Ylli kanadez i muzikës, Justin Bieber, është rikthyer në skenë pas betejës me sindromën Ramsay Hunt, e cila për javë të tëra bëri që njëra anë e fytyrës së këngëtarit të jetë e paralizuar.
Pasi e konfirmoi lajmin se do ta rifillonte turneun botëror, koncerti i parë i Bieberit u mbajt të dielën në kuadër të festivalit të sivjetmë “Lucca Summer” në Itali. Ai dukej në formë të mirë shëndetësore, me ç’rast e solli një performancë energjike të hiteve muzikore nga gjashtë albumet e tij.
Edhe vet këngëtari ndau fotografi nga koncerti në llogarinë e tij në Instagram, të shoqëruara me mbishkrimin: “Ju dua dhe më keni munguar shumë”.
Sipas klinikës “Mayo”, sindroma Ramsay Hunt ndodhë kur shpërthim herpesi prek nervat në afërsi të veshit dhe shkakton paralizë të fytyrës. Bieber e bëri publike diagnozën e tij në muajin qershor, disa ditë pasi i anuloi koncertet e mbetura të turneut nëpër Amerikës Veriore. Në një video të postuar në rrjetet sociale, këngëtari shihej duke pasur vështirësi për t’i mbyllur sytë, buzëqeshur dhe për të folur.
Nga atëherë ai u përkujdes që t’i përditësojë vazhdimisht fansat rreth gjendjes shëndetësore, duke i siguruar ata se çdo ditë po ndihet më mirë dhe se besimi i tij në fe e ka ndihmuar ta tejkalojë këtë sëmundje.
Sidoqoftë, Bieber u detyrua ta anulojë pjesën e mbetur të turneut “Justice” nëpër Amerikën Veriore, derisa pritet që së shpejti të zbulohen datat e reja të koncerteve zëvendësuese. Në ndërkohë, ylli i muzikës pop është fokusuar në turneun evropian, që do të vazhdojë me një koncert në Danimarkë i cili mbahet të mërkurën (3 gusht).
Po ashtu në itinerarin e tij janë performancat në Afrikën e Jugut, Lindjen e Mesme, Azi, Australi, Zelandë të Re dhe Britani të Madhe.