Showbiz

Leonardo DiCaprio për pak sa nuk e kishte humbur rolin në filmin “Titanic”

Leonardo DiCaprio thuajse e humbi rolin e tij në filmin "Titanic", pasi ai refuzoi të bënte një test ekrani me Kate Winslet.

James Cameron, regjisor i filmit, kujtoi në një intervistë për GQ-në audicionin e DiCaprios për rolin e Jack Dawson.

“Kujtoj se kishte një takim me Leon dhe një test ekrani me Leon”, tha Cameron.

“Takimi ishte qesharak sepse unë isha ulur në dhomën e konferencave për ta takuar një aktor, në rregull? Dhe shikoj përreth të gjitha gra, janë në zyrë për një arsye. Për shembull aty ishte producentja ekzekutive, në rregull, mirë. Por, kontabilistja jonë? Pse ishte ajo në takim? Të gjitha donin ta takonin Leon”.

Ai shpjegoi se pasi Leo “magjepsi të gjithë” në takim, atij iu kërkua të kthehej për një test në ekran me Winsletin, që luante Rosen.

“Erdhi disa ditë më vonë dhe e kisha gati kamerën. Ai nuk e dinte se do të testohej. Mendonte se ishte një takim me Katen. I thash, ‘do të shkojmë në dhomën tjetër, do të lexosh disa rreshta dhe unë do të incizoj’. Ai më tha, ‘unë do të lexoj?’ po i thash. Ai tha ‘unë nuk lexoj’”.

Cameron ka treguar se pas refuzimit të DiCaprios, ai i kishte thënë se nuk e kishte marrë rolin.

“’Nëse nuk lexoj, nuk e marr rolin?’ Unë i thash, ‘është film gjigant dhe do të më marrë dy vjet të jetës time. Kështu që nuk do ta shkatërroj duke marrë vendime të gabuara me rolet. Pra, do të lexosh, ose nuk je më pjesë’”.

DiCaprio filloi me testin dhe pavarësisht se u tregua “negativ”, Cameron u impresionua nga transformimi i papritur i tij në Jackun.