Showbiz

Kehlani deklaron se është sulmuar seksualisht në koncertin e saj

Artistja amerikane, Kehlani, ka folur pas sulmit seksual në një nga koncertet e saj të fundit.

Këngëtarja e cila sapo i përfundoi koncertet nëpër Evropë, të cilat ishin pjesë e turneut të saj “Blue Water Road Trip”, e shfrytëzoi rrjetin social Instagram për ta shprehur frustrimin rreth kësaj situatë të pakëndshme.

“Kam provuar t’i bëjë disa video shpjeguese por më pas i fshiva ato sepse nuk dua që fansat të më shohin kaq të zemëruar, të provokuar dhe duke qarë nga mërzia. Nuk më intereson se sa seksuale e konsideroni muzikën time, performancat e mia, argëtimin tim me miqtë e mi duke kërcyer nëpër klube të natës, apo mua si person. Kjo nuk ia jep asnjërit prej jush të drejtën ta kalojë çdo kufi të kontaktit fizik dhe t’i fus duart përfundi fustanit tim, të m’i tërheq të brendshmet për të ma prekur organin gjenital, siç ndodhi pas performancës në koncertin tim të fundit teksa po përcillesha jashtë nga sigurimi nëpër turmën e njerëzve. Kjo situatë më solli neveri. Si viktimë e sulmit seksual, po ndihem jashtëzakonisht e provokuar dhe e shokuar se si diçka e tillë mund të ndodhë”.

Ylli i hitit “Good Life” ka qenë një përkrahëse e kamotshme e viktimave të sulmeve seksuale, duke qenë edhe vet një e tillë, dhe vazhdimisht ka bërë thirrje kundër abuzimit dhe sulmit seksual.

“Ne jemi femra, ne jemi vet jeta, jemi burimi i jetës. Kjo mund të jetë e frikshme për disa njerëz dhe mund të rezultojë në gjëra të tmerrshme, por mos harroni se nga keni ardhur dhe çfarë jeni. Mos e harroni fuqinë tuaj, mos lejoni që asnjë traumë t’ua marrë fuqinë. E di që kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, por ju mund t’ia dilni”, deklaroi Kehlani për portalin “Billboard” në vitin 2017, në prag të themelimit të lëvizjes #MeToo.

Albumi i fundit i yllit të muzikës R&B, “Blue Water Road”, është vlerësuar mirë nga kritikët të cilët e kanë quajtur atë intrigues nga ana e tekstshkruarjes dhe një projekt mjaft inovativ.

Disa prej këngëve më të njohura të Kehlanit mbesin, “Morning”, “Beautiful Lies”, “Gangsta”, “Nights Like This” dhe “Good Life”.