Bashkëshortja e Bruce Willis, Heming Willis, u ka kërkuar paparacëve që të mbajnë distancë dhe të ndalojnë së bërtituri në drejtim të aktorit, kur e shohin atë në publik.
Heming Willis, ka bërë një kërkesë emocionale përmes një videoje të cilën e ka shpërndarë në Instagramin e saj, duke deklaruar se “duhet të ketë më shumë edukatë” kur bëhet fjalë për njerëzit që jetojnë me demencë, sëmundje kjo me të cilën është diagnostikuar së fundmi Bruce, raportoi CNN-i.
Duke përmendur disa raste kur fotografët përpiqeshin t’i flisnin aktorit, i cili shfaqet në publik shpeshherë për t’u takuar me miqtë për kafe në Santa Monica, modelja 44-vjeçare theksoi se “sa e vështirë dhe stresuese mund të jetë të nxjerrësh dikë në publik dhe ta udhëzosh drejt”.
“E kam fjalën për fotografët dhe njerëzit që po përpiqen të nxjerrin video ekskluzive të bashkëshortit tim: Mbani hapësirën tuaj. Unë e di se kjo është puna juaj, por thjesht mbani hapësirën tuaj”, ka deklaruar ajo.
Bruce është i njohur për karrierë të gjatë e të bujshme në Hollywood, për gati pesë dekada, duke luajtur në role kryesore në filmat aksion si: “Die Hard” dhe “Armadeddon”.
Willis është shfaqur edhe në filmat ikonikë si “Pulp Fiction”, “The Fifth Element”, “The Sixth Sense”, “12 Monkeys and Sin City” etj.
Për rolet e tij, ai ka fituar një mori çmimesh, përfshirë një “Golden Globe” dhe dy “Emmy”.
VIDEO: