Regjisori James Cameron e ka përshkruar koston e prodhimit të filmit të ardhshëm, “Avatar: The Way Of Water”, si shumë të shtrenjtë.
Në një intervistë të fundit për revistën “GQ”, Cameron tha se vazhdimi i dytë i filmit hit të vitit 2009, “Avatar”, që shquhet si projekti më i suksesshëm në historinë e kinematografisë, ka kushtuar jashtëzakonisht shumë.
Buxheti i realizimit të “The Way Of Water” e kap shifrën prej 350-400 milionë dollarësh, duke u bërë një prej filmave më të shtrenjtë të të gjitha kohëve, krahas projekteve “Avengers: Endgame” dhe “Age Of Ultron”.
Regjisori i famshëm ka pohuar se, në mënyrë që studoja filmike prapa realizimit të këtij vazhdimi të barazohet me investimin, “The Way Of Water” duhet ta ketë një performancë marramendëse në arkat filmike botërore dhe të bëhet një prej tre ose katër filmave me fitimet më të larta në histori.

Aktualisht, pesë filmat më fitimprurës të të gjitha kohërave janë: “Avatar” me 2.9 miliardë dollarë të arkëtuara, “Avengers: Endgame” me 2.7 miliardë dollarë, “Titanic” me 2.2 miliardë, “Star Wars: The Force Awakens” me 2.05 miliardë dhe “Avengers: Infinity War” me 2.04 miliardë dollarë të arkëtuara nga shfaqja nëpër kinematë botërore.
Në disa intervista të kaluara, Cameron pohoi se ka mundësi që ta ndërpresë realizimin e vazhdimeve të planifikuara të filmit “Avatar”, në rast se projekti i ardhshëm, “The Way Of Water”, nuk gëzon shikueshmëri të madhe në arkat filmike botërore. Regjisori fillimisht kishte planifikuar t’i realizojë pesë filma gjithsej.
“The Way of Water” fokusohet në personazhet, Jake Sully, Neytiri dhe fëmijët e tyre, si dhe zë vend 12 vjet pas ngjarjes së filmit të parë të lansuar në vitin 2009. Duke qenë të gatshëm ta marrin çdo masë të nevojshme për ta mbrojtur njëri-tjetrin, ata duhet të luftojnë për të qëndruar gjallë dhe për ta përballuar tragjedinë, në një luftë për një të ardhme më të mirë.
Përveç si regjisor, Cameron po ashtu vjen në rolin e producentit të filmit krahas, Jon Landau. Zoe Saldana dhe Sam Worthingtona rikthehen në rolet protagonist, krahas aktorëve tjerë si, Sigourney Weaver, Stephen Lang, Cliff Curtis, Joel David Moore, Edie Falco, Jemaine Clement dhe Kate Winslet.
“Avatar: The Way of Water” fillon së shfaquri nëpër kinematë botërore më 16 dhjetor të këtij viti.