Të pasurit sindromën e mashtrimit nuk do të thotë se është diçka negative. Shumica e njerëzve inteligjentë, ambiciozë dhe punëtorë, zakonisht e përjetojnë këtë sindromë në një pikë të karrierës së tyre.
Ndonjëherë, të gjithë ballafaqohemi me ndjenjën se po mashtrojmë. Se ne nuk i meritojmë vërtet sukseset që i arrijmë me shumë punë dhe mund. Por me sa duket, kjo është një ndjenjë e zakonshme mes njerëzve të arritur, pra frika për t'u ekspozuar, se nuk e meritojnë suksesi, nuk jeni aq të mirë sa të tjerët dhe mund të zbulohet në çdo moment.
Sindroma e mashtrimit apo në gjuhën angleze e njohur si, “Imposter Syndrome”, ka ekzistuar që nga viti 1978 kur akademikët e Universitetit Shtetëror të Georgias e identifikuan një fenomen ku gratë e suksesshme kishin nivele të larta të dyshimit për veten. Në të vërtetë, është më e zakonshme për gratë, veçanërisht për ato me arritje të larta.
Në të vërtetë, psikologët në fillim të viteve ‘80 zbuluan se pothuajse 2 në çdo 5 njerëz të suksesshëm përjetuan ‘sindromën e mashtrimit’, përfshirë këtu personalitete të famshme si, skenaristi Chuck Lorre, shkrimtari bestseller Neil Gaiman, komediani Tommy Cooper, aktori Tom Hanks, gjyqtarja e Gjykatës së Lartë të SHBA-s, Sonia Sotomayor, këngëtarja Lady, aktorja dhe ambasadorja e OKB-së, Emma Watson dhe të tjerë.
Edhe shkencëtari Albert Einstein madje mund të ketë vuajtur nga kjo sindromë në vjetët e fundit të jetës së tij. Besohet se një muaj para vdekjes ai i kishte thënë një mikut të afërt se, “vlerësimi i ekzagjeruar që i bëhet punës së jetës time më bën të ndihem keq. Ndihem i detyruar ta mendoj veten si një mashtrues të pavullnetshëm”, kishte deklaruar Einstein.
Përfundimisht, një pjesë e madhe e njerëzve të suksesshëm frikësohen se konsiderohen si mashtrues nga të tjerët, por njerëzit e suksesshëm zakonisht e tejkalojnë këtë fenomen psikik.