Showbiz

Adele e fillon serinë e koncerteve në Las Vegas në muajin nëntor

Ylli britanik i muzikës, Adele, do ta fillojë serinë e koncerteve në Las Vegas në muajin nëntor, raportoi të martën portali “Female”. 

Këngëtarja 34-vjeçare e ka konfirmuar lajmin se do të performojë në sallën “The Colosseum” të hotelit ikonik “Caesars Palace” nga 18 nëntori deri më 25 mars të vitit 2023. Këtë performancë të shumëpritur nga fansat ajo e ka titulluar “Weekends with Adele”.

Kantautorja shumë e dashur nga publiku mbarëbotëror kishte planifikuar ta fillojë serinë e koncerteve në Las Vegas në janar të këtij viti, por e anuloi projektin në minutat e fundit për shkak se pandemia e kishte pamundësuar përgatitjen e një shou, sipas dëshirës së saj. 

Tani, përveç 24 koncerteve të planifikuara në këtë lokacion, Adele i ka shtuar edhe tetë performanca ekstra. 

Në një mesazh të postuar në ueb faqen e yllit të hitit “Easy on Me” shkruhej: “Fjalët nuk mund ta përshkruajnë sa e lumtur jam që më në fund kam rastin t’i konfirmojë koncertet e planifikuara në Vegas. Unë vërtetë u pikëllova shumë kur u detyrova t’i anulojë ato në muajin janar. Por pas kalimit të një kohe, që neve na dukej si një përjetësi, duke e planifikuar shfaqjen që unë vërtet dua ta jap dhe duke e ditur se një gjë e tillë mund të realizohet, tani po ndihem më e emocionuar se kurrë për koncertet e ardhshme. Të jem me ju në një hapësirë aq intime, ka qenë një prej dëshirave të mia më të mëdha, dhe ju premtojë se do t’ua ofrojë më të mirën time në skenë”. 

Së fundmi u raportua se Adele është motivuar të angazhohet me shumë përkushtim në realizimin e serisë së koncerteve në Las Vegas, pas rikthimit të paharruar në skenë me anë të dy koncerteve në parkun “Hyde” të Londrës. Performancat u mbajtën në fillim të muajit korrik, dhe këngëtarja u nda jashtëzakonisht e kënaqur nga pritja e publikut dhe fansave të saj besnik. 

{gallery}