Showbiz

“Maroon 5” i paralajmëron 16 koncerte në Las Vegas

Grupi i njohur i muzikës, “Maroon 5”, ia mësyn Las Vegasit.

Bendi i ka paralajmëruar 16 koncerte në qytetin e dritave, të cilat fillojnë në pranverën e vitit 2023 dhe do të mbahen në amfiteatrin “Dolby Live” të hotelit “Park MGM”.

Performancat e shumëpritura nga fansat e “Maroon 5” vijnë të organizuara në bashkëpunim me kompaninë, “Live Nation”, dhe do të dizajnohen special për t’iu ofruar atyre një përvojë intime të koncertit, në sallën e cila i akomodon 5,200 persona.

Biletat e koncerteve do të dalin në shitje për publikun e gjerë, nga 3 tetori.

Paralajmërimi vjen disa ditë pasi vokalisti i grupit, Adam Levine, u përfshi në një skandal publik ku akuzohet për tradhti.

Modelja 23-vjeçare e Instagramit, Sumner Stroh, deklaroi se ka pasur aferë një vjeçare me këngëtarin, i cili vazhdon të jetë i martuar me spermodelen e “Victoria’s Secret”, Behati Prinsloo, me të cilën edhe i ka dy vajza dhe është në pritje të fëmijës së tretë.

Levine i ka mohuar të gjitha akuzat për tradhti, duke deklaruar se kishte gabuar që ka folur në mënyrë flirtuese me dikë tjetër, përveç gruas së tij.

Nga atëherë, edhe katër gra tjera janë deklaruar publikisht se kanë shkëmbyer mesazhe flirtuese me muzikantin e famshëm.