Showbiz

Gigi Hadid e quan Kanye Westin “ngacmues”

Supermodelja 27-vjeçare, Gigi Hadid, ka reaguar kundër reperit Kanye West, duke e quajtur atë një person ngacmues dhe jo serioz.

Hadid i doli në mbrojtje redaktores së revistës “Vogue”, Gabrielle Karefa-Johnson, pasi Ye bëri shaka publikisht me stilin e saj të modës. Arsyeja pse reperi u vu kundër Johnsonit ishte për shkak të kritikave që ajo i bëri për bluzat e koleksionit të tij të fundit, të cilat e mbajnë mbishkrimin “White Lives Matter”.

Ky veprim i reperit ka zgjuar reagime të shumta në komunitetin e afrikano-amerikanëve por edhe më gjerë. Fraza raciste “White Lives Matter” ka kohë që përdoret nga grupet neo-naziste dhe supremaciste, si kundërpërgjigje ndaj lëvizjes, “Black Lives Matter”.

Duke komentuar në një prej postimeve të Westit në Instagram, Gigi shkroi: “Ti do të doje ta kishe 1 për qind të mençurisë së saj. Nuk e ke idenë që nëse veprimet e tua të çuditshme do të kishin ndonjë qëllim apo kuptim të caktuar, atëherë ajo është personi i vetëm që mund të të shpëtojë nga keqkuptimet. Ti sillesh sikur ‘nderi’ i të qenit i ftuar në sfilatën tënde duhet ta pengojë dikë ta japë mendimin e saj personal. Thjeshtë, je një ngacmues, bullizues dhe burrë jo serioz”.

Më vonë, Gigi e shfrytëzoi llogarinë e saj në Instagram për ta kritikuar Kanyen për “sjelljen e tij të papjekur dhe ngacmuese”, dhe për ta paralajmëruar se sa e rrezikshme është t’i jepet vazhdimisht një platformë ku ai mund t’i transmetojë pikëpamjet e tij kontroverse.

“Po mundohesha shumë që të mos i jepja rëndësi atij njeriu, por të ngacmosh publikisht dikë që ta kritikon punën, në platformën tënde masive, është një nivel tjetër i budallallëqeve për mua. Nëse nuk mund t’i përballosh mendimet e të tjerëve, nëse nuk i duron dot kritikat, veçanërisht kritikat e zgjuara, të formuluara me kujdes dhe dashamirëse, të cilat Gabrielle Karefa-Johnson i dha pas sfilatës së djeshme, atëherë mos e vendos punën për konsum publik. Kjo është sjellje e papjekur dhe ngacmuese. Është sjellje e papërshtatshme të cilën ne të gjithë e kemi mundësuar duke vazhduar të angazhohemi me këtë punë për hir të vitalitetit, qarkullimit online, kureshtjes apo çfarëdo qoftë tjetër. Mjaft. Nuk është veprim i zgjuar. Nuk është interesante. Dhe përfundimisht është e rrezikshme”.

Modelja e përshkroi redaktoren si një prej zërave më të rëndësishëm të industrisë së modës, duke thënë se Gabrielle është një person që mund ta mësojë atë burrë turpërues në më shumë mënyra se sa ai di.

Kanye qëllimisht e sulmoi Gabrielle Karefa-Johnsonin online, duke e postuar një fotografi të saj në Instagram, ku me përbuzje e komenton stilin e saj të modës.

“Ky nuk është person që ka sens të modës. Nëse ti fol për mua, atëherë edhe unë do të flas për ty. Nëse nuk më beson, pyete Trevor Noahn. Unë e di që Anna Wintour i urren çizmet që ti i ke veshur”.

Gigi Hadid nuk është e famshmja e vetme që reagoi kundër reperit të famshëm. Edhe modelja tjetër, Hailey Bieber, i doli në mbrojtje gazetares dhe redaktores së modës, Johnson duke e postuar një mesazh dedikuar asaj.

“Respekti që e kam për ty është shumë i madh mikesha ime. Për të gjithë ne është një nderë që të njohim, të adhurojmë dhe të punojmë me ty. Ti je personi më i dashur, i talentuar, elegant dhe argëtues që e njoh”, shkruhej në mesazhin e modeles.

Për t’i acaruar edhe më shumë njerëzit e sidomos komunitetin afrikano-amerikan, Ye, të martën e postoi një tjetër mesazh në mediat sociale ku shkruhej: “Të gjithë e dinë që lëvizja ‘Black Lives Matter’ ishte një mashtrim. Tani ka përfunduar. Jeni të mirë se ardhur”.

Gjatë karrierës së tij, Ye, ka pasur mendime të ndryshme për racizmin në Amerikë, të cilat shpesh e kanë vënë në qendër të vëmendjes së publikut, por edhe e kanë bërë shënjestër të kritikave të ashpra.

Image