Showbiz

Lady Gaga: Dua ta jetoj një jetë të vetmuar

Pavarësisht se është një nga njerëzit më të famshëm në botë, Lady Gaga pëlqen ta mbajë rrethin e njerëzve rreth saj, të vogël.

Këngëtarja e cila ka fituar “Grammy” 13 herë, e ka pranuar se i pëlqen të "ketë kohë për të qenë vetëm" dhe se e gëzon shumë shoqërinë me veten e saj, shkruan Page Six.

“Në fakt jam vërtet e interesuar të jetoj më shumë në një jetë vetmie”, ka thënë ajo për revistën Wallpaper.

“Është vërtet bukur të kesh kohë të jesh vetëm, të jesh e shtrirë dhe të dish që je mjaftueshëm. Do të doja t'ia tregoja vetes sime më të re këtë. Kur isha më e re, kaloja shumë kohë vetëm duke shkruar këngë. Por sa më e suksesshme bëhesha, aq më shumë ndjeja se kisha nevojë për njerëz të tjerë që të më thoshin se isha e shkëlqyer”, është shprehur Gaga.

Fituesja e çmimit “Oscar” ka shtuar se synimet e saj me muzikën kanë mbetur gjithmonë rreth zanatit dhe jo shpërblimeve që vijnë me të.

Nuk është hera e parë që krijuesja e hitit "Born This Way" flet për famën.

Në një performancë live të vitit 2016 në Londër, ajo u tha fansave se paratë, bukuria dhe statusi i saj i famshëm e kanë vendosur në një piedestal.

“Kam udhëtuar nëpër botë dhe kam parë njerëzit më të lumtur në pjesët më të varfra të botës. Vlerat e tyre janë të paprekura. Në shtëpitë më të pasura takoj njerëzit më të trishtuar dhe më të depresionuar”, ishte shprehur ajo, sipas The Guardian.