Showbiz

Richard Gere rikthehet në ekran të madh me filmin “Maybe I Do”

Puna me njerëz të mirë ishte diçka që e motivoi yllin e kinematografisë, Richard Gere, që ta pranojë rolin në filmin e ardhshëm të zhanrit romancë dhe komedi, “Maybe I Do”.

Aktori veteran qe i pranishëm në shfaqjen speciale të projektit në New York të martën mbrëma (17 janar), me ç’rast nuk ngurroi të bisedojë me gazetarët e pranishëm mbi qilim të kuq.

“Në një projekt të tillë, e lexon skenarin dhe e kupton menjëherë se përmban role të mira dhe është një film që duket ta përfshijë një kastë të mrekullueshme të aktorëve. Prandaj, kur bisedova me Michaelin, që të dy ishim dakord rreth asaj se si duhej të dukej kjo histori. Por, duhej patjetër të angazhoheshin aktorë protagonist dhe njerëz që dinë ta bëjnë këtë punë, mund ta bëjnë shpejt dhe gjithashtu janë të zotë dhe njerëz me të cilët mund të kalosh mire në sheshin e xhirimeve. Kjo botë është një vend i vështirë. Prandaj, pata fat me të gjithë këta aktorë. Unë dhe Susan tashmë e kishim një marrëdhënie. Me Diane Keatonin kam punuar 40 vjet më parë. Billin e kam admiruar gjithmonë, kështu që ne të katërt e kishim një lloj respekti të integruar”, tha Richard Gere për kolegë e tij në film, Diane Keaton, William H. Macy dhe Susan Sarandon.

Në premierë, Gere shoqërohej edhe nga aktorja Emma Roberts, që e luan rolin e vajzës së tij në film, dhe e cila është mbesa e koleges dhe bashkëpunëtores së tij të kamotshme, Julia Roberts.

“Thjeshtë isha e nderuar që po e ndaja ekranin me idhujt e mi, Diane Keaton dhe Susan Sarandon. Dua te them, ato kanë luajtur në disa prej filmave të mi të preferuar të cilët i kam shikuar shumë herë, nga fëmijëria e deri më sot. Prandaj, mundësia për të luajtur në një film me to ishte e pabesueshme, dhe ato u treguan shumë të dashura me mua, janë tejet argëtuese dhe ende e shijojnë punën që e bëjnë”.

“Sigurisht se i kam parë filmat “Runaway Bride” dhe “Pretty Woman”, ku halla ime Julia Roberts luan krahas Richard Gere. Prandaj, fakti se ai po e portretizon babanë tim në këtë film, më duket sikur një moment përmbushës për familjen Roberts”, tha aktorja.

Edhe Gere pati fjalë të mira për Emman dhe përkushtimin e saj ndaj punës.

“Po, kemi folur për këtë në fillim, por ajo e ka karakterin e vet. Po ashtu e ka karrierën e saj për të cilën po punon shumë dhe është tërësisht e pavarur. Ajo dhe Luke, mendoj se i kanë pasur rolet më të vështira në këtë projekt sepse e mbajnë barrën e rrëfimit të historisë. Kurse ne katër aktorët e moshuar, në njëfarë mënyre shërbejmë si mbështetës të tregimit dhe thjeshtë argëtohemi shumë”, deklaroi Gere.

I bazuar në shfaqjen e Michael Jacobsit, i cili e ka bërë edhe regjinë e tij, historia e filmin fokusohet në një çift të ri të portretizuar nga aktorët, Emma Roberts dhe Luke Bracey, të cilët po e konsiderojnë martesën. Por, kur prindërit e tyre takohen, e kuptojnë se familjet e tyre janë më të lidhura mes veti se që e kanë imagjinuar.

Derisa ky tregim është i bazuar në diçka që mund të ndodhë vërtetë, Sarandon thotë se nuk është diçka për të cilën mendon para se ta pranojë një rol filmik.

“Nuk e di nëse duhet të lidhesh me një histori për ta shijuar atë, por sigurisht se mund të identifikohesh me ndonjë personazh. Ndoshta jo të gjithë ngjajnë me ty, por e vërteta është se të gjithë në jetën tonë kemi bërë gabime. Kur je në një lidhje të gjatë, atëherë është më së e sigurt se keni përjetuar ndonjë sfidë gjatë kalimit të vjetëve. Besoj se me këtë mund të lidhemi të gjithë ne. Ashtu mendoj unë”, tha Sarandon.

Filmi “Maybe I do” lansohet nëpër kinema më 27 janar 2023.