Showbiz

Jeta e ikonës Whitney Houston, së shpejti në ekran të madh

Naomi Ackie dhe Clive Davis thonë se po e mbajnë gjallë kujtimin e ikonës Whitney Houston, me projektin e tyre të ri biografik që fokusohet në jetën e këngëtares ikonike.

Aktorja dhe producenti i famshëm muzikor ishin të pranishëm në premierën glamuroze të filmit, “Whitney Houston: I Wanna Dance With Somebody”, e cila zuri vend në New York.

“Sepse është e rëndësishme të thuash faleminderit, është e rëndësishme të qëndrosh në këtë moment. Dhe është e rëndësishme të shikosh prapa dhe të mahnitesh me një arritje kaq të madhe. Fakti që ne ende po e përdorim muzikën e saj për të na bërë të ndihemi mirë, sigurisht se meriton të festohet dhe të themi faleminderit për trashëgiminë që ajo na la”, deklaroi aktorja.

Ackie në film e portretizon Houstonin kurse aktori i njohur hollywoodian, StanleyTucci, vjen në rolin e Davisit, producenti legjendar i cili e menaxhoi karrierën e saj.

“Filmi më preku në zemër. Jam i prekur nga kujtimi i Whitneyt, sepse ne ishim bërë si një familje e vërtetë. Ishim vetëm ne të dy, duke i përzgjedhur këngët, aranzhmanet, muzikën dhe producentët. Ne kemi punuar si ekip nga fillimi deri në fund, prandaj ta shohësh këtë histori të ekranizuar është një emocion i vërtetë. Por, ajo duhet rrëfyer dhe duhet shfaqur për publikun mbarë botëror”, tha producenti i famshëm para gazetarëve të pranishëm në premierë.

Regjinë e këtij projekti e ka bërë Kasi Lemmons. Kurse, aktori Ashton Sanderse portretizon yllin e muzikës R&B, Bobby Brown, me të cilin Houston ishte e martuar për 14 vjet.

“Portretizimi i Bobby Brownit dhe rrëfimi i historisë së tij ishte diçka shumë speciale për mua, dhe mendoj se thjeshtë doja të jem sa më origjinal që ishte e mundur në këtë rol, përderisa njëkohësisht i ekspozoja ngjarjet qëtë gjithë njerëzit mezi po i prisnin. Mendoj se kjo do të mbetet një eksperiencë nostalgjike për shumë njerëz, dhe unë thjeshtë jam i lumtur që isha pjesë e filmit”, deklaroi Sanders.

“Unë me të vërtetë doja që njerëzit të kuptojnë pak se kush ishte ajo si person, gjithashtu si artiste, pak për procesin e saj të punës, dhe të sjellim pamje dhe histori tek të cilat ne definitivisht nuk kishim akses më parë. Unë dua që ju ta njihni ikonën dhe gjithashtu gruan që ishte Whitney Houston, sepse ajo ishte vërtetë e mahnitshme”, përfundoi regjisorja.

Whitney Houston u mbyt në vaskë në dhomën e saj të hotelit në “Beverly Hills”, më 11 shkurt të vitit 2012. Ajo ishte vetëm 48-vjeçare. Autoritetet e kishin deklaruar abuzimin me kokainë dhe sëmundjen e zemrës, si shkaktarët kryesorë të vdekjes së ikonës muzikore.

Filmi “Whitney Houston: I Wanna Dance With Somebody” fillon së shfaquri nëpër kinema nga 23 dhjetori i këtij viti.