiz

Pasi u qëllua me telefon në sy, Bebe Rexha vë syze mbrojtëse gjatë performancës në Los Angeles

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, e cila është qëlluar me telefon në sy para disa ditësh nga një person në koncertin e mbajtur në New York, ka vënë një palë syze mbrojtëse teksa performonte në Los Angeles të premten mbrëma.

Kantautorja 33-vjeçare ka marrë masa sigurie duke i vënë syzet si aksesorë që i ka përshtatur me pamjen e saj gjatë performancës, raportoi të dielën “Daily Mail”.

Siç raportohet, një roje sigurie ishte vendosur pranë skenës në rast se diçka e pazakontë do të ndodhte përsëri.

Gjatë hapjes së natës, këngëtarja e "Meant to Be" tha para turmës se ekzistojnë dy rregulla: të argëtohen dhe të mos i hedhin telefonat.

Rexha, e cila publikoi këngën e re të titulluar “If Only I” të enjten, së shpejti do të nisë turneun evropian të saj, përkatësisht më 28 korrik.

Këngëtarja me origjinë shqiptare ditë më parë ishte goditur me telefon në fytyrë nga një fans në një prej paraqitjeve live. Ajo ishte lënduar dhe kishte ndërprerë menjëherë performancën. Megjithatë, ajo pati njoftuar menjëherë se ishte mirë dhe se do të vazhdonte të performonte.