Showbiz

“Hocus Pocus 2” së shpejti në platformën Disney+

Studioja filmike “Disney” i ka publikuar pamjet e para të filmit të ardhshëm, “Hocus Pocus 2”, raporton portali “NME”.

Vazhdimi i filmit ikonik i cili pritet të publikohet në platformën Disney+, i kthen aktoret veterane, Bette Midler, Sarah Jessica Parker dhe Kathy Najimy, në rolet e tri motrave shtriga, 30 vjet pas lansimit të filmit të parë.

Ai e rrëfen historinë e një grupi të tinejxherëve të cilat e rindezin qiriun e Flakës së Zezë, që e nxit ringjalljen e shtrigave të shekullit 17-të të mposhtura më parë. Tani, motrat Sanderson rikthehen për të marrë hak. Por u takon tri nxënëseve të shkollës së mesme që t’i ndalojnë shtrigat grabitqare që t’i realizojnë planet e tyre në Salem në prag të festës Halloween.

Në filmin “Hocus Pocus 2”, rolin e përsërit edhe aktori Doug Jones, derisa Whitney Peak, Lilia Buckingham dhe Belissa Escobedo i portretizojnë tri shoqet tinejxhere, të cilët i ringjallin shtrigat Winifred, Sarah dhe Mary. Regjinë e këtij projekti e ka bërë Anne Fletcher.

“Hocus Pocus 2” lansohet në Disney+ më 30 shtator të këtij viti.