Pop-këngëtarja e famshme, Dua Lipa, thotë se do t’i pëlqente shumë të bashkëpunojë me reperin britanik, Stormzy.
Ylli i hitit “Levitating” u shpreh jashtëzakonisht e lumtur kur mësoi se artisti 29-vjeçar e ka emëruar atë si personin që mezi pret të bashkëpunojë me të, dhe tregoi se do ta pranonte menjëherë mundësinë për të shkuar në studio incizuese dhe për ta realizuar këtë dëshirë të reperit.
Një gazetar gjatë intervistës me Duan ia lëshoi asaj një audio-incizim, ku Stormzy dëgjohet duke thënë: “Gjithmonë kam dashur të krijoj muzikë me Dua Lipën. Unë sinqerisht mendoj se do të mund të realizonim diçka të bukur së bashku”.
Komentit të reperit britanik, këngëtarja me prejardhje kosovare iu përgjigj duke thënë: “Më pëlqen ky plan. Unë jam adhuruese e madhe e tij. Është shumë e çuditshme. Gjatë udhëtimit tim të fundit me aeroplan unë po e dëgjoja albumin e ri të Stormzyt, dhe thjeshtë mendoj se ajo çfarë ai ka bërë me muzikën e tij është shumë e guximshme, autentike dhe më ndryshe. Thjeshtë ai i ka qëndruar besnik besimeve të tij dhe asaj se çfarë dëshiron të transmetojë përmes muzikës. Është shumë ‘cool’ që ai ka menduar për mua dhe unë definitisht do të dëshiroja të bashkëpunoja me të. Jam një adhuruese e flaktë e tij”.

Ndërkohë, së fundmi, këngëtarja 27-vjeçare e zbuloi se tashmë ka filluar të punojë rreth albumit të saj të radhës, dhe po e shijojnë kohën që po e kalon duke shkruar këngë të reja, pas një viti të ngarkuar me koncerte të turneut.
“Jam duke pushuar nga koncertet dhe po bëhem gati për disa performanca të reja. Por, shpresoj që fillimisht ta përfundojë punën rreth albumit të tretë. Ky është fokusi im tani”, tha Lipa.
Kur u pyet nëse tashmë ka filluar t’i incizojë këto këngë, Dua deklaroi që po dhe se këtë gjë e ka bërë edhe gjatë kohës sa ishte në turne.