Showbiz

Kristen Stewart do të drejtojë jurinë ndërkombëtare të Berlinales

Aktorja e njohur amerikane, Kristen Stewart, është përzgjedhur si udhëheqëse e jurisëndërkombëtare të edicionit të 73-të të Festivalin të filmit në Berlin.

Ngjarja e përvitshme kinematografike mbahet në shkurt të vitit 2023 në kryeqytetin gjerman, dhe konsiderohet një prej festivaleve më prestigjioze në botë.

Më 2019-n, Stewart ishte anëtare e jurisë së festivalit të filmit në Kanë, dhe bashkëpunimi i saj me regjisorin David Cronenberg, “Crimesof the Future”, e shënoi premierën botërore në rivierën franceze në fillim të këtij viti.

Ylli 32-vjeçar, përveç si aktore shquhet edhe për angazhimin e saj prapa kamerave. Ajo fitoi famë ndërkombëtare me rolin protagonist në filmat “Twilight”. Nga atëherë, Kristen është shndërruar në një prej aktoreve më të shkathëta të Hollywoodit. Së fundmi e portretizoi princeshën Diana, në filmin biografik “Spencer”. Aktualisht është duke punuar në projektin debutues si regjisore, “The Chronology of Water”.

Festivali ndërkombëtar i filmit “Berlinale 2023” mbahet nga 16 deri më 26 shkurt. Emrat e pjesëtarëve tjerë të jurisë do të bëhen të ditur më vonë.