Showbiz

Brad Pitt po kalon kohë me modelen Emily Ratajkowski

Ylli i njohur i kinematografisë, Brad Pitt, thuhet se po kalon kohë me modelen, Emily Ratajkowski. Por sipas burimeve, aktori 58-vjeçar dhe modelja 31-vjeçare nuk janë zyrtarisht në lidhje romantike.

“Njerëzit kanë ca javë që po spekulojnë rreth një romance të mundshme mes kësaj dysheje. Por, Brad nuk është në lidhje me askënd. Ata thjeshtë po kalojnë kohë me njërit-tjetrin”, citohet të ketë thënë një burim i afërt me aktorin për portalin “Page Six”.

Nuk dihet se ku po e kalon kohën së bashku kjo dyshe, pasi ende nuk janë spikatur nga kamerat e paparazëve. Por të dielën (25 shtator), Brad ishte në Paris kurse javën e kaluar, Emily udhëtoi nga New Yorku për në Itali, me rastin e javës së modës në Milano.

Nga java e kaluar, në rrjetet sociale po qarkullojnë thashethemet se dyshja janë duke i shijuar ditët e para të romancës, por nuk ka asnjë provë se ata janë çift. Në muajin gusht, revista “OK” raportoi se aktori i “Bullet Train” po krijon raporte të afërta me modelen e famshme, kjo pasi i kishte kërkuar të dalin në takim dhe ajo e kishte pranuar menjëherë.

Brad Pitt vazhdon të jetë i përfshirë në betejë ligjore me ish-bashkëshorten, Angelina Jolie, rreth kujdestarisë së gjashtë fëmijëve të tyre, Maddox, Pax, Zahara, Shiloh, Vivienne dhe Knox. Ata po ashtu po luftojnë rreth pronësisë së “Château Miraval”, vreshta të cilën e kishin blerë së bashku sa ishin të martuar.

Emily Ratajkowski së fundmi bëri kërkesë për shkurorëzim nga bashkëshorti, Sebastian Bear-McClard. Çifti u nda në muajin korrik pas raportimeve se producenti i filmave, me të cilin Emily e ka djalin 18-muajsh, Sylvester Apollo Bear, e kishte tradhtuar atë vazhdimisht.