Pas një jave pasojash financiare për shkak të komenteve antisemitike në mediat sociale dhe nëpër intervista, Kanye West, po i komenton efektet që kanë pasur deklaratat e tij si dhe fjalët që i ka thënë për George Floydin dhe lëvizjen “Black Lives Matter”, shkruan CNN-i.
Në një video 16-minutash të shpërndarë nga “WmgLab Records” në “YouTube”, dhe që besohet të jetë incizuar menjëherë pasi kompania “Adidas” i dha fund bashkëpunimit me Westin, reperi i famshëm i adresohet turmës së paparacëve dhe njerëzve të mbledhur jashtë një ndërtese, duke thënë: “Mendoj që ngase po sulmohesha nga të gjithë, kompania ‘Adidas’ vlerësoi se ka të drejtë t’i rrëmbejë dizajnet e mia. Por, unë ndihem sikur Zoti po më përul tani. Shumë herë kur thosha se jam burri afrikano-amerikan më i pasur në industrinë e muzikës, e bëja në formë të mbrojtjes nga komentet rreth shëndetit tim mendor. Por, ajo që po ndodhë tani, është se unë jam duke u përulur”.
Tutje, Ye foli për pasojat që erdhën pas komenteve të tij rreth vdekjes së George Floydit, kur sugjeroi se ai nuk kishte vdekur nga brutaliteti policor por nga përdorimi i drogës fentanil.
“Kur lindi ideja e lëvizjes ‘Black Lives Matter’, na bëri që të bashkohemi si njerëz. Kur unë e thashë mendimin tim dhe e vura në pikëpyetje vdekjen e George Floyd, komuniteti im u lënduan. Afrikano-amerikanët u lënduan. Prandaj, dua të kërkoj falje që i kam lënduar ata, sepse tani, nga ajo që kompania ‘Adidas’ dhe mediat e portalet e ndryshme po bëjnë me mua, Zoti ma ka vërtetuar se si është të ndihesh sikur të kanë shkelur në fyt. E falënderoj Zotin që më ka përulur dhe më ka lejuar ta kuptoj se si ndihem vërtetë. Sepse, si mund të përulet ndryshme burri më i pasur afrikano-amerikan, sesa duke e humbur statusin e miliarderit në sytë e të gjithëve, dhe atë për shkak të një komenti”.
West po ashtu diskutoi për lodhjen emocionale që ia shkaktoi reagimi i publikut për mbajtjen e kapelës me mbishkrimin, “Make America Great Again”, për çka edhe ishte diagnostikuar gabimisht se vuan nga ndonjë çrregullim mendor. Ai gjithashtu e krahasoi veten me Emmett Tillin, i cili u vra brutalisht në vitin 1955 në moshën vetëm 14-vjeçare, si dhe tha se nganjëherë e ka ndier veten sikur Malcom X dhe Martin Luther King Jr.
Kur u pyet nëse frikësohet se e ka shkatërruar trashëgiminë e tij, Ye tha: “Nuk brengosem për këtë. Zoti është i gjallë”.
Në videon në fjalë, reperi nga Chicago nuk kërkoi falje për komentet antisemitike, por thjeshtë provoi ta distancojë veten nga grupet që shpërndajnë urrejtje ndaj komunitetit të hebrenjve.